Kyçet e këmbëve janë thelbësore për ekuilibrin, qëndrimin në këmbë, ecjen dhe vrapimin. Megjithatë, shpesh nuk u kushtojmë vëmendje derisa të pësojmë ndonjë dëmtim. Sipas fizioterapistes Genevieve Tawiah, lëndimet e kyçit të këmbës janë të zakonshme, por rreziku i tyre mund të ulet duke forcuar muskujt dhe duke përmirësuar kontrollin e lëvizjeve.
Ajo sugjeron tri mënyra për të mbajtur kyçet e këmbëve të forta dhe të qëndrueshme.
1. Përmirësoni lidhjen mes trurit dhe trupit
Hapi i parë është të mësojmë të ndiejmë dhe të kontrollojmë lëvizjet e këmbëve pa pasur nevojë t’i shikojmë vazhdimisht. Kjo ndihmon trupin të reagojë më mirë gjatë ecjes dhe aktivitetit fizik.
Për këtë mund të provoni ushtrime të thjeshta, si shtypja e gishtit të madh të këmbës në dysheme, duke vëzhguar aktivizimin e harkut të shputës, ose përpjekja për ta lëvizur gishtin e madh anash, drejt një stilolapsi të vendosur pranë tij.
2. Forconi muskujt dhe përmirësoni ekuilibrin
Kyçet e këmbëve ndihmojnë në mbajtjen e peshës së trupit dhe ruajtjen e ekuilibrit. Për t’i forcuar, fizioterapistja rekomandon ngritjen e thembrave, ecjen me njërën këmbë përpara tjetrës dhe ushtrimet e kalimit nga pozicioni ulur në atë në këmbë.
Edhe ngjitja dhe zbritja e shkallëve mund të ndihmojë. Nëse zakonisht përdorni njërën këmbë për të nisur ngjitjen, provoni të alternoni edhe me tjetrën. Për personat që po rikuperohen nga ndrydhja e kyçit, mund të jenë të dobishme ushtrimet e ekuilibrit në njërën këmbë, ndërsa për problemet kronike të tendinave rekomandohen ushtrime të kontrolluara me ngarkesë të shtuar gradualisht.
3. Zgjidhni këpucët e duhura
Këpucët ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si këmba mban peshën dhe ruan ekuilibrin. Këpucët shumë të ngushta në pjesën e përparme, që shtrëngojnë gishtërinjtë, mund të kufizojnë lëvizjen e tyre.
Sipas Tawiah, këpucët duhet të zgjidhen në varësi të aktivitetit. Për ushtrimet e forcës dhe ulje-ngritjet janë më të përshtatshme këpucët me taban më të sheshtë, ndërsa për vrapimin rekomandohen atletet që amortizojnë goditjet. Për ecjet e gjata në terrene të ndryshme, çizmet e ecjes mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të ndrydhjeve, por përdorimi i tyre për periudha të gjata mund të kufizojë lëvizshmërinë e kyçit.
Edhe këpucët minimaliste, të njohura si këpucë zbathur, mund të jenë të dobishme, por kalimi tek ato duhet të bëhet gradualisht dhe pasi këmbët të kenë fituar forcën e nevojshme.