Kompania prodhuese e lodrave “Lego” ka njoftuar se do të punojë për të hequr stereotipet gjinore nga lodrat e tyre pas një studimi global që bëri.
Studiuesit zbuluan se ndërsa vajzat po bëheshin më me vetëbesim dhe më të prirura për t’u përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh, e njëjta gjë nuk ishte e vërtetë për djemtë.
71% e djemve të anketuar kishin frikë se do të talleshin nëse do të luanin me atë që ata e përshkruanin si “lodra të vajzave”, një frikë që u bë e ditur nga prindërit e tyre, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Prindërit janë më të shqetësuar se djemtë e tyre do të ngacmohen më shumë sesa vajzat e tyre për të luajtur me lodra që kanë të bëjnë me gjininë tjetër,” tha Madeline Di Nonno, shefe ekzekutive e Institutit “Geena Davis”, e cili kreu studimin.
“Por është gjithashtu që sjelljet e lidhura me burrat vlerësohen më shumë në shoqëri. Derisa shoqëritë të pranojnë se sjelljet dhe aktivitetet që zakonisht lidhen me gratë janë po aq të vlefshme ose të rëndësishme, prindërit dhe fëmijët do të jenë të gatshëm t’i përqafojnë ato”, ka thënë Di Nonno.
Studimi zbuloi se prindërit ende i inkurajonin djemtë të bënin sporte, ndërsa vajzave u ofroheshin vallëzime dhe veshje ose për të kryer gatime.
‘Lego’, prodhuesi danez i lodrave porositi raportin për Ditën Ndërkombëtare të OKB -së për vajza këtë të hënë.
‘Lego’ anketoi pothuajse 7,000 prindër dhe fëmijë të moshës gjashtë deri në 14-vjeç nga Kina, Republika Çeke, Japonia, Polonia, Rusia, Britania e Madhe dhe SHBA.
“Ne po punojmë shumë për ta bërë Legon më gjithëpërfshirëse”, tha Julia Goldin, shefe e produktit dhe marketingut në Lego, prodhuesi më i madh i lodrave në botë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Që nga fillimi i vitit 2021, Instituti “Geena Davis” ka qenë duke kontrolluar Legon dhe duke u konsultuar për të “adresuar paragjykimet gjinore dhe stereotipet e dëmshme”, dhe tani kompania ka premtuar të heqë paragjykimet gjinore nga linjat e saj.
Goldin tha se ‘Lego’ nuk do të etiketojnë më asnjë nga produktet e tyre “për vajza” ose “për djem”. Në Lego.com konsumatorët nuk mund të kërkojnë produkte sipas gjinisë. Në vend të kësaj, faqja e internetit ofron tema që i quan “pika pasioni”.
“Puna jonë tani është të inkurajojmë djemtë dhe vajzat që duan të luajnë me grupe që mund të jenë parë tradicionalisht si ‘jo për ta’”, ka shtuar Goldin, shefe e produkteve dhe marketingut në Lego. /Përktheu: Bleda Krasniqi – Reporteri.net/.