×
  • Lajme
  • Fokus 5

    Trump: Sulmet e Izraelit ndaj Iranit janë pozitive për tregjet

    Reporteri
    13 Qershor 2025 | 18:19

    Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar për The Wall Street Journal se sulmet e Izraelit ndaj Iranit janë “në të mirë të tregut”, pasi sipas tij ato pengojnë Iranin nga sigurimi i një arme bërthamore.

    “Në fund të fundit, kjo është diçka shumë pozitive për tregjet, sepse Irani nuk do të ketë një armë bërthamore. Duhet të jetë gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë tregut. Irani nuk do të ketë një armë bërthamore që ishte një kërcënim i madh për njerëzimin”, u shpreh Trump në një bisedë të shkurtër telefonike me gazetën.

    Sipas The Wall Street Journal, Trump ka konfirmuar gjithashtu se ka komunikuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ditën e djeshme dhe planifikon të flasë sërish me të sot.

    Ai po ashtu bëri të ditur se ekipi i tij ka qenë i informuar për planin e Izraelit për të ndërmarrë sulmin.

    I pyetur nga gazeta se sa njoftim paraprak kishte marrë SHBA-ja për operacionin, Trump u përgjigj: “Njoftim? Nuk ishte një njoftim. Ishte: e dimë çfarë po ndodh”. Trump e cilësoi operacionin izraelit si “një sulm shumë i suksesshëm, për ta thënë butë”.

    Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të rritura në Lindjen e Mesme, pas operacionit të përmasave të mëdha të Izraelit ndaj objektivave iraniane, duke përfshirë figura kyçe të Gardës Revolucionare dhe programit bërthamor iranian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!