Izraeli ka rifilluar sulmet ajrore në Iran dhe ka goditur objektin bërthamor të fortifikuar të Fordow, raportojnë The New York Times dhe mediat iraniane.
Shpërthime janë dëgjuar në disa zona të ndryshme të kryeqytetit Teheran.
Ndërkohë sapo ka reaguar edhe kreu i ri i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, pasi paraardhësi i tij u vra në sulmet ajrore izraelite gjatë natës.
Mohammad Pakpour thotë se Izraeli do të “vuajë një fat të hidhur dhe të dhimbshëm me pasoja të mëdha dhe shkatërruese”.
Deklarata shton se Irani do të “hakmerret” për të vrarët në sulm dhe vazhdon duke thënë se Izraeli po “shkel sigurinë kombëtare dhe integritetin territorial” të vendit.
Të paktën 78 persona janë vrarë dhe 329 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore që goditën zonat e banuara në Teheran, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Nourneës.
Në sulmet e para, u eliminuan Komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, Hossein Salami; Komandanti i Shtabit Qendror të Khatam-al Anbiya, Gholamali Rashid; Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, dhe dy shkencëtarët Fereydoon Abbasi dhe Mohammad Mahdi Tehranchi. Në sulmet e reja u vra edhe drejtuesi i Forcave Ajrore të Gardës, Amir Ali Hajizadeh.
Të paktën 6 baza u goditën rreth Teheranit, përfshirë bazën Parchin, një kompleks prodhimi raketash, ku dyshohet se në të kaluarën janë përfshirë edhe teste bërthamore. Avionët luftarakë izraelitë goditën centralin bërthamor Natanz, në jug të Teheranit, por edhe disa pozicione ushtarake të vendosura në periferi të kryeqytetit. Përveç Tabrizit, në veriperëndim ku ndodhen rafineritë kryesore, u sulmuan edhe qytetet e Esfahanit, Arakut dhe Kermanshahit. Sulme të reja u raportuan edhe në Kermanshah, në perëndim të vendit si edhe në centralin bërthamor të Natanzit, i goditur edhe më herët.
Irani thotë se midis të vdekurve ka edhe civilë, përfshirë fëmijë. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka kërcënuar se hakmarrja do të jetë e ashpër. Nga ana tjetër, Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Ka mbyllur hapësirën ajrore ndërsa raportohet se mund të mbyllë edhe ambasadat e saj në botë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se goditën “zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit dhe përpjekjet e tij për të zhvilluar një armë bërthamore”, duke shtuar se shënjestër ishte impianti kryesor të pasurimit të Iranit në Natanz. SHBA ka deklaruar se nuk është e përfshirë në sulm.
Ndërkohë, mbrojtja e Shtetit të Izraelit (IDF) njoftoi se shkatërruan dhjetëra lëshues raketash, objekte magazinimi dhe vende të tjera ushtarake në Iranin perëndimor.