Një 75-vjeçar nga Beit She’an, veriu i Izraelit, ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak 2 orë pasi mori vaksinën kundër Covid-19. Lajmi është publikuar nga Ministria e Shëndetësisë e Izraelit, e cila specifikoi se shkak i atakut nuk ka qenë injektimi i vaksinës.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë, 75-vjeçari vuante nga disa sëmundje të mëparshme, të cilat sollën si pasojë atakun në zemër. Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Chezy Levy, tha se zbulimet paraprake nuk tregojnë asnjë lidhje mes vdekjes dhe injeksionit të vaksinës, megjithatë ka nisur një hetim mbi incidentin.
I ndjeri kishte marrë injeksionin rreth orës 8:30 të mëngjesit në klinikën “Clalit” dhe, sipas prokokollit, kishte qëndruar aty për një periudhë të shkurtër monitorimi për t’u siguruar që të mos kishte efekte anësore.
Kur kompania prodhuese e vaksinës Pfizer prezantoi të dhënat e testimeve në agjencinë e mjekimeve në SHBA, kishte deklaruar se dy vullnetarë në testime kishin vdekur pas marrjes së vaksinës. Një prej tyre kishte sistem imunitar të kompromentuar.
Agjencia izraelite mjekësore ka njoftuar se kur vaksinat u jepen popullatave më të rrezikuara, ka dhe raste të pafata, nga të cilat nuk duhet të nxirren konkluzione të përgjithshme për vaksinën. Në këtë rast duhet mirëpritur transparenca e kompanive prodhuese në procesin e aprovimit të mjekimit”.
Efektet kryesore anësore të vaksinave Pfizer e Moderna janë dhimbje, enjtje ose skuqje e vendit të injeksionit, drithërima, lodhje dhe dhimbje koke, të cilat në rastin më të keq zgjatin vetëm disa ditë.
Gjithsesi, Izraeli po vijon të marr rregullisht vaksinn kundër Covid. Kryeministri i vendit, Benjamin Netanyahu, tha të shtunën se brenda një muaji e gjysmë, do të jenë vaksinuar 2.25 milionë izraelitë.