Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është deklaruar para mediave në lidhje me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës pas 29 seancave të vazhdueshme çdo 48 orë, ndërkaq sot mbahet edhe seanca e 30-të me radhë por nuk pritet rezultat.
Këtë e ka thënë edhe Lushtaku i cili tha se nuk po shihet ndonjë reflektim nga “shumica e pamjaftueshme” në Kuvend duke iu referuar kështu Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se nëse zgjidhje janë zgjedhjet, ata janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje.
“Ne sigurisht jemi gjithmonë të gatshëm edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme por sigurisht që Kosova ka më shumë probleme se me shku në zgjedhje. Nëse është kjo zgjidhja, ne nuk hezitojmë të shkojmë edhe në zgjedhje por nuk duhet të jetë alternativa e vetme zgjedhjet për me bë një zgjidhje për vendin”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e bashkëpartiakut të tij, Nait Hasanit i cili tha se sot do të marr pjesë për herë të fundit në Kuvend derisa të konstituohet ai.
“Deputetët e kanë mandatin e lirë edhe pse jemi në parti të ndryshme, kemi përgjegjësi individuale përveç atyre partiake. Besoj që secili deputet mund të thotë mendimin apo qëndrimin e vetë se a do të vie në Kuvend apo jo. Sigurisht se edhe për neve është e mundimshme me ardh në Kuvend dhe mos me pas një brezultat ndryshe apo mos me pas konstituim të Kuvendit por duhet të jemi prezent edhe me pa ose mos me pa a po reflekton shumica e pamjaftueshme në Kuvend. Ne si PDK jemi duke vazhduar me mbajt përgjegjësi në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar edhe reflektimin e shumicës së pamjaftueshme në Kuvend që është LVV”, ka thënë Lushtaku.
Sa i përket rritjes së çmimit të energjisë elektrike, Lushtaku ka thënë se nuk ka asnjë sens të arsyeshëm që justifikon rritjen ekstreme të energjisë elektrik.
“Jo vetëm bizneset por edhe qytetarët janë duke u sfiduar me këtë rritje të tepruar të energjisë elektrike”, ka shtuar ai.