×
  • Extra
  • Extra

    Mbi një miliard njerëz përballen me obezitet në botë

    Reporteri
    01 Mars 2024 | 11:12

    Më shumë se një miliard njerëz janë duke jetuar me obezitet në gjithë botën, sipas gjetjeve më të fundit të publikuara në revistën shkencore Lancet, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Në këto shifra përfshihen rreth 880 milionë të rinj dhe 159 milionë fëmijë, sipas të dhënave të vitit 2022.

    Shifra më e lartë është në Tonga, ku 70-80 për qind e të rinjve jetojnë me obezitet.

    Ekipet ndërkombëtare të shkencëtarëve kanë thënë se ekziston nevojë urgjente për ndryshime masive në mënyrën e luftimit të obezitetit.

    Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, përfshirë ato të zemrës, diabetin e tipit 2 dhe disa lloje të kancereve.

    Ndër gjetjet kryesore të raportit janë se:

    Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 10-të në botë për obezitet te burrat dhe në vendin e 36-të për gratë.

    India zë vendin e 19-të prej fundit për obezitet te gratë dhe 21-të për burrat

    Hulumtuesi i lartë, profesori Majid Ezzati, nga Kolegji Imperial i Londrës, i ka thënë transmetuesit britanik BBC, se “në shumë prej këtyre vendeve, janë dy mundësi, qasja në ushqim të shëndetshëm dhe ushqimi i pashëndetshëm”.

    “Në disa raste kemi parë fushata agresive të marketingut, duke promovuar ushqime të pashëndetshme, derisa çmimi dhe qasja në ushqimet e shëndetshme mund të jetë më problematike”.

    Në krahasimin mes vitit 1990 dhe 2022, është gjetur se shkalla e obezitetit është katërfishuar në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

    Sa u përket të rriturve, norma është më shumë se dyfish më e madhe te gratë dhe gati trefish më e madhe te burrat.

    Ndërkohë, përqindja e të rriturve që konsiderohen nënpeshë ka rënë për 50 për qind, mirëpo hulumtuesit kanë thënë se edhe kjo pikë është problematike, sidomos në vendet e varfra.

    Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se “ky studim i ri shpërfaq rëndësinë e parandalimit dhe menaxhimit të obezitetit prej moshës së hershme përmes dietave, aktivitetit fizik dhe kujdesit adekuat”.

    Rrjeti me mbi 1.500 hulumtues, ka bashkëpunuar me OBSH-në, dhe ka analizuar gjatësinë dhe peshën e rreth 220 milionë njerëzve mbi moshën pesëvjeçare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!