Udhëheqësi i opozitës ruse futet në grevë urie në burg

Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, njoftoi se është futur në grevë urie. Në një postim në Instagram, i cili u publikua nga avokatët e tij, Navalny tha se kërkon trajtim mjekësor për dhimbjet e rënda në shpinë dhe për mpirjet e këmbëve.


Navalny, 44 vjeç, aktualisht ndodhet në Koloninë Korrektuese Nr. 2, rreth 100 kilometra larg Moskës. Burgu njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi. Navalny është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Ai është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.

Navalny ka thënë se atentati kundër tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navlny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve.

Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg. Gjendja shëndetësore e tij është nxjerrë në pah javën e kaluar nga aleatët e tij.

Navalny ka thënë se vuan nga dhimbje të forta në shpinë dhe se autoritetet e burgut nuk janë duke bërë asgjë për të zgjidhur problemin.

Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa zyrtarë rusë për, siç është thënë, përfshirje në helmimin e Navalnyt. Rasti i tij ka shkaktuar edhe një valë protestash në Rusi./ REL