Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim drejtuesit e Klubit të Prodhuesve për të diskutuar për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend, e veçanërisht të sektorit të prodhimit, pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.


Gjatë takimit kryeministri Hoti njoftoi prodhuesit për hapat që ka ndërmarrë qeveria për përkrahjen e sektorit të prodhimit, por edhe të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit.

“Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që t`ua lehtësojë veprimtarinë e tyre prodhuesve të vendit. Qeveria do t’i mbështesë prodhuesit bujqësorë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike”, tha kryeministri Hoti.

Reklamë

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se Qeveria tashmë është duke e mbështetur ekonominë e vendit me pakon emergjente, si dhe është duke e konkretizuar pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Po ashtu, vijoi ai, Qeveria ka krijuar edhe fondin e rimëkëmbjes ekonomike prej afro 385 milionë eurosh.

Ndërsa, drejtuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, thanë se misioni i këtij klubi është fuqizimi i prodhuesve të Kosovës, ndihma për nxitjen e bashkëpunimin në mes tyre dhe me palët e treta, ndërtimi i urave të bashkëpunimit me institucionet shtetërore, me qëllim të fuqizimin dhe të promovimit të prodhimeve vendore, duke e ngritur vetëdijen e qytetarëve për cilësinë e këtyre prodhimeve.