×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus

    Cakolli: Skandaloze që deputetëve t’i mbyllet dera e sallës së Kuvendit, duhet të dihet menjëherë kush e mori këtë vendim dhe të kërkohet llogaridhënie

    Reporteri
    07 Gusht 2026 | 23:58

    Eugen Cakolli nga KDI e ka cilësuar “skandaloze” dhe “të papranueshme” mbylljen e derës së sallës plenare të Kuvendit për deputetët.

    Përmes një postimi, Cakolli ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive nuk ka autoritet për të vendosur për hapjen, mbylljen apo qasjen fizike në sallën e Kuvendit, pasi kompetencat e tij, sipas tij, lidhen me drejtimin e punimeve të seancës.

    “Absolutisht skandaloze dhe e papranueshme që deputetëve t’u mbyllet dera e sallës plenare dhe, rrjedhimisht, t’u pamundësohet fizikisht ushtrimi i funksionit”, ka shkruar Cakolli.

    Ai ka kritikuar edhe Administratën e Kuvendit, duke thënë se ajo duhet t’u mundësojë deputetëve ushtrimin e mandatit dhe jo t’i pengojë ata.

    “Administrata, ndërkaq, ekziston për t’i mbështetur deputetët dhe për t’ua mundësuar ushtrimin efektiv të mandatit, jo për t’i penguar ata”, ka deklaruar Cakolli.

    Cakolli ka kërkuar që të bëhet e ditur se kush e ka marrë vendimin për mbylljen e sallës dhe me urdhër të kujt është vepruar.

    “Prandaj duhet të bëhet menjëherë e ditur kush e mori këtë vendim dhe sipas urdhrit të kujt veproi Administrata. Rasti kërkon llogaridhënie, përgjegjësi institucionale dhe disiplinore, e madje, sipas rrethanave, vlerësimin edhe të çdo përgjegjësie tjetër ligjore”, ka shkruar ai.

    Në fund, Cakolli ka thënë se pamje të tilla nuk i përkasin një shteti demokratik.

    “Këto pamje nuk i përkasin një shteti demokratik. Tek e fundit, salla plenare i përket vetëm dhe vetëm deputetëve të Kuvendit”, ka përfunduar Cakolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!