×
  • Extra
  • Extra

    Ballkanasi po bënte qengj në hell, zvicerani e sulmon me kazmë dhe i fikë zjarrin

    Reporteri
    12 Maj 2022 | 16:03

    Një person me origjinë nga Ballkani kishte ndezur zjarr në një lëndinë afër shtëpisë së tij, ku kishte vendosur një qengj në hell. Por plani për drekën nuk i shkoi mirë, pasi një zviceran e pengoi me pretendimin se po e dëmtonte pronën publike dhe ambientin.

    Ngjarja ku një zviceran sulmon një ballkanas me emrin Dejan, u shfaq në një rrjet social të boshnjakëve të Zvicrës e ku tregohet një ngjarje konflikti mes fqinjëve lidhur me pjekjen e një qengji në një lëndinë publike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Videoja mblodhi gati 2000 pëlqime dhe një numër të madh komentesh brenda një kohe të shkurtër.

    Aty shihet një burrë i moshuar, me origjinë nga zona e Ballkanit, quajtur Dejan, i cili vendosi të pjekë një qengj në hell në lëndinën përballë shtëpisë së tij.

    Megjithatë, ai nuk ia doli ta çojë synimin e tij në fund.

    Që në fillim të videos, shohim një djalë të ri me kazmë në dorë dhe një aparat për shuarje të zjarrit, që i afrohet Dejanit, duke shprehur pakënaqësi që po e piqte qengjin në atë vend.

    “Dejan, shikoje atë” – burrit i flet një zë gruaje, ndërsa zvicerani i acaruar i afrohet duke i bërtitur “jugosllav”.

    Madje, në një moment, duke e sulmuar me kazmë, ai arrin t’i largojë ballkanasit shkopin nga dora, me të cilin po mbrohej nga zvicerani. E teksa flet me policinë në telefon, zvicerani i afrohet hellit dhe e aktivizon mjetin duke i shuar zjarrin.

    Qengji brenda pak çasteve mbulohet nga pluhuri i bardhë i lëshuar nga aparati për fikje të zjarrit, kështu që Dejani me miqtë dhe familjarët e tij mbetën pa drekën e shijshme. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!