Bitcoin ka kaluar për herë të parë në histori vlerën prej 111,000 dollarësh amerikanë, në një zhvillim të rëndësishëm që përforcon pozicionin e tij si aset udhëheqës në sistemin financiar global. Ky moment historik përkoi me Ditën e Bitcoin Pizzas – përvjetorin e transaksionit të parë real me BTC 15 vite më parë, duke sjellë një simbolikë të veçantë në rritjen e vazhdueshme të industrisë së kriptovalutave.
Sipas të dhënave të fundit, kapitalizimi i tregut të Bitcoin ka arritur në 2.165 trilionë dollarë, duke tejkaluar Amazon dhe duke hyrë në mesin e pesë aseteve më të mëdha globale. Gjithashtu, dominanca e BTC në tregun e kriptovalutave ka shkuar në 63%, ndërsa kapitalizimi total i tregut ka prekur 3.54 trilionë dollarë.
Kyrylo Khomiakov, drejtor rajonal i Binance për Evropën Qendrore, Lindore dhe Azinë Qendrore, komentoi:
“Nuk kemi të bëjmë me një fluks spekulativ afatshkurtër, por me një transformim afatgjatë të strukturës së tregut. Investitorët institucionalë po hyjnë në treg me strategji të mirëfillta dhe planifikim të qëndrueshëm – Bitcoin po bëhet pjesë themelore e financave të së ardhmes.”
Sipas CryptoQuant, vetëm në 24 orë është regjistruar një rritje prej 3 miliardë dollarësh në kapitalizimin e realizuar të Bitcoin, duke shënuar një sinjal të fuqishëm për vazhdimin e trendit bullish.
Analistët e konsiderojnë këtë si një tregues të nisjes së një faze të re rritjeje të qëndrueshme.
Kompani të mëdha si MicroStrategy, Metaplanet dhe Twenty One Capital janë duke rritur rezervat e tyre të BTC-së. Vetëm MicroStrategy ka shtuar 7,390 njësi BTC, duke e çuar totalin në 576,230 monedha. Kjo tregon vendosmërinë për investime afatgjata dhe ndikimin që ka oferta e kufizuar në çmim.
“Këto lëvizje të koordinuara, të shoqëruara me strategji si dollar-cost averaging dhe ekspozim të qëndrueshëm në ETF-të spot, po rrisin qëndrueshmërinë e tregut. Luhatshmëria po bie, ndërsa besimi po rritet,” shton Khomiakov.
Faktorë të tjerë që po nxisin këtë moment përfshijnë edhe pasigurinë globale ekonomike dhe sinjalet pozitive nga rregullatorët financiarë në tregjet kryesore.
Për Binance, këto zhvillime nuk janë vetëm rekorde të reja, por dëshmi e pjekurisë dhe legjitimitetit në rritje të industrisë:
“Tregu është më i pjekur se kurrë më parë. Ne jemi duke parë një kapitull të ri, ku kriptovalutat nuk janë më periferike – por qendrore,” përfundon Khomiakov.