×
  • Extra
  • Extra

    Rrafshi i Dukagjinit ‘shtëpi’ traditash, loja me kapuça luhet edhe pas 2000 vitesh

    Reporteri
    06 Shkurt 2022 | 20:06

    Burra të moshës madhore e deri tek moshat e reja,të shoqëruar nga plisat e bardhë mbi kokë, qorape të thurura e kokrrat nga materiali i plumbit, janë elementet kryesore që përbëjnë grupin e gatshëm për lojën tradicionale me kapuça.

    Kjo është ndër lojërat më të vjetra që gjeneza e saj shkon deri në 2000 vite më parë. Këtë e mbështet edhe antari i Këshillit Organizativ të Kampionatit të Kosovës në lojën me kapuça, Shasivar Haxhijaj.

    “Lojërat tradicionale kanë filluar të luhen prej kohës kur ka pasë shqiptarë, ndërsa Loja me kapuça konsiderohet se është njëra ndër lojërat më të vjetra të popullit shqiptarë. Ajo mendohet se është më e vjetër se 2000 vite”, tha Haxhijaj për Insajderin.

    E trojet shqiptare duket se kanë qenë gurthemel për zhvillimin e mëtutejmë të kësaj loje

    Haxhijaj tha se qëllimi i vazhdimsisë së kësaj tradite ka qenë të rikthejnë traditën e këtyre lojërave dhe ta bartin tek brezat e rinjë.

    “Qëllimi i këtij organizimi ishte që ta rikthejmë traditën e këtyre lojërave, ta kultivojmë, ta ruajmë, ta kodifikojmë, ta digjitalizojmë dhe ta bartim tek brezat e rinj këtë lojë që është luajtur me mijëra vjet në trevat tona e më gjerë”, shtoi ai.

    Ndërkaq jashtë promovimit në vend nuk del edhe synimi që këto lojëra të promovohen edhe në arenën ndërkombëtare.

    Loja me kapuça ishte “dy hapa” larg zhdukjes

    Fakti që interesimi për këtë lojë filloi të binte zgjoi iniciativën e klubeve të ndryshme që organizonin këto ndeshje me qëllim të ruajtjes së traditës dhe ta mbanin atë gjallë akoma, ashtu sikurse në periudhat më të hershme.

    “Loja e Kapuçave ishte para zhdukjes dhe me këto aktivitete dhe organizime ne e rikthyem edhe njëherë në nivelet më të larta, duke e shndërruar në një lojë të dashur e atraktive ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën”, tha antari i Klubit Aplin Podguri, Shasivar Haxhijaj

    Gjithashtu arsye tjetër e vazhdimit të kësaj tradite ka qenë edhe ruajtja e vlerës kulturore shqiptare.

    “Duke i njohur vlerat kulturore, artistike, e shpirtërore që ka kjo lojë, ne me këto organizime nuk lejuam që kjo lojë të zhduket e aq më pak të përvetësohet nga të tjerët, ashtu siç pretendohet për çdo vlerë të popullit tone”, tha Haxhijaj për Insajderin.

    Kanuni i Dukagjinit ka qenë libri në të cilin janë shkruar rregulla e ligje që duhej zbatuar gjatë periudhave më të hershme. Ky libër konsiderohet ndryshe is vlerë, monument kulturor historik i të drejtës tradicionale të shqiptarëve. E ekzistenca e kanunit nuk quhej e tillë pa kryeplakun e njerëzit e tjerë që trajtonin problemet e shqetësimet.

    Ani pse tani ekzistojnë ligjet në të cilat duhet bazuar, rrafshi i Dukagjinit njihet për respektimin e të drejtave zakonore edhe këto ditë.

    Oda shqiptare në kanun është trajtuar si institucion ku janë diskutuar shumë gjëra, kështu edhe tash në Dukagjin trajtohet njejtë.

    Megjithëse tani më shumë përdoret për takimet ku luhet muzikë e hidhen valle me folklorin shqiptarë e me instrumente të traditës sonë si çiftelia e sharkia.

    Në rangun e vendeve të përzgjedhura për lojën me kapuça tash është edhe Oda.

    Që ardhja e brezave të rinjë edhe tendenca që këto lojëra të mbeten në harresë ekzistonte, u tha edhe më herët, por ndër vite ndryshoi edhe kultivimi i traditës brenda trojeve ku ka shqiptarë.

    Duke e berë rajonin e Dukagjinit si fole të ruajtjes së traditës e percjellje të saj.

    “Loja me kapuça është luajtur në të gjitha trevat ku ka pasë shqiptarë, më pas me kalimin e kohës po thuajse u harrua, mirëpo pakëz më shumë i mbijetoj kohës pikërisht në rajonin e Dukagjinit, sidomos në komunën e Istogut, Pejës, rajonit të Rugovës, Deqanit dhe të Junikut”, tregoi Haxhijaj për Insajderin.

    Falë ruajtjes dhe kultivimit që ju bë kësaj loje në këto zona ishte më e lehtë edhe rikthimi e masivizimi i saj.

    Si luhet loja me kapuça?

    Haxhijaj tregon se zakonisht loja luhej nga 6 e deri në tetë persona, por, gjithashtu në literatura të ndryshme thuhej se mund të luhej edhe nga tre apo pesë lojtarë.

    “Merrnin pjesë gjashtë deri në tetë persona të cilët ndaheshin në dy grupe, ulur në gjunjë disa hapa larg njëri tjetrit, në mes të odës. Mbasi të jenë siguruar kapuçat ose (mestet), hedhin shortin se kush prej tyre do të fsheh kokrrën (plumin) i pari, kështu fillon loja”, spjegoi ai për Insajderin

    Ndërkaq pasi fshihnin kokrrën duhej të siguroheshin deri në 100 pikë që ekipi të jetë fitues. Por, për humbësit kjo nuk kalohej në formë shakaje sepse shpeshherë merrnin edhe iofendime nga ekipi fituesit, por, kuptohet nuk ndiheshin keq pasi ishte thjeshtë lojë dhe kështu e donte zakoni.

    Edhe pse këngët janë shumë tallëse, thumbuese, e ofenduese, sipas përfaqësuesit të Klubit Aplin Podguri, asnjëri nga të pranishmit nuk është ofenduar apo hidhëruar për fjalët e pranuara, duke e pranuar talljen e ofendimet me një sportivitet të jashtëzakonshëm.

    Njëkohësisht duke treguar kështu një kulturë, vetëdije e tolerancë të lartë të popullit shqiptarë, të kultivuar ndër shekuj e duke e bartur deri në ditët e sotme.

    Këngë e kënduar për humbësit!
    “Grupi që del fitues së bashku me të gjithë të pranishmit tjerë në odë, pra edhe me ata që nuk kanë marrë pjesë në lojë, ngritën në këmbë, lidhen krah me krah në mes vete, duke krijuar një rresht burrash dhe fillojnë t’i këndojnë grupin që ka humb lojën, me këngë tallëse dhe ofenduese e shpesh herë edhe fyese, ashtu siç e donte zakoni i lojës”, vazhdoi Haxhijaj.

    Ideja që dikush nga grupi të mos i këndoi humbësit i sillte këngë të veçantë edhe ati nga fituesit.

    “Nëse dikush nga burrat që ka qenë në odë nuk është ngritë në këmbë për ti kënduar humbësit, edhe ai po ashtu është kënduar nga e gjithë oda, në mënyrë të njëjtë sikur ata që e kanë humbur lojën”, tha ai për Insajderin.

    Kampionati i lojës me kapuç këtë vit

    Përditë me radhë në rajonin e Dukagjinit është luajtur loja me kapuç, diçka që qon finalistët deri në kampionat.

    Këtë vit po planifikohet që kampionati të jetë në muajin shkurt ku do të ketë edhe një risi për herë të parë.

    “Risi e kampionatit të dytë do të jetë pjesëmarrja e grup moshave të reja nga 10 deri në 15 vjet, përmes të cilëve pretendohet të përciellet kjo loje të gjeneratat e reja”, potencoi Haxhijaj

    Përpos ndeshjeve mes ekipeve të ndryshme ky kampionat do karakterizohet edhe me këngë, veshje e valle tradicionale.

    “Në ceremoninë e kampionatit do të ketë këngë tradicionale nga rapsodët më të mirë të kosovës, Valle tradicionale me motive nga trava të ndryshme, ushqime tradicionale, veshje me kostume tradicionale, e po ashtu plisi i bardhë do të jetë simbol I këtij aktivitete”, përfundoi Haxhijaj

    Finalistë të kampionatit të parë ishin ekipi “Podguri” nga Istogu dhe “Rugova” nga Peja, ku në fund triumfoj ekipi Podguri duke u shpallur kampioni i parë i Kosovës në lojën me kapuça.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!