Pavarësisht konflikteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, tregjet financiare ndërkombëtare po reagojnë jashtë pritshmërive, duke ardhur në rritje.
Çmimi i naftës Brent ka rënë me 7%, duke u stabilizuar në 71 dollarë për fuçi, ndërsa edhe çmimi i gazit në Evropë ka shënuar rënie të lehtë prej 0.7%. Ari, shpesh konsideruar si strehë e sigurt në kohë krizash, ka mbetur i qëndrueshëm, ndërkohë që obligacionet qeveritare në SHBA, Britani dhe eurozonë po regjistrojnë rendimente më të ulëta, duke reflektuar njëfarë lehtësimi, raporton Corriere della Serra.
Kjo ndodh në një moment kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt me dy superfuqi të Lindjes së Mesme, ndërsa 408 kilogramë uranium i pasuruar janë zhdukur dhe mund të përdoren për ndërtimin e disa bombave të rrezikshme. Në sfond, Donald Trump ka rritur detyrimet financiare të SHBA në nivelet më të larta që nga viti 1940, dhe negociatat tregtare me fuqitë e tjera ekonomike globale po zhvillohen në heshtje.
Pse nuk frikësohen tregjet?
Një arsye kryesore është reagimi i kontrolluar i Iranit. Pasi bombarduesit amerikanë B-2 goditën objektet bërthamore iraniane, shumë analistë prisnin një hakmarrje të ashpër. Por Teherani reagoi simbolikisht, njësoj si pas vrasjes së gjeneralit Soleimani në vitin 2020, duke lëshuar raketa në baza amerikane pa shkaktuar dëme të mëdha. Kjo shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm dhe nuk u mor asnjë hap për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit.
Aleatë në treg: Teknologjia dhe lufta
Siç raporton Corriere della Sera, investitorët kishin parashikuar këtë skenar dhe nuk u kapën në befasi. Ata jo vetëm që shmangën panikun, por po përfitojnë nga teknologjia. Kompanitë si Nvidia, gjiganti i gjysmëpërçuesve dhe inteligjencës artificiale, kanë shënuar rritje marramendëse prej 44% që nga prilli, duke shtuar rreth 1,500 miliardë dollarë në kapitalizim.
Investitorët dhe dëshira për luftë
Një tjetër faktor që po e mban Wall Street në vlera pozitive është shtytja për prodhim ushtarak, pasi historikisht, tregjet kanë përjetuar rritje edhe gjatë konflikteve të mëdha: gjatë Luftës së Dytë Botërore, Wall Street u rrit me 76% ndërsa trupat amerikane ishin në Evropë.
Sot, investitorët po qëndrojnë të pozicionuar: do të reagojnë nëse kriza thellohet, por nuk do të ndëshkojnë tregjet paraprakisht. Për më tepër, elita politike iraniane është e paqëndrueshme dhe e ndarë mes krahut që kërkon kompromis dhe elementëve radikalë, çka e bën çdo parashikim shumë të pasigurt.
Rritja e bursave, ulja e frikës?
Indeksi S&P 500 është vetëm 2% poshtë rekordit historik, pasi ka rikuperuar 20% që nga prilli. Në Evropë, bursat mbeten pranë niveleve më të larta, edhe pse me lëkundje të lehta. Për shembull, indeksi FTSE-MIB në Milano u mbyll me një rënie modeste prej 1%, vetëm një ditë pas sulmeve të SHBA ndaj Iranit.
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Holandë për Samitin e NATO’s, që do të vazhdojë edhe nesër.
Ky është një takim i planifikuar, dhe pika më e rëndësishme në rendin e ditës është një plan për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Megjithatë, liderët kanë diskutuar gjithashtu edhe situatën në Lindjen e Mesme, shkruan BBC, përcjell Reporteri.net.
Sipas Zyrës së Kryeministrit britanik (Downing Street), gjatë një takimi mes Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelarit gjerman Friedrich Merz, liderët “reflektuan mbi situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme” dhe ranë dakord se “tani është momenti për diplomaci dhe që Irani të ulet në tryezën e negociatave.”
Pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim, palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe kanë shkëmbyer sulme.
Presidenti Trump është shprehur i mllefosur me të dyja palët dhe më pas ka biseduar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Zyrtarë të të dyja vendeve – Izraelit dhe Iranit – e kanë pranuar ndërkohë marrëveshjen për armëpushim dhe kanë thënë se po e zbatojnë.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian e ka lëshuar një deklaratë duke pranuar armëpushimin me Izraelin, sipas medias shtetërore.
Pezeshkian ka thënë se konflikti i është “imponuar” Iranit nga “aventurat” e Izraelit, dhe ka pretenduar se “populli i Iranit” është i vendosur për përfundim të “luftës 12-ditore”.
Ushtria izraelite e ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës e pranon armëpushimin me Iranin dhe ka thënë se “fokusi tani zhvendoset sërish në Gazë”.
Gjenerali Eyal Zamir ka thënë se ushtria ka kryer “fazë të rëndësishme, por fushata kundër Iranit nuk ka përfunduar”.
“Po hyjmë në një fazë të re, të bazuar në arritjet e fazës aktuale. Kemi kthyer mbrapsht me vite projektin bërthamor të Iranit dhe e njëjta vlen për programin e tij raketor”, ka thënë ai.
Gjenerali Zamir i ka përshkruar veprimet e ushtrisë izraelite si “arritje fenomenale”.
Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Irani nuk mund të ketë armë
bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.
Në konflikt janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara më 22 qershor, duke sulmuar qendrat bërthamore të Iranit.
Si kundërpërgjigje, Irani ka nisur të nesërmen raketa drejt bazës ajrore amerikane në Katar, por raketat janë rrëzuar dhe nuk është plagosur askush./REL
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë se Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë”, raporton “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Këtë deklaratë Netanyahu e ka bërë në një videoadresim për izraelitët.
Duke e përshkruar luftën e tij kundër Iranit si një “fitore historike” që “do të mbahet mend për breza”, Netanyahu tha se Izraeli “duhet ta përfundojë” fushatën kundër Iranit, ta mposhtë Hamasin dhe për të lirojë pengjet e mbetura në Gaza, “si të gjallë ashtu edhe të vdekur.”/Reporteri.net
Presidenti Trump ka mbërritur në Amsterdam për samitin e NATO-s, ku pritet të takohet me 32 liderët e aleancës së sigurisë dhe të marrë pjesë në një darkë të organizuar nga mbreti i Holandës, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
Avioni i tij ka zbritur në aeroportin Schiphol të Amsterdamit pak pas orës 19:30 me orën lokale.
Në bordin e Air Force One, Trump raportohet se ka folur me gazetarët që e shoqërojnë dhe ka përgëzuar Izraelin për tërheqje nga goditjet e mëtejshme ndaj Iranit.
Ai gjithashtu u ka thënë gazetarëve se pret të zhvillojë një bisedë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në kuadër të samitit.
Ky është samiti i parë i NATO-s për Presidentin amerikan që nga viti 2019./Reporteri.net
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) Rafael Grossi ka thënë se mirëpret njoftimet e së martës për situatën në Iran.
“Rikthimi i bashkëpunimit me agjencinë është kyç për marrëveshje të suksesshme diplomatike për të zgjidhur mospajtimin për aktivitetet bërthamore të Iranit”, ka thënë Grossi.
Ai ka thënë se i ka shkruar ministrit të Jashtëm iranian për t’ia rikujtuar rëndësinë e punës së përbashkët dhe i ka propozuar një takim.
Inspektorët e agjencisë kanë mbetur në Iran përgjatë konfliktit dhe janë të gatshëm të nisin punën sa më shpejt që është e mundur, ka thënë organizata përmes një deklarate.
“Përgjatë këtyre sulmeve, ne kemi parë dëm të konsiderueshëm në disa qendra bërthamore në Iran, përfshirë objekte për pasurim të uraniumit”.
“Ne besojmë se ka pasur radioaktivitet të lokalizuar si dhe rrjedhje kimike brenda objekteve të goditura ku ka pasur material bërthamor – kryesisht uranium të pasuruar në grada të ndryshme – por që ende nuk ka raportime për rritje të nivelit të rrezatimit jashtë objektit”, ka thënë Grossi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një tjetër postim në rrjetin e tij social Truth Social, rreth marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit.
Trump ka thënë se të dyja vendet dëshironin që t’i jepnin fund luftës, teksa shtoi se ka qenë nder i madh për të që të shkatërronte objektet dhe kapacitetet bërthamore të Iranit, dhe pastaj ta ndalonte luftën, shkruan Reporteri.net.
“Si Izraeli, ashtu edhe Irani dëshiruan t’i jepnin fund luftës, në mënyrë të barabartë”, ka thënë ai. Ishte një nder i madh për mua të shkatërroja të gjitha objektet dhe kapacitetet bërthamore, dhe pastaj, TA NDALJA LUFTËN!”, ka shkruar Trump./Reporteri.net
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij do të respektojë armëpushimin e shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për aq kohë sa edhe Izraeli t’u përmbahet kushteve të tij. Lajmi raportohet nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Republikës Islamike (IRNA).
Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin e Malajzisë, Anwar Ibrahim, Pezeshkian u shpreh se “nëse Izraeli nuk e shkel armëpushimin, as Irani nuk do ta shkelë atë”.
“Populli iranian ka treguar edhe një herë se, pavarësisht disa problemeve dhe ankesave, do të qëndrojë i bashkuar kundër pushtimit të armikut deri në fund,” deklaroi presidenti iranian.
Kryeministri Sir Keir Starmer thotë se armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit “duhet të respektohet”.
“Ky është një mundësi për të siguruar stabilitetin e shumëpritur në Lindjen e Mesme. Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe tani duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe të punojë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thotë ai në një postim në X.
“Ky është mesazhi që po diskutoj me udhëheqës të tjerë në NATO sot”, shton Starmer, duke iu referuar samitit të NATO-s që po zhvillohet në Holandë.
Më herët gjatë ditës, Starmer tha se foli me emirin e Katarit në lidhje me sulmin iranian ndaj bazës amerikane.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump në Truth Social ka publikuar mesazhin e marrë nga shefi i NATO-së, Mark Rutte, i cili e përgëzon presidentin për marrjen e “veprimit vendimtar” në Iran, përcjell Reporteri.net.
“Z. President, i dashur Donald, urime dhe faleminderit për veprimin tuaj vendimtar në Iran – ishte vërtet jashtëzakonshëm dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte. Na bëre të gjithëve më të sigurt” shkruante Rutte në mesazh.
Nuk specifikohet qartë se për cilin veprim të presidentit amerikan po i referohet Rutte. Gjatë fundjavës, Trump urdhëroi një sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane, dhe në 24 orët e fundit ka ushtruar presion ndaj Izraelit dhe Iranit për të arritur një armëpushim.
Mesazhi vazhdon të lavdërojë Trump për presionin që i ka bërë vendeve të tjera anëtare të NATO-s për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen.
Trump është rrugës për në një samit të NATO-s në Holandë, ku do të takohet me Rutte dhe liderë të tjerë të bllokut të sigurisë me 32 vende anëtare.
/Reporteri.net/
Të paktën 606 persona janë vrarë në Iran që nga fillimi i sulmit të Izraelit më 13 qershor, përfshirë 107 vetëm të hënën, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit gjatë një takimi emergjent në Teheran të martën.
Ministria bëri të ditur se 95% e viktimave kanë ndërruar jetë në vendin e sulmit, ndërsa e hëna u cilësua si dita më vdekjeprurëse e konfliktit.
/Reporteri.net/
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka folur me gazetarët në bord të Air Force One, gjatë udhëtimit për në samitin e NATO-s në Holandë, përcjell Reporteri.net.
I pyetur nëse dëshiron ndryshim regjimi në Iran, presidenti tha: “Jo. Nëse do të kishte ndodhur, do të kishte ndodhur, por jo, unë nuk e dua atë. Do doja të shihja që gjithçka të qetësohej sa më shpejt.”
Ai shtoi: “Ndryshimi i regjimit sjell kaos, dhe në mënyrë ideale ne nuk duam të shohim kaq shumë kaos.”
/Reporteri.net/
Presidenti Donald Trump foli të martën në mëngjes me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ishte “jashtëzakonisht i vendosur dhe i drejtpërdrejtë”, tha një burim nga Shtëpia e Bardhë lidhur me atë që duhej bërë për të ruajtur armëpushimin, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
Sipas këtij burimi, Netanyahu e kuptoi seriozitetin e situatës dhe shqetësimet e Trump-it.
Trump, i cili ishte entuziast mbrëmjen e kaluar kur shpalli armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit, qëndroi zgjuar deri vonë për të ndjekur zhvillimet ndërsa marrëveshja pritej të hynte në fuqi.
Ai u bë gjithnjë e më i zemëruar kur besoi se të dyja vendet po shkelnin marrëveshjen, thanë disa burime për CNN — zemërim që u shfaq hapur teksa ai u nis për udhëtimin në samitin e NATO-s.
Për telefonatën, Netanyahu tha se Trump “shprehu mirënjohje të thellë për Izraelin” që kishte “arritur të gjitha objektivat e luftës”.
“Presidenti gjithashtu shprehu besimin e tij në stabilitetin e armëpushimit,” përfundon deklarata.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një postim të ri në Truth Social duke këmbëngulur se “armëpushimi është në fuqi”.
“Izraeli nuk do të sulmojë Iranin. Të gjithë aeroplanët do të kthehen dhe do të kthehen në shtëpi, ndërsa i bëjnë një ‘përshëndetje miqësore aeroplani’ Iranit. Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump.
Pak më parë, Trump akuzoi të dy vendet për shkelje të armëpushimit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se si Irani, ashtu edhe Izraeli, e kanë shkelur armëpushimin që ai kishte shpallur, përcjell Reporteri.net.
“Nuk jam i sigurt nëse e bënë me qëllim,” tha presidenti.
“Nuk më pëlqen fakti që Izraeli ndërhyri këtë mëngjes fare. Dhe do të shoh nëse mund ta ndal këtë.”
Ai shtoi gjithashtu se Irani “kurrë nuk do të rindërtojë kapacitetet e tij bërthamore” dhe theksoi se “nuk është i kënaqur as me Iranin.”
/Reporteri.net/
Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se si Izraeli ashtu edhe Irani shkelën armëpushimin.
Duke folur me gazetarët para se të nisej për në samitin e NATO-s në Hagë, Trump tha se Izraeli “u çaktivizua” menjëherë pasi ra dakord për marrëveshjen.
Lidhur me Iranin, Trump tha se kapacitetet bërthamore të vendit janë zhdukur dhe se nuk do ta rindërtojë kurrë programin e tij bërthamor.
Ndërsa pak më pas, Trump lëshoi një paralajmërim për Izraelin në platformën e tij Truth Social. Ai thotë se vendi nuk duhet të kryejë sulme.
“IZRAEL. MOS I HIDH ATO BOMBA. NËSE E BËN, ËSHTË NJË SHKELJE E MADHE. SILLNI PILOTËT TUAJ NË SHTËPI, TANI!”, shkroi ai. /Reporteri.net/
Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, mbajti një konferencë për shtyp pas sulmit që Irani kreu dje ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar.
Ky sulm erdhi si përgjigje ndaj sulmeve të Amerikës ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Kryeministri shprehu habinë e tij, duke e cilësuar sulmin si një veprim të papritur nga një “vend fqinj dhe vëlla”, dhe tha se forcat e armatosura të Katarit kanë arritur të pengojnë sulme të tjera.
“Ka shumë sulme të papranueshme ndaj vendeve të ndryshme”, theksoi ai. “Këto veprime të papërgjegjshme mund ta çojnë rajonin në një situatë më të vështirë”.
Al Thani nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe inkurajoi palët, amerikanët dhe iranianët, që të kthehen “në tryezën e negociatave” për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve në rajon.
Autoritetet izraelite kanë publikuar një imazh që pretendohet të jetë i një rakete iraniane të lëshuar gjatë kohës së armëpushimit.
Në përshkrimin e publikuar bashkë me imazhin thuhet: “Irani vazhdon të tregojë natyrën e tij të vërtetë si një shtet terrorist dhe kërcënim për rajonin.”
Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian raportoi se Teherani i ka mohuar këto akuza, duke theksuar se nuk ka shkelur asnjë marrëveshje armëpushimi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei deklaroi se sulmi i së hënës ndaj bazës ushtarake Al Udeid, e menaxhuar nga SHBA-të, “nuk ka asnjë lidhje” me Katarin.
Edhe pse baza ndodhet në territorin e Katarit, Esmail Baghaei theksoi se veprimet e Iranit ishin një “akt vetëmbrojtjeje”.
“Irani mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj politikës së fqinjësisë së mirë me Shtetin e Katarit dhe vendet e tjera fqinje,” shkroi Baghaei në rrjetin X (ish-Twitter).
“Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që agresionet kriminale dhe politikat e dëmshme të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit të krijojnë përçarje mes nesh dhe vendeve vëllazërore të rajonit,” shtoi ai. /Reporteri.net/
ضربات موشکی ایران به پایگاه آمریکایی «العدید» در اجرای حق دفاع مشروع طبق ماده ۵۱ منشور سازمان ملل متحد و در پاسخ به تجاوز نظامی آمریکا در تاریخ ۲۲ ژوئن ۲۰۲۵ علیه تمامیت ارضی و حاکمیت ملی ایران انجام شد.
این اقدام دفاعی به هیچ عنوان نباید علیه کشور دوست و همسایه، قطر، تلقی شود و…
— Esmaeil Baqaei (@IRIMFA_SPOX) June 24, 2025
Një zyrtar i lartë i sigurisë në Iran ka thënë për CNN se pas orës 7:30 të mëngjesit “deri më tani nuk është qëlluar asnjë raketë drejt Irani”, pasi u raportua për shkelje të armëpushimit.
“Nëse Izraeli bën një gabim, të gjitha territoret e pushtuara do të sulmohen, njësoj si një orë para se të ndalej lufta”, tha zyrtari iranian.
Në anën tjetër, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, tha të martën se i ka urdhëruar ushtrisë së vendit të reagojë me forcë ndaj asaj që ai e quajti shkelje të armëpushimit me Izraelin nga Irani, raporton Reuters.
Direktiva pasoi një njoftim nga ushtria se kishte zbuluar lëshime raketash nga Irani drejt Izraelit.
Ushtria izraelite tha se po punonte për të rrëzuar raketat iraniane.
Katz tha se ushtria tani ishte udhëzuar të kryente operacione me intensitet të lartë kundër objektivave në Teheran. /Reporteri.net/
Një valë presioni psikologjik, e kombinuar me sulme precize ushtarake, po shënjon një kapitull të ri të konfliktit të heshtur mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas një raportimi të Washington Post, të përcjellë edhe nga Corriere della Sera, shërbimi sekret izraelit Mossad ka ndërmarrë një operacion intimidues ndaj rreth 20 gjeneralëve iranianë.
Operacioni nisi menjëherë pas një serie bombardimesh ajrore izraelite ndaj qendrave të komandës në Teheran, në kuadër të ofensivës “Rising Lion”. Raportohet se një nga gjeneralët mori një telefonatë direkte në celularin e tij personal, ku një agjent i Mossadit i komunikoi një mesazh të qartë:
“Keni 12 orë kohë për të regjistruar një video në të cilën hiqni dorë nga regjimi dhe të largoheni bashkë me familjen. Në të kundërt, do të keni të njëjtin fat si kolegët tuaj“, u dëgjua nga ana tjetër e telefonit.
“Po ju telefonoj nga i njëjti vend që dy orë më parë u dërguan në ferr Bagheri-n, Salami-n dhe Shamkani-n”, shtoi agjenti me intimidim.
Këta janë emra të njohur të Gardës Revolucionare Iraniane (Pasdaran): të parët janë eliminuar, ndërsa Shamkani u plagos rëndë, por më pas u shfaq sërish në publik me një deklaratë sfiduese.
Gazeta italiane Corriere della Sera thekson se nuk është e qartë nëse gjenerali ka pranuar ultimatumet, apo nëse ka dërguar videon përmes Telegram-it. Megjithatë, ai rezulton ende gjallë.
Besohet se qëllimi i këtij veprimi të sofistikuar psikologjik ishte i dyfishtë:
1. Të përçajë strukturat ushtarake iraniane, duke përhapur pasiguri dhe frikë mes atyre që mund të zëvendësonin komandantët e vrarë.
2. Të provokojë panik dhe mosbesim në hierarkinë e regjimit, duke goditur jo vetëm në aspektin fizik por edhe në moralin e brendshëm të ushtrisë iraniane.
Sipas Corriere della Sera, Izraeli ka eliminuar edhe dy zëvendësues, të cilët qëndruan në detyrë vetëm për pak ditë, përpara se të goditeshin.
Kjo ngjarje përforcon idenë e një “lufte të padukshme”, ku përveç sulmeve ushtarake, përdoren taktika të sofistikuara të inteligjencës për të destabilizuar armikun nga brenda. Për Mossadin, kjo është një formë e qartë e luftës psikologjike, ku çdo telefonatë mund të jetë po aq vdekjeprurëse sa një raketë.
Izraeli ka rihapur hapësirën ajrore, tha të martën(24 qershor) Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit, pas një nate me breshëri raketash nga Irani.
Hapësira ajrore e Izraelit u mbyll për shkak të valëve të shumta të raketave iraniane disa orë para se të hynte në fuqi një armëpushim.
Hapja e saj erdhi pasi Izraeli tha se pranoi propozimin e armëpushimit pasi “arriti objektivat” e sulmeve të saj ndaj Iranit. Sipas deklaratës, Izraeli ka hequr “kërcënimin e dyfishtë ekzistencial të menjëhershëm” të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se Izraeli “i ka shkaktuar dëme të rënda udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane”.
Ishte presidenti amerikan, Donald Trump ai që njoftoi se armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit është arritur.
“Armëpushimi është tani në fuqi. Ju lutem mos e shkelni!”, ka shkruar ai.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, tha të martën se i ka urdhëruar ushtrisë së vendit të reagojë me forcë ndaj asaj që ai e quajti shkelje të armëpushimit me Izraelin nga Irani, raporton Reuters.
Direktiva pasoi një njoftim nga ushtria se kishte zbuluar lëshime raketash nga Irani drejt Izraelit.
Ushtria izraelite tha se po punonte për të rrëzuar raketat iraniane.
Katz tha se ushtria tani ishte udhëzuar të kryente operacione me intensitet të lartë kundër objektivave në Teheran.
Më pak se tre orë më parë, presidenti amerikan Donald Trump kishte thënë se armëpushimi tani ishte në fuqi. Ai u bëri thirrje të dyja vendeve që ta respektojnë. /Reporteri.net/
Çmimet e naftës arritën nivelin më të ulët në dy javët e fundit të martën, pasi Izraeli pranoi propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për armëpushim me Iranin.
Çmimet e naftës së papërpunuar ranë me 3.82 dollarë, ose 5.3%, në 67.66 dollarë për fuçi në orën 08:45 me kohën tonë lokale.
Nafta e papërpunuar e SHBA-së, West Texas Intermediate, ra me 3.75 dollarë, ose 5.5%, në 64.76 dollarë për fuçi, raporton Reuters.
Izraeli ka rënë dakord me propozimin e Trump për një armëpushim me Iranin, tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij të martën.
Trump tha të hënën se Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord plotësisht për një armëpushim, duke shtuar se Irani do të fillojë armëpushimin menjëherë, i ndjekur nga Izraeli pas 12 orësh.
Nëse të dyja palët ruajnë paqen, lufta do të përfundojë zyrtarisht pas 24 orësh, duke i dhënë fund një konflikti 12-ditor.
Irani është prodhuesi i tretë më i madh i naftës bruto në OPEC, dhe armëpushimi do t’i mundësonte atij të eksportonte më shumë naftë dhe të parandalonte ndërprerjet e furnizimit, një faktor i rëndësishëm në rritjen e çmimeve të naftës në ditët e fundit.
Mediat shtetërore të Iranit raportuan këtë mëngjes mbi armëpushimin e shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump midis Iranit dhe Izraelit, duke pretenduar se armëpushimi në fakt iu “imponua Izraelit” pas, siç thonë ata, “përgjigjes së suksesshme ushtarake të Iranit ndaj agresionit amerikan”.
Siç kujtojnë ata, Irani nisi dje një sulm ndaj bazës ushtarake amerikane në Katar, në përgjigje të sulmeve ajrore të SHBA-së një ditë më parë ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Raporti i televizionit shtetëror iranian deklaroi gjithashtu se Trump kërkoi një armëpushim “në një mënyrë që i ngjante një lutjeje”, duke u përpjekur kështu të formësonte një narrativë për publikun vendas në të cilën Irani i ka tejkaluar ushtarakisht dhe diplomatikisht kundërshtarët e tij.
Megjithatë, Trump paraqiti një version krejtësisht të ndryshëm të ngjarjeve në rrjetin e tij social Truth Social. Ai tha se Izraeli dhe Irani iu afruan “pothuajse njëkohësisht” dhe i thanë: “paqe”.
“E dija që koha ishte e duhura” shtoi Trump në postim. Ai më pas bëri të ditur se armëpushimi tashmë ka hyrë në fuqi. /Reporteri.net/
Presidenti amerikan, Donald Trump ka përdorur përsëri platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, për të njoftuar se armëpushimi mes Izraelit e Iranit tani është në fuqi.
“Armëpushimi është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni”, shkroi ai.
Ka pasur shumë konfuzion në orët e fundit në lidhje me kohën dhe kushtet e armëpushimit.
Kanalet mediatike iraniane dhe izraelite po raportojnë se armëpushimi midis dy kombeve të tyre ka filluar. Por ende ka konfuzion mbi detajet e sakta dhe kohën e armëpushimit.
Sulme gjatë natës janë raportuar në të dy palët.
Nëntë persona u vranë herët të martën në sulmet ajrore izraelite ndaj ndërtesave të banimit në provincën veriore iraniane të Gilanit, tha zëvendësguvernatori i provincës për agjencinë e lajmeve Tasnim.
Tre të vdekur ndërkohë janë raportuar në Izrael pas sulmeve iraniane.
/Reporteri.net/
Kanali televiziv shtetëror iranian thonë se armëpushimi i është “imponuar” Izraelit pas sulmit që ata e kanë cilësuar të suksesshëm ndaj bazës amerikane në Katar.
Televizioni shtetëror tha në një deklaratë se Trump “u lut” për një armëpushim pas sulmit të Iranit. Deklarata u lexua me zë të lartë nga prezantuesi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar në një postim në rrjetet sociale se Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim. “Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, dhe se do të funksionojë, do të doja t’i përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, që patën qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet “LUFTA 12-DITORE”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Trump ndërmjetësoi armëpushimin përmes bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, ndërsa ekipi i tij, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, zhvilloi bisedime me Teheranin, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Reuters. Zyrtari, duke dhënë detaje të armëpushimit në kushte anonimiteti, tha se Izraeli ra dakord për të për sa kohë që Irani nuk nis sulme të reja./Reporteri.net/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar në një postim në rrjetet sociale se Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim. “Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, dhe se do të funksionojë, do të doja t’i përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, që patën qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet “LUFTA 12-DITORE”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Trump ndërmjetësoi armëpushimin përmes bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, ndërsa ekipi i tij, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, zhvilloi bisedime me Teheranin, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Reuters. Zyrtari, duke dhënë detaje të armëpushimit në kushte anonimiteti, tha se Izraeli ra dakord për të për sa kohë që Irani nuk nis sulme të reja.
Pas njoftimit të armëpushimit nga Trump, Forcat Mbrojtëse të Izraelit lëshuan një paralajmërim evakuimi për disa pjesë të kryeqytetit iranian, përpara një sulmi të planifikuar izraelit. Në mediat sociale, disa përdorues raportuan shpërthime masive në Teheran, të cilat ata thanë se ishin më intensivet që kur Izraeli filloi të bombardonte Iranin 12 ditë më parë.
Irani nisi disa raketa balistike drejt Izraelit herët të martën, me të paktën një nga raketat që goditi drejtpërdrejt një ndërtesë banimi në Be’er Sheva, duke vrarë tre dhe duke plagosur tetë të tjerë, thanë shërbimet e emergjencës.
Sulmet erdhën pas orës 04:00 të mëngjesit sipas kohës së Teheranit, koha kur ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se do t’i jepte fund sulmeve të tij nëse Izraeli ndalonte bombardimet e tij.
Kryeministri i Katarit thuhet se siguroi pëlqimin e Iranit për propozimin e armëpushimit të SHBA-së në një telefonatë me Teheranin, tha për Reuters një zyrtar i informuar për këtë çështje./Reporteri.net/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, shkruan Reporteri.net.
Sipas Trump, armëpushimi do të nisë “përafërsisht gjashtë orë prej tani”, pasi secili shtet t’i ketë kryer operacionet ushtarake.
Në njoftimin e Trumpit janë përmendur disa afate kohore për dhënie fund të armiqësive, por që “brenda 24 orësh” lufta zyrtarisht do të ketë përfunduar.
“URIME PËR TË GJITHË! Ka dakordim midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një ARMËPUSHIM TË PLOTË DHE TOTAL (rreth 6 orë nga tani, kur Izraeli dhe Irani të kenë përfunduar dhe mbyllur misionet e tyre përfundimtare që janë në proces!), për 12 orë, dhe në atë pikë Lufta do të konsiderohet E MBARUAR!”
Ai përgëzoi të dy vendet për, siç u shpreh, “qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën.”
“Zyrtarisht, Irani do të nisë ARMËPUSHIMIN dhe, pas orës së 12-të, Izraeli do të nisë ARMËPUSHIMIN dhe, pas orës së 24-të, një FUND ZYRTAR i LUFTËS 12 DITORE do të përshëndetet nga e gjithë Bota. Gjatë çdo faze të ARMËPUSHIMIT, pala tjetër do të qëndrojë PAQËSORE dhe ME RESPEKT. Duke supozuar që gjithçka do të funksionojë siç duhet – dhe do të funksionojë – unë dua të përgëzoj të dyja vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për ta përfunduar atë që duhet të quhet “LUFTA 12 DITORE.” Kjo ishte një luftë që mund të kishte zgjatur me vite dhe të shkatërronte të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe kurrë nuk do të ndodhë! Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ZOTI E BEKOFTË BOTËN!”, ka shkruar Trump.
Kryediplomati i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se janë gati të përgjigjen sërish në rast të ndonjë “agresioni tjetër” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Ai ka thënë se sulmi i sotëm ndaj bazës amerikane Al Udeid në Katar ishte përgjigje “ndaj agresionit të ShBA’së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Iranit”
Araghchi ka deklaruar se Irani është i gatshëm të reagojë sërish nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime të mëtejshme./Reporteri.net