Një britanik vdiq në Xhamajka pasi mori përsipër sfidën për të pirë të 21 koktejet në meny në një bar pranë pishinës, sipas hetimeve paraprake.
Megjithatë, Timothy Southern (53) nga Lichfield, Staffordshire, piu vetëm 12 kokteje pas të cilave shkoi në dhomën e tij të hotelit në Saint Ann, shkruan Daily Mail.
53-vjeçari ishte me pushime me motrën, fëmijët dhe të afërm të tjerë në maj të vitit 2022.
Pasi ra alarmi, familja e Timothy-ut nxitoi në dhomën e tij për të gjetur një skenë të tmerrshme.
“Ai ishte shtrirë në shpinë dhe po mbytej. E zhvendosa në anën e tij dhe thirra një ambulancë. Bëri një gurgullimë dhe volli. E thirra në emër, por nuk më përgjigjej”, tha kushëriri i tij.
“Kur mbërriti infermierja, i thashë se ishte thirrur një ambulancë, por ajo tha se nuk ishte e nevojshme. Mendova se ajo do të merrte përsipër, por ajo nuk e bëri. Vura re se ai filloi të humbiste temperaturën. I kontrollova pulsin dhe nuk e gjeta, por infermierja tha se kishte puls. E shikova fytyrën e tij dhe mendova se tashmë kishte ndërruar jetë”, tha ajo.
Ajo shtoi se i kishte thënë infermieres që menjëherë të fillonte reanimimin, por ajo nuk e bëri.
“Ajo i bëri vetëm ngjeshje në gjoks. Ndoshta ai do të ishte ende gjallë nëse infermierja do ta dinte se çfarë po bënte. Trajtimi dhe ndihma që mori ishte e neveritshme”, tha kushëriri i Timothy.
Hetimi tregoi se Timothy tashmë kishte pirë raki dhe birrë atë mëngjes kur takoi dy gra kanadeze që po përpiqeshin të përfundonin një sfidë prej 21 koktejesh para mesnatës për të festuar ditëlindjen e njërës prej tyre.
Një patolog nga Kingston, Xhamajka deklaroi se shkaku i vdekjes ishte “gastroenteriti akut i shkaktuar nga konsumimi i alkoolit”.
Por mund të duhen deri në tre vjet përpara se raportet toksikologjike të arrijnë në Britani nga Xhamajka.
Mjeku ligjor Emma Serrano, nga Staffordshire, vendosi se vdekja ishte e lidhur me alkoolin.
Pas vdekjes së Timothy-t, familja e tij mblodhi pothuajse 10,000 £ në një fushatë GoFundMe për ta kthyer trupin e tij në Mbretërinë e Bashkuar.