×
  • Lajme
  • Fokus 2 / Ish-kryetari

    Enver Hasani komenton aktgjykimin e Kushtetueses: Procedurat janë të qarta, nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u konstituuar Kuvendi

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 22:14
    Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Fotografi nga arkivi.

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka komentuar aktgjykimin e publikuar sot nga kjo gjykatë, i cili obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që brenda 30 ditëve ta përfundojnë konstituimin e tij përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve.

    Sipas Hasanit, Gjykata ka rikonfirmuar qartë parimet e vendosura me aktgjykimin e vitit 2014 dhe ka vendosur një afat të prerë kushtetues për përmbylljen e këtij procesi.

    “Gjykata Kushtetuese e ka rikonfirmuar aktgjykimin e 2014-tës dhe ka përcaktuar një afat 30-ditor. Pas atyre 30 ditëve nuk mund të shkohet në zgjedhje, sepse nuk mund të ketë zgjedhje pa pasur Kuvend të konstituuar. Po të ndodhte ndryshe, atëherë do të futeshim në Librin e Ginisit,”, deklaroi Hasani në Debat Plus, tranesmeton gazeta online Reporteri.net.

    Ai shtoi se Gjykata ka bërë shumë të qarta rregullat që rregullojnë konstituimin e Kuvendit, duke u bazuar në Kushtetutë, Rregulloren e Punës dhe praktikat parlamentare të deritanishme.

    “Gjykata ka thënë me dy fjalë se procedurat e konstituimit të Kuvendit përcaktohen nga Kushtetuta, rregullorja dhe praktika parlamentare deri më sot. Dhe deri sot nuk ka pasur asnjëherë votim të fshehtë – as para pavarësisë. Nuk ka pasur as devijim nga agjenda. Procedurat janë të pastra si loti dhe janë përcaktuar me 8 Prill,”, theksoi Hasani.

    Sot, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

    Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë.

    Seanca konstituive, e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 37 vazhdime të saj – por, deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

    Në vendim, Kushtetuesja tha se seanca konstituive e nisur më 15 prill konsiderohet e papërfunduar për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët.

    Sipas Kushtetueses, në bazë të nenit 66 të Kushtetutës (Zgjedhja dhe Mandati), kjo seancë është dashur të përmbyllet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.

    Më 27 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    “Gjykata theksoi se seanca konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues dhe si i tillë realizohet vetëm pas përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve”, u tha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!