×
Fact Check

Përhapja e dezinformatave dhe teorive konspirative ndaj komuniteteve LGBTIQA+ në Kosovë

Autor:Gent Mehmeti
08 Maj 2024 | 15:25

Rasti

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi në emisionin “Pressing” të televizionit T7 me temën: “Martesat mes të njëjtës gjini, Kurti nxitë reagime”, më 29 prill 2024, ka përhapur dezinformata dhe teori konspirative ndaj komuniteteve LGBTIQA+, pas paralajmërimeve se projekt-ligji i ri Kodi Civil të Kosovës mund të dërgohet për votim në Kuvend. Ndër-tjera, Kelmendi homoseksualitetin e paraqiti si “shfrenim psikik”, tha se martesat mes personave të gjinisë së njëjtë shkatërrojnë familjen dhe se personat e seksit të njëjtë përhapin sëmundje. Raportet dhe studimet kredibile e organizatave kompetente nuk përputhen me deklarimet e ish-deputetit kosovar.

Deklaratat

“Vendet e Bashkimit Evropian janë viktimë e projektit sionist shumëvjeçar që të lejohen martesat e gjinisë së njëjtë dhe për pasojë të ketë shkatërrimin e familjes, shtetit dhe natalitetit”,Gëzim Kelmendi, emisioni “Pressing”, 29 prill 2024.

Një ndër superfuqitë e BE-së, siç është Italia, konkretisht kryeministrja Georgia Meloni i ka parë pasojat e këtij projekti dhe ka nisur iniciativa ligjore për zhbërjen e këtij projektligji mes martesës së gjinisë së njëjtë, ngase po rrezikohet shteti, po zhduk popullin e saj. Kështu që edhe vendet e BE-së do të shkojnë rrugës së Italisë me qëllim që kjo popullatë të ruajë shtetin e tyre” – Gëzim Kelmendi, emisioni “Pressing”, 29 prill 2024.

Kryeministri dëshiron të arrijë balancën me partnerët dhe dëshiron të zbusë tensionet duke lansuar projektligje që afrohet me ta dhe duke shkatërruar vendin e vet. Parlamenti e ka për detyrë që të nxjerrë ligje që kontribuojnë shtetit dhe qytetarëve në përgjithësi dhe jo pasioneve seksuale. Kryeministri është vënë në shërbim të epsheve seksuale të kategorive të caktuara sesa të ardhmes së këtij vendi”, – Gëzim Kelmendi, emisioni “Pressing”, 29 prill 2024.

Në katër pika është e dëmshme pasionet seksuale të komunitetit LGBTQ+: E para; janë bartësit kryesorë, pra 73 deri në 77 për qind të sëmundjeve të HIV/AIDS-it. Bartësit kryesorë të sëmundjeve seksuale HIV/AIDS. E dyta; Në shumicën e vendeve të BE-së, për të mos thënë të gjitha, e kanë të ndaluar të dhurojnë gjak, përjashtimisht kanë nisur disa vende më liberale. Vendet si Anglia kanë bërë tolerime me kusht se këta mund të dhurojnë gjak, por nëse nuk kanë kryer akte seksuale. E treta; Këta e rrezikojnë të ardhmen e fëmijëve, sepse këta pastaj kanë të drejtë të adoptojnë fëmijë. Do të thotë i shkatërrojnë të drejtat themelore të fëmijëve. Fëmijëve u mundësojnë të rriten me dy baballarë, ose dy nëna. E katërta; Këta e zhdukin popullin e Kosovës”, – Gëzim Kelmendi, emisioni “Pressing”, 29 prill 202.

Marrëdhënia seksuale mes dy meshkujve është më shumë se amoralitet, është shfrenim psikik. Aspekti fetar e ndalon strikt, unë fola në aspektin shkencor, mjekësia deri në vitet ’90 homoseksualizmin e ka trajtuar si çrregullim psikik, ashtu e kam dhënë provimin e fundit në mjekësinë ligjore”, – Gëzim Kelmendi, emisioni “Pressing”, 29 prill 202/Gazeta Express.

Sionistët kanë pasur projekte gjithmonë që synojnë cenimin e shoqërisë dhe familjes dhe kanë atakuar vendet islame dhe të krishtera. Vendet e krishtera e kanë përqafuar në tërësi këtë projekt, ndërsa vendet islame pjesërisht i kanë përqafuar projektet sioniste, ndërsa vendet e tjera ortodokse si Rusia dhe të tjerat janë larg ndikimit sionist, sepse u kanë dhënë prioritet familjes, shoqërisë, shtetit dhe popullit. Nuk kanë dhënë prioritet projekteve sioniste të cilat është dëshmuar me vite dhe dekada me radhë që kanë qenë projekte të dëmshme dhe ka reflektuar me shkatërrim të gjeneratave  dhe zhdukjen e popullsisë, rënie të natalitetit në terminologjinë shëndetësore”, – Gëzim Kelmendi, emisioni “Pressing”, 29 prill 2024.

Klasifikimi: Dezinformatë dhe teori konspirative

Ish-deputeti Gëzim Kelmendi me deklaratat e tij në emisionin “Pressing” më 29 prill, se pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+ përhapin sëmundjet seksuale siç janë HIV/AIDS, se nuk mund të dhurojnë gjak, se do të shkatërrojnë të drejtat themelore të fëmijëve dhe se do të zhdukin popullin e Kosovës, ka përhapur dezinformata dhe teori konspirative.

Dezinformimi është përmbajtje qëllimisht e rrejshme dhe e krijuar për të shkaktuar dëme. Dezinformimi shkaktohet nga tre faktorë: motivi financiar, motivi politik, qoftë i huaj apo i brendshëm.

Teori konspirative është besimi se ngjarje ose situata të caktuara manipulohen në fshehtësi prapa skenave nga forca të fuqishme me qëllime negative. Teoritë konspirative kanë disa gjëra të përbashkëta: skenar sekret apo të supozuar, grup të konspiratorëve, “prova” që duket se përkrahin teorinë konspirative, rrejshëm argumentojnë se asgjë nuk ndodh rastësisht dhe se nuk ka koincidencë; asgjë nuk është ashtu siç duket dhe se gjërat janë të lidhura, teoritë konspirative e ndajnë botën në të mirë dhe në të keqe, ato shfajësojnë njerëz dhe grupe të caktuara.

Arsyetimi dhe faktet

Kryetari i partisë “Fjala” me qëndrime të djathta-konservatore, Gëzim Kelmendi, i cili ka shërbyer si deputet në dy mandate mes viteve 2010-2015, në emisionin “Pressing” në T7, ka deklaruar se marrëdhënia seksuale me dy meshkujve është më shumë se amoralitet, se është shfrenim psikik. Ai ka shtuar se aspekti fetar e ndalon strikt këtë marrëdhënie. Ai ka deklaruar se mjekësia deri në vitet ’90 homoseksualizmin e ka trajtuar si çrregullim psikik.

Mes viteve 1948 dhe 1990, Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikonte homoseksualitetin si hendikep mendor, por më 17 maj të vitit 1990 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara deklaroi se homoseksualiteti nuk ishte sëmundje, shqetësim apo perversion. Ndërkaq Organizata PanAmerikane e Shëndetësisë ka deklaruar se tani është konsensus i gjerë se homoseksualiteti është variant natyror i seksualitetit njerëzor dhe nuk mund të konsiderohet as si çrregullim patologjik.

Kelmendi gjithashtu ka thënë se homoseksualët janë bartësit kryesorë të sëmundjeve seksuale. Sipas tij, ata janë fajtorë për 73 deri në 77 për qind të sëmundjeve të HIV/AIDS-it.

Mirëpo Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (CDC) kanë deklaruar se sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë rritur në mesin e homoseksualëve dhe biseksualë, me rritjen e rasteve të sifilizit në SHBA.

CDC-ja nuk ofron përqindje se homoseksualët janë bartës të sëmundjeve të HIV/AIDS-it. Ndërkaq, sifilizi përmendet si një prej sëmundjeve që po rritet sipas rasteve. Sifilizi transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual. Faktorët kryesorë të rrezikut janë: marrëdhënia seksuale pa mbrojtje dhe marrëdhënia seksuale me shumë partnerë.

CDC-ja ka deklaruar se sëmundjet si HIV-i, klamidia dhe gonorrea – përhapen nëpërmjet lëngjeve të trupit. HIV-i dhe Hepatiti B, përhapen gjithashtu nëpërmjet gjakut. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (Sexually Transmitted Diseases), sipas CDC-së, përhapen përmes kontaktit seksual me dikë që ka STD.

Kelmendi në emisionin “Pressing” gjithashtu ka thënë se në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, homoseksualët e kanë të ndaluar të dhurojnë gjak.

Federata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe në udhëzimet e fundit për dhurim të gjakut gjatë vitit 2020, ka deklaruar se nuk ka ndonjë kriter për burrat që kryejnë marrëdhënie me burrat.

Kryqi i Kuq amerikan duke iu referuar udhëzimeve të FDA-së, saktëson se pa marrë parasysh gjinisë apo orientimit seksual, personat që kanë pasur partner të ri apo partnerë seksualë në tre muajt e fundit dhe që gjatë kësaj periudhe kohore kanë kryer seks anal, do t’u kërkohet që të presin tre muaj për të dhuruar gjak nga kontakti i fundit seksual. Individët që kanë pasur seks anal në tre muajt e fundit mund të dhurojnë gjak nëse nuk kanë kryer marrëdhënie me dikë të ri apo më shumë partnerë gjatë të njëjtës periudhë kohore.

Kelmendi gjithashtu ka thënë se “homoseksualët e rrezikojnë të ardhmen e fëmijëve” dhe se martesat mes gjinive të njejta do “e zhdukin popullin e Kosovës”.

Deri më tani në Kosovë nuk është raportuar për çift të LGBTQIA+ që ka adoptuar fëmijë dhe nuk ka ndonjë studim që tregon se prindërit homoseksualë shkatërrojnë të drejtat e fëmijëve.

Gjithashtu nuk është raportuar se ka pasur rënie të natalitetit apo zhdukje të popullit të Kosovës nga komuniteti LGBTIQA+.

Në SHBA lejohet adoptimi i fëmijëve nga çiftet e së njëjtës gjini. Në një studim thuhet se 3 deri në 4 për qind e të gjitha adoptimeve në SHBA janë nga prindërit gay apo lesbike.

Ish-deputeti Kelmendi, nder-tjera, gjatë debatit ka thënë se Sionistët kanë pasur projekte që synojnë cenimin e shoqërisë dhe familjes dhe se kanë atakuar vendet islame dhe të krishtera. Mirëpo, sionizmi është lëvizje nacionaliste e cila u shfaq në shekullin e XIX për të përkrahur krijimin e shtetit hebre. Pas krijimit të Izraelit sionizmi është bërë ideologji që mbështet zhvillimin dhe mbrojtjen e shtetit të Izraelit.

Debati për martesat mes gjinisë së njejtë në Kosovë u rihap javë që shkoi pasi Kryeministri i Kosovës, në një konferencë të partive socialdemokrate në Berlin të Gjermanisë, ka deklaruar se së shpejti do të votohet Kodi i ri Civil nëpërmjet të cilit do të lejohen këto martesa.

“Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë të Malit të Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtojë një shumicë parlamentare – dhe do të bëjë thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbështetjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

*Verifikimi i fakteve” realizohet në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”. Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit. Projekti implementimet në partneritet me mediumin “Front Online”.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!