Gazeta online Reporteri.net ka siguruar dokumentin që e dëshmon se ish-polici i njësive speciale Arbnor Spahiu kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës një vit para se të ndodhte sulmi terrorist në Banjskë.
Sipas dokumentit që ka siguruar Reporteri, Spahiu kishte dhënë dorëheqje më 1 tetor të vitit 2022.
Ndonëse kishte dhënë dorëheqje një vit para rastit, atij iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, me akuzën për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në Banjskë, ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023.
“Pas shqyrtimit të kërkesës për dorëheqje të vet zyrtarit të lartcekur datë: 1.10.2022 ku arsyet e dorëheqjes janë kushtet e punës, të ardhurat dhe Bashkim familjar, aprovimin e Drejtorit të Divizionit të Personelit dhe Administrata datë, 1.11.2022, Drejtoria e Personelit vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.”, thuhet në arsyetim të vendimit.
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas arrestimit të ish-policit Arbnor Spahiu, nga Serbia.
Osmani ka thënë se Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare, shkruan Reporteri.net.
“Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka thënë se përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, ka kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së.
“Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti”, ka shkruar Osmani.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë angazhuar maksimalisht që ish-polici Arbnor Spahiu të lirohet sa më parë, që prej momentit të arrestimit të tij para dy ditësh në pikën kufitare Hungari-Serbi, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se nuk do të pranojnë që të normalizohet kjo sjellje e Serbisë karshi qytetarëve të Kosovës.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, ka shkruar Kurti, teksa ka shpërndarë reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, A. Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë.
Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, ndonëse, avokati i tij, Arianit Koci, kishte thënë se Spahiu nuk është pjesë e Policisë tash e 3 vjet.
Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.
Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.
Por, duke folur një ditë më herët për gazetarët në Prishtinë, Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.
Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë nuk u është përgjigjur pyetjeve të mediumit në lidhje me këtë rast dhe me pretendimet e avokatit.
As Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes se kur është larguar Spahiu nga shërbimi.
Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.
Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.
Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.
Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.
Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd. /Reporteri.net