×
  • Extra
  • Tech&Auto

    Çfarë bën inteligjenca e përmirësuar artificiale e WhatsApp, Instagram, Facebook dhe Messenger

    Reporteri
    19 Prill 2024 | 13:23

    Të gjitha kompanitë e mëdha të teknologjisë po përpiqen të përmirësojnë njëra-tjetrën me përditësimet “Hej, shiko çfarë mund të bëjë tani inteligjenca jonë artificiale (AI)” dhe sot, kompania mëmë e Facebook, Meta prezantoi përmirësimin e saj më të fundit në një version të quajtur Llama 3.

    Ndryshe nga publikimet e mëparshme të Llama, Llama 3 ka ueb-faqen e saj të dedikuar (meta.ai), ku mund ta përdorni mjetin falas.

    “Ditë e madhe këtu. Ne po nxjerrim versionin e ri të Meta AI, asistentit tonë, që ju mund të bëni çdo pyetje përmes aplikacioneve dhe syzeve tona”, tha CEO i Meta Platform, Mark Zuckerberg.

    “Ne e ndërtuam atë në kutinë e kërkimit pikërisht në krye të WhatsApp, Instagram, Facebook dhe Messenger, kështu që sa herë që keni një pyetje, mund ta bëni atë pikërisht aty. Ne po nxjerrim gjithashtu një sërë veçorish unike të krijimit. Meta AI tani krijon animacione dhe krijon imazhe me cilësi të lartë aq shpejt sa që gjeneron dhe përditëson imazhe për ju në kohë reale ndërsa jeni duke shtypur”, shtoi ai.

    Gjithashtu ajo do të gjenerojë gjithashtu një video riprodhimi të procesit tuaj të krijimit.

    Meta ka njoftuar më 18 prill se modelet do të integrohen në asistentin virtual, MetaAI, të cilin kompania nga Kalifornia e ka prezantuar si më të sofistikuarin nga konkurrentët e tij që ofrohen pa pagesë, duke iu referuar performancës më të mirë në fusha si arsyetimi, kodimi dhe shkrimi kreativ, në krahasim me programet që ofrohen nga rivalët si Google i Alphabet-it dhe kompania franceze Mistral AI.

    Asistentit të avancuar Meta AI do t’i jepet hapësirë më e madhe brenda aplikacioneve të Meta-s, si Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger, si dhe në kuadër të një ueb-faqeje të veçantë, e cila do të vendosë atë në konkurrencë më të drejtpërdrejtë me sistemin e popullarizuar të OpenAI-së së mbështetur nga Microsoft-i, ChatGPT.

    Një hapësirë informuese që i mirëpret vizitorët në atë ueb-faqe i nxit ata të provojnë t’i kërkojnë asistentit t’ua krijojë një listë gjërash për t’i bërë gati për pushime, të luajë me ta një kuiz për muzikën e viteve të ’90-ta, t’u ofrojë atyre ndihmë për kryerjen e detyrave të shtëpisë apo të pikturojë peizazhin e qytetit të Nju-Jorkut.

    Meta është angazhuar që t’u ofrojë produkte të IA-së gjeneruese për miliarda përdoruesit e saj, për të sfiduar pozicionin udhëheqës të OpenAI-së në industri, duke përfshirë një ndryshim të shtrenjtë të infrastrukturës së saj kompjuterike dhe konsolidimin e ekipeve të veçanta të hulumtimeve dhe të produkteve.

    Gjiganti i mediave sociale ka ofruar modelet e tij Llama për përdorim nga zhvilluesit që krijojnë aplikacione të IA-së, si pjesë e përpjekjes së tij për të zënë hapin me konkurrencën, teksa një opsion serioz pa pagesë mund t’i dëmtojë planet e rivalëve për të fituar të ardhura përmes teknologjisë së tyre. Strategjia ka nxitur shqetësime për sigurinë në mesin e kritikëve, të cilët brengosen se për çfarë mund ta përdorin modelin aktorë të paskrupullt.

    Meta e ka pajisur Llama 3-shin me aftësi të reja për programime kompjuterike, dhe e ka furnizuar atë me fotografi dhe me tekste gjatë trajnimit të tij, ndonëse tani për tani modeli do të përgjigjet vetëm në formë të shkruar, ka thënë drejtori për produkte në Meta, Chris Cox, gjatë një interviste.

    Arsyetimi më i avancuar, sikurse aftësia për të hartuar plane më të gjata prej shumë hapash, do të ofrohet përmes versioneve të ardhshme, ka bërë të ditur ai. Versionet e planifikuara për t’u lëshuar për përdorim gjatë muajve të ardhshëm do të jenë të afta të gjenerojnë si shkrime, ashtu edhe imazhe, ka njoftuar Meta.

    “Objektivi përfundimtar është ofrimi i ndihmës për t’jua lehtësuar punën, për t’ua bërë jetën më të lehtë, qoftë në ndërveprim me biznese, qoftë në shkrimin e ndonjë teksti apo planifikimin e një udhëtimi”, është shprehur Cox.

    Ai ka thënë se përfshirja e imazheve në trajnimin e Llama 3-shit do ta përmirësojë një version që do të ofrohet këtë vit për syzet e mençura Ray-Ban Meta, një produkt i bërë bashkë me prodhuesin e xhamave Essilor Luxoticca, për t’i mundësuar Meta AI-së të identifikojë objektet që i sheh përdoruesi i syzeve dhe t’u përgjigjet pyetjeve rreth tyre.

    Aksionet e Meta-s në treg janë rritur për 1.8 për qind në mbrëmjen e 18 prillit.

    Meta ka njoftuar, po ashtu, se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Google-in, për të përfshirë rezultatet e tij të kërkimit në kohë reale në përgjigjet e asistentit të saj, i cili shërbehet edhe nga motori i kërkimit i Microsoft-it, Bing.

    Asistenti Meta AI do të jetë i qasshëm, përveç në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në dhjetëra vende, përfshirë Australinë, Kanadanë, Singaporin, Nigerinë dhe Pakistanin. Sipas Cox, Meta “po vazhdon të angazhohet për ta gjetur mënyrën e duhur për ta ofruar atë në Evropë”, ku rregullat e privatësisë janë më të rrepta, dhe ku një ligj i ardhshëm për IA-në pritet të përcaktojë kërkesa si zbulimi i të dhënave të trajnimit të modeleve.

    Nevoja e madhe e modeleve të IA-së gjeneruese për të dhëna është bërë burim i madh tensionesh në zhvillimin e teknologjisë.

    Kryeshefi i Meta-s, Mark Zuckerberg, ka pohuar garën me OpenAI-në, në një video që ka shoqëruar prezantimin, ku ai e ka quajtur Meta AI-në “asistentin më zgjuar me inteligjencë artificiale që mund ta përdorni falas”.

    Zuckerberg ka thënë se dy versionet më të vogla të Llama 3-shit, që po ofrohen tani, me 8 miliardë, përkatësisht 70 miliardë parametra, kanë arritur rezultate më të mira sesa modelet e tjera që ofrohen pa pagesë, në testet që bëhen për të vlerësuar cilësinë e modeleve. Versioni më i madh i Llama 3-shit po vazhdon të trajnohet, me 400 miliardë parametra, ka njoftuar ai.

    Këto rezultate janë “padyshim mbresëlënëse”, por edhe paralajmëruese të rritjes së dallimit në performancë ndërmjet modeleve pa pagesë dhe atyre ekskluzive, ka thënë Nathan Benaich, themelues i Air Street Capital, firmë e cila fokuson investimet në IA.

    Zhvilluesit janë ankuar se versioni i mëparshëm i modelit me Llama 2 nuk ka arritur të kuptojë kontekste bazike, përfshirë ngatërrimin e kërkesave për “likuidimin” e një programi kompjuterik me kërkesa për instruksione në kryerjen e një vrasjeje. Rivali Google ka hasur në probleme të ngjashme, ndërsa së voni ka pezulluar përdorimin e mjetit të saj për gjenerim imazhesh nga inteligjenca artificiale, Gemini, pasi ai u përball me kritika për paraqitje të pasakta të figurave historike.

    Meta ka thënë se i ka limituar këto probleme në Llama 3, duke përdorur “të dhëna të cilësisë së lartë” për t’i ndihmuar modelit të njohë nuancat. Ajo nuk ka ofruar hollësi për të dhënat e përdorura, ndonëse ka dhënë se Llama 3-shi është furnizuar shtatëfish më shumë sesa Llama 2 me të dhëna./Radio Evropa e Lirë 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!