×
  • Lajme
  • Fact Check / Verifikimi i fakteve

    Bashkëshortja e Navalnyt cak i dezinformatave pas vdekjes së tij

    Autor:Gent Mehmeti
    05 Mars 2024 | 17:08

    Rasti

    Pas vdekjes së opozitarit rus Alexei Navalny në burgun rus afër Arktikut, më 16 shkurt 2024, bashkëshortja e tij, Yulia Navalnaya është bërë cak i dezinformimit dhe propagandës ruse, të cilat janë shpërndarë në rrjetin social “X” dhe nëpër mediumet e kontrolluara nga shteti rus. Dezinformimi dhe propaganda ruse janë shpërndarë edhe në gjuhët angleze, gjermane dhe franceze.

    Postimet e rrejshme

    Dezinformimi dhe propaganda ndaj bashkëshortes së opozitarit të vdekur rus, Yulia Navalnaya janë bërë në rrjetin social “X” dhe në disa uebfaqe nën emrin “Pravda”. Fotografitë e rrejshme të Navalnayas me burra të tjerë përveç bashkëshortit të saj janë shpërndarë në faqet e tilla si pravda-fr.com, pravda-en.com dhe pravda-de.com.

    Llogaritë në rrjetin social “X” kishin bërë montazh edhe një tjetër fotografi të Chichvarkin duke përqafuar Navalnayan. Kjo fotografi është shpërndarë nga përdoruesit në gjuhën angleze, gjermane, portugeze, japoneze, ruse dhe tajlandeze.

    Postimet e rrejshme dhe fotoja e montuar e gruas së Navalnyt të shpërndara nga faqe propaganduese ruse

    Klasifikimi: Dezinformatë/Propagandë ruse

    Bashkëshortja e Navalnyt Yulia ka vendosur që të mos kthehet në Rusi shkaku i shqetësimeve se mund të arrestohej nga Kremlini. Ajo nuk ishte e pranishme në funeralin e tij. Menjëherë pas vdekjes ka njoftuar se do të vazhdojë punën e bashkëshortit të tij në përpjekje për “Rusinë e lirë”. Ndërkaq, Rusia ka përndjekur ose vrarë të gjithë ata që kanë dalë kundër presidentit Vladimir Putin.

    Propaganda e Federatës Ruse promovon qëndrimet, perceptimet ose agjendat e qeverisë. Në mediat ruse përfshihen ato që kontrollohen nga shteti dhe teknologjitë online. Shumë prej këtyre mediave promovojnë masat aktive të stilit sovjetik, si elemente të luftës politike moderne të Rusisë. Propaganda bashkëkohore e Rusisë promovon kultin e personalitetit të Vladimir Putinit dhe qëndrimeve pozitive për historinë sovjetike. Rusia gjithashtu ka themeluar një numër të madh organizatash, siç është ajo e Komisionit Presidencial të Federatës Ruse kundër falsifikimit të historisë dhe dëmtimit të interesave të Rusisë, brigadat ruse të uebit dhe faqe të tjera që janë të përfshira në propagandën politike për të promovuar qëndrimet e qeverisë ruse.

    Arsyetimi dhe faktet

    Lideri opozitar i Rusisë, Alexei Navanly, me 16 shkurt të këtij viti ka vdekur në burgun e Arktikut, në të cilin po mbahej nën akuzat e motivuara politikisht. Autoritetet ruse kanë publikuar pak detaje të vdekjes së tij. Zyrtarët kanë thënë se ka rënë përtokë gjatë ecjes në kohën e lirë në burg.

    Menjëherë pasi mori lajmin për vdekjen e tij, bashkëshortja Yulia Navalnaya, kishte premtuar se do të vazhdonte betejën për “Rusinë e Lirë”. Pas varrimit të Navalnyt në një ceremoni në periferi të Moskës, e veja e tij e ka falënderuar për “26 vjetët absolutisht të lumtura” dhe ka shtuar se shpreson se do ta takojë në botën tjetër.

    Autoritetet ruse për dy javë kanë mbajtur trupin e Navalnyt. Shumë liderë të shteteve Perëndimore kanë fajësuar Moskën për vdekjen e tij. SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë.

    Navalny, kritiku më i madh i Kremlinit, ishte i burgosur që prej kthimit të tij në Rusi në fillim të vitit 2021 pas helmimit dhe shëndeti i tij shkoi duke u përkeqësuar. Navalnaya nuk e kishte parë bashkëshortin në dy vitet e fundit.

    Pak orë pas lajmit për vdekjen e Navalnyt më 16 shkurt, 2024, disa llogari në “X” kanë shpërndarë një fotografi të vjetër të Navalnayas bashkë me një person në një plazh.

    “Gruaja e Navalnyt ka vazhduar”, shkruante në këtë postim e datës 16 shkurt 2024.

    “Unë dhe i dashuri im i ri jemi të shkatërruar nga vdekja e bashkëshortit tim”, thuhej në një postim të nesërmen.

    Postimi me përshkrim të rremë në “X”, duke u përdorur një fotografi e vjetër
    Postimi me përshkrim të rremë në “X”, duke u përdorur një fotografi e vjetër

    Postime të ngjashme me të njëjtën fotografi, janë shpërndarë edhe në gjuhët franceze, italiane dhe gjermane, përveç asaj ruse.

    Fotografia e Navalnayas në plazh nuk është e kohëve të fundit. Kjo fotografi është publikuar nga Yevgeny Chichvarkin, miliarder rus, i cili jeton në ekzil. Ai e publikoi fotografinë më 17 gusht 2021.

    “Me zonjën e parë të Rusisë së bukur të së ardhmes @yulia_navalnaya. Liri @navalny”, thuhej në përshkrimin e fotografisë, e cila sipas publikuesit Chichvarkin ishte realizuar në qytetin Jurmala të Letonisë.

    Postimi origjinal i publikuar në vitin 2021

    Tani tregtar verërash, Chichvarkin është shndërruar në kritik të madh të Putinit. Revista “Time” kishte raportuar se ai ia ka dhënë Navalnyt më shumë se 100 mijë dollarë për betejën e tij politike.

    Llogaritë në rrjetet sociale kishin bërë montazh edhe një tjetër fotografi të Chichvarkin duke përqafuar Navalnayan. Kjo fotografi është shpërndarë nga përdoruesit në gjuhën angleze, gjermane, portugeze, japoneze, ruse dhe tajlandeze.

    “Navalny duke u lëkundër në varrin e tij tani. Bashkëshortja e tij dhe i dashuri i saj i ri duke i shprehur ngushëllime”, thuhej në postimin i pubikuar pas vdekjes së Navalnyt.

    Fotografi e montuar e gruas së Navalny gjoja duke e përqafuar një burrë tjetër, pak ditë pas vdekjes së opozitarit rus në burg

    Kjo fotografi ka qarkulluar të paktën që prej vitit 2021. Fotografia e vërtetë është shkrepur nga agjencia e lajmeve AFP më 19 korrik të vitit 2013. Në këtë fotografi shihet Navalnaya duke përqafuar bashkëshortin e saj pas lirimit nga burgu.

    Përpjekjet për të lidhur Navalnayan me burra të tjerë përveç bashkëshortit të saj – përfshirë Chichvarkin – janë cak i fushatës së përsëritur definformuese të nisura nga faqet e tilla si pravda-fr.com, pravda-en.com dhe pravda-de.com.

    Sipas organizatës franceze që lufton ndërhyrjet e huaja digjitale “Viginum”, këto domene i përkasin rrjetit të koordinuar që shpërndanë propagandën ruse në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Fotografia e vërtetë ku shihen Navalny dhe gruaja e tij duke u përqafuar pas lirimit të tij në vitin 2013

    *Verifikimi i fakteve” realizohet në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”. Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit. Projekti implementimet në partneritet me mediumin “Front Online”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!