Germán Orizaola, një shkencëtar spanjoll në Universitetin e Oviedos, ka publikuar një studim në të cilin heton pse bretkosat e San Antonios lindore, të cilat normalisht kanë një ngjyrë të gjelbër dhe të ndezur, janë të zeza në Çernobil.
Studimi, i cili filloi në vitin 2017, lidh ngjyrën e errët me një përqendrim më të lartë të melaninës, e cila mund të zvogëlojë dëmtimin e shkaktuar nga rrezatimi në organizmat e gjallë. Ngjyra e errët shpërndan një pjesë të rrezatimit dhe mund të zvogëlojë veprimin e tij.
“Incidenti i Çernobilit (1986) përfaqëson lëshimin më të madh të materialit radioaktiv në mjedis”, tregon studimi, i cili thekson se “ngjyra e lëkurës ishte më e errët në vendet më afër zonave me nivele të larta rrezatimi”.
“Ngjyrimi i errët dihet se mbron nga burime të ndryshme të rrezatimit, duke neutralizuar radikalet e lira dhe duke reduktuar dëmtimin e ADN-së dhe në veçanti, pigmentimi i melaninës është propozuar si një mekanizëm mbrojtës kundër rrezatimit jonizues”, thotë studimi.
Për të kryer studimin, studiuesi Orizaola mori mostra bretkosash në 12 vende: 8 brenda Zonës së Përjashtimit të Çernobilit dhe 4 jashtë Çernobilit, rreth 40 km në lindje të zonës së përmendur. Në total, hulumtimi analizoi 189 ekzemplarë të bretkosave mashkullore, nga të cilat u matën ngjyra, doza e rrezatimit të absorbuar dhe niveli i stresit oksidativ.
Pothuajse të gjitha bretkosat e mbledhura jashtë Zonës së Përjashtimit kishin një ngjyrë të gjelbër të ndezur, ndërsa bretkosat e gjetura pranë zonës kishin pigmentim më të errët, një proces i seleksionimit natyror që mendohet se i ka mbrojtur bretkosat nga rrezatimi./A2CNN
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.