Vendimi përfundimtar për Mlladiqin, më 8 qershor

Shpallja e vendimit përfundimtar për ish-udhëheqësin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, do të bëhet më 8 qershor të këtij viti përpara Mekanizimit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, njoftoi të premten ky mekanizëm.


Në vitin 2017, Mlladiq është dënuar në shkallë të parë me burgim të përjetshëm, për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, më 1992-95.

Krimet kanë përfshirë edhe Masakrën e Srebrenicës, më 1995, në të cilën forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Si mbrojtja, ashtu edhe prokuroria e kanë apeluar vendimin e shkallës së parë.

Procesi kundër Mlladiqit ka nisur më 16 maj, 2012.

Aktakuza kundër tij është ngritur më 24 korrik, 1995.

Pasi ka kaluar gati 16 vjet në arrati, ai është arrestuar në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011.

Gjyqi ka nisur në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.