×
  • Lajme
  • Fact Check

    (Pa)Punësimi në Kosovë: Anomalitë pas statistikave

    Autor:Egzona Krasniqi
    23 Tetor 2024 | 13:15
    Fotografi ilustruese nga arkiva: Bizneset në Prishtinë, në kërkim të punëtorëve. | Foto: Bujar Terstena (RFE/RL)

    Ndër sukseset më të promovuara të qeverisë Kurti gjatë mandatit që po i afrohet fundit, ka qenë rritja e punësimit Kosovë. Në një postim të 20 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje në Facebook promovoi edhe njëherë uljen e shkallës së papunësimit nga 25.9% në 10.9%, gjë që sipas tyre, ka ardhur me shtimin e 78,427 vendeve të reja të punës.

    Postimi: 

    Analiza:

    Gjatë periudhës 2021-2024, shifrat e punësimit kanë qenë objekt debatesh të shumta për shkak të disa anomalive të vërejtura në këto statistika. Ekspertët ekonomikë kanë shprehur skepticizëm lidhur me rënien e shpejtë të normës së papunësisë, duke theksuar se ky zhvillim mund të mos jetë rezultat i drejtpërdrejtë i krijimit të vendeve të reja të punës, por mund të lidhet me faktorë të tjerë.

    Kurti filloi mandatin një vit pas goditjes së rëndë ekonomike që pandemia i shkaktoi vendit, kur shumë biznese u detyruan të mbyllen si rezultat i masave kufizuese. Për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike, qeveria zbatoi një paketë mbështetëse në vitet 2021 dhe 2022, e cila përfshinte masa për sektorin privat. Për të përfituar nga asistenca financiare, shumë biznese u detyruan të formalizonin punëtorët që deri atëherë punonin pa kontrata. Ky formalizim çoi në rritjen e numrit të vendeve të punës, por jo të vendeve të reja, pasi shumica e tyre tashmë ekzistonin.

    Ekonomistët gjithashtu theksojnë ndikimin e migrimit të fuqisë punëtore në uljen e papunësisë që e ka ulur numrin e të papunëve. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 43,000 persona migruan vetëm në vitin 2021, çka ndihmoi në uljen e numrit të përgjithshëm të papunësisë.

    Një raport i Bankës Botërore, i publikuar më 17 tetor, që analizon zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor, ka nxitur diskutime të mëtejshme në debatin publik. Sipas raportit, Kosova vazhdon të kryesojë në rajon për nivelin e lartë të papunësisë. Në vitin 2023, vetëm 40.7% e popullsisë aktive ishte e punësuar, ndërsa fuqia punëtore po tkurret për shkak të migrimit. Megjithatë, ky raport nuk solli ndonjë të dhënë të re — statistikat e paraqitura bazohen në të dhënat e ASK-së, dhe niveli i punësimit prej 40.7% ka qenë i disponueshëm prej një kohe të gjatë.​

    Sipas ASK, shkalla e popullsisë ekonomikisht jo aktive në moshë pune nuk është ulur në mënyrë të ndjeshme në katër vitet e fundit. Në vitin 2019, 59.5% e popullsisë ishte jo aktive; në vitin 2020, ky numër u rrit në 61.7%, teksa në vitin 2021 shënoi një rënie të lehtë në 60.7%, pasuar nga një ngritje e sërishme në 61.4% në vitin 2022, për të rënë në 59.3% në vitin 2023. Nëse e krahasojmë ndryshimin në përqindje mes vitit 2021 dhe 2023, rezulton se ka një rënie prej 1.4%. Me këtë ndryshim të përqindjes, në një popullsi prej 1.6 milionësh, rreth 22,400 persona janë bërë ekonomikisht aktivë.

    Gjithashtu, raporti thekson se shumë prej punëtorëve të punësuar janë të varfër dhe përballen me paga të ulëta dhe kapacitete të kufizuara të kapitalit njerëzor. Kjo gjendje përkeqësohet nga pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, sidomos ndër gratë, që ndikohet nga paga minimale dhe mundësitë e kufizuara, duke përfshirë migrimin.

    Këto gjetje janë në kontrast me sukseset e pretenduara nga qeveria. Qeveria po ashtu përdori gjetjet e Barometrit Ballkanik 2024, që gjeti se vetëm 4% të 1,000 respodentëve në Kosovë ishin të papunësuar. Megjithatë, Barometri Ballkanik, po ashtu shfaqi se mbi 50% e respodentëve ishin të pakënaqur me gjendjen ekonomike në Kosovë.

    E papunësia ndërkohë, vazhdon të mbetet e para ndër tri shqetësimet kryesore të qytetarëve të Kosovës sipas Anketës së Pulsi Publik të UNDP. Në anketën e 27-të të realizuar në maj 2024, papunësia ndoqi trendin e anketave të mëparshme si një shqetësimi kryesor i mbi 1,300 respodentëve të anketuar.

    Ekspertët ekonomikë ndërkohë kanë vënë në pikëpyetje statistikat e promovuara nga qeveria gjatë këtyre tri viteve. Vitin e kaluar, eksperti Edison Jakurti tha se statistikat zyrtare janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ai ka thënë se për rreth 2 vjet e gjysmë, sipas ASK, janë punësuar rreth 34,000 persona në Kosovë, ndërsa për të njëjtën periudhë, numri i të papunëve ka rënë në rreth 80,000.

    “Një fenomen interesant që po ndodhë në tregun e punës: nëse e shohim sa njerëz janë punësuar nga marsi 2021 deri në nëntor 2023, janë rreth 34,000 më shumë të punësuar në Kosovë. Ndërsa nëse e shohim te ASK-ja se sa është numri i të papunëve, është zbritje prej rreth 80,000. D.m.th., norma e papunësisë në Kosovë është zbritur në rreth 11%. Pra, në tremujorin e parë të 2023, Kosova ka normë më të ulët të papunësisë sesa Spanja. Çka ka ndodhë me këta persona? I kemi punësuar rreth 34,000, por 80,000 më nuk janë të papunësuar – nuk janë as joaktivë e as aktivë. Një numër i madh prej tyre janë larguar nga Kosova”, deklaroi Jakurti.

    Edhe ekonomisti tjetër, Albian Krasniqi, kishtë tërhequr vërejtjen për anomali në të dhënat zyrtare të punësimit. Sipas tij, në vitin 2021, shkalla e papunësisë u raportua zyrtarisht të ishte mbi 20%. Megjithatë, pas një periudhe të gjatë pa raportime, ASK tregoi se papunësia kishte rënë ndjeshëm me pothuajse 50%, që është e barabartë me rreth nëntë pikë përqindjeje — pra, në rreth 11%. Sipas Krasniqit, nëse me të vërtetë ka pasur një përmirësim të ndjeshëm në tregun e punës, do të pritej që këto përmirësime të reflektoheshin në gjetjet e Anketës së Pulsi Publik, por në kundërshtim me pritshmëritë logjike, anketa zbulon se njerëzit ende e perceptojnë papunësinë si shqetësimin e tyre kryesor.

    Rënia e papunësisë së të rinjve është një tjetër çështje që ka ngjallur skeptikë. Në vitin 2020, papunësia e të rinjve në Kosovë ishte 49.1%, më e larta në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në vitin 2022, ajo ra në vetëm 21.4%.

    “Ndërsa modelet e migrimit brenda kësaj grupmoshe mund të shpjegojnë pjesërisht këtë rënie, është e vështirë të injorohet skepticizmi në lidhje me saktësinë e këtyre shifrave”, thoshte Krasniqi.

    *Verifikimi i fakteve” mundësohet përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë për gazetën online Reporteri.net, për projektin “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet jo-shumicë në Kosovë II”. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!