Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me vendimin e paprecedent të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos akredituar një numër mediash për përcjelljen e Zgjedhjeve Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, mes tyre edhe gazetën online Reporteri.net

Në reagim thuhet se institucioni është duke përcjellë me vëmendje situatën dhe ka hapur hetime sipas detyrës zyrtare lidhur me këtë çështje.

“Duke e njohur rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që përçojnë vullnetin politik të qytetarëve dhe garantojnë përfaqësimin demokratik, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen në vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, që bazohen në parimet e lirisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit dhe mosdiskriminimit,” – thuhet në reagim.

Reklamë

Avokati i Popullit thekson rëndësinë dhe rolin kyç të mediave dhe pluralizmit medial në informimin e opinionit publik dhe në garantimin e transparencës së procesit zgjedhor.

Ky institucion inkurajon mediat e prekura nga vendimet e KQZ-së që të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion, ndërsa paralajmëron se do të ndjekë nga afër zhvillimet për të siguruar respektimin e standardeve demokratike.

Në fund, Avokati i Popullit rikujton autoritetet se pa proces zgjedhor që respekton standardet e demokracisë, nuk mund të ketë respekt të vërtetë të të drejtave të njeriut, po ashtu pa respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të pranueshme e të besueshme.