×
  • Lajme
  • Botë

    Zjarr i madh në Bangladesh: Njerëzit hidhen nga dritaret për të shpëtuar

    Reporteri
    28 Mars 2019 | 13:21

    Një zjarr i madh ka shpërthyer në një bllok zyrash në Dhaka të Bangladeshit, duke i marrë jetën të paktën pesë personave.


    Pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë tmerrin që kanë përjetuar qindra të tjerë, të cilët janë mbërthyer nga frika për jetën e tyre, teksa ishin të bllokuar mes flakëve dhe tymit.

    Të zënë në panik, shumë kanë zgjedhur të hidhen nga dritaret e godinës 19-katëshe, ndërsa të tjerë janë fotografuar teksa varen me litar për t’i shpëtuar flakëve.

    Tre vetë mësohet se vdiqën duke u hedhur nga ndërtesa ndërsa dy të tjerë janë shkrumbuar brenda kompleksit të zyrave.

    “Tre vetë duket se kanë vdekur pas hedhjes nga katet e sipërme të ndërtesës”, tha zëdhënësi i Spitalit Sazzadur Rahman Shuvo për Agence France-Presse. Ata kishin plagë serioze në kokë, por nuk kishin djegie të dukshme.

    Njerëzit në videot e DailyMail shihen duke bërtitur për ndihmë nga dritaret, me mediat që shkruajnë se janë parë të paktën gjashtë njerëz duke kërcyer nga dritaret në flakë.

    Ndërkohë sqarohet se së paku tetë persona të tjerë po trajtohen në spital. Një zëdhënës ushtarak, Abdullah Ibne Zaid, tha se trupi i një njeriu nga Sri Lanka u soll në spitalin e Kurmitola të ushtrisë dhe 45 të tjerë u trajtuan atje.

    Zjarrfikësit u mbështetën nga specialistë të marinës dhe forcave ajrore.

    Shoikot Rahman vrapoi pasi dëgjoi kolegët të ngrinin alarmin, duke lënë mënjanë tymin dhe flakët që futeshin në ndërtesë.

    “Kur dëgjova që një zjarr shpërtheu në ndërtesë, dola me shpejtësi nga aty”, tha ai për AFP.

    “Shumë nga kolegët e mi janë ende të bllokuar në zyrë”, shtoi Rahman.

    Nuk ka asnjë njoftim zyrtar se sa njerëz ishin bllokuar brenda.

    Fatkeqësitë e zjarrit godasin rregullisht qytetin e madh të Bangladeshit ku standardet e sigurisë janë të dobëta. Një zjarr i madh në lagjen e vjetër të Dhaka më 21 shkurt vrau të paktën 70 vetë dhe plagosi 50 të tjerë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!