×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Raporto
  • Hulumtime / KRU “Gjakova”

    Eksperti gjeti shkelje serioze dhe kërkoi rishqyrtim, OSHP miraton tenderin për të cilin u ngritën dyshime për falsifikim

    Autor:Arjeta Shabani
    27 Janar 2026 | 18:00

    Pavarësisht rekomandimit të ekspertit që ta kthejë lëndën në rivlerësim, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka lënë në fuqi tenderin e KRU “Gjakova” për rehabilitimin e ujësjellësit për Dol, Lipovec, Gerqinë. Grupi i operatorëve ekonomik që është shpërblyer me kontratë në vlerë mbi 620 mijë euro, “Fidani L SH.P.K; Kushtrimi NM SH.P.K”, sipas ekspertit, nuk i ka përmbushur kërkesat e detyrueshme të dosjes së tenderit. Kontrata është nënshkruar javën që shkoi, shkruan Reporteri.net.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk e ka marrë për bazë mendimin e ekspertit shqyrtues për ta kthyer në rishqyrtim tenderin qindra mijëra eurosh të shpallur nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”. Bëhet fjalë për rehabilitimin e ujësjellësit për Dol-Lipovec-Gerqinë, me të cilën kontratë është shpërblyer grupi i operatorëve ekonomikë “FIDANI L SH.P.K.; KUSHTRIMI NM SH.P.K.”, me vlerë totale prej 622 mijë e 822 euro.

    Për këtë tender kishin aplikuar katër kompani, teksa oferta e këtyre operatorëve ishte më e lira.

    Pas njoftimit për dhënie të kontratës, grupi i operatorëve ekonomik “N.N.SH. ” CO-ING “, ishte ankuar me pretendimin se autoriteti kontraktues ka shkelur tri nene të Ligjit për Prokurimin Publik.

    Në ankesë pretendohej se fituesi i tenderit nuk ka përmbushur kërkesat detyruese të tenderit, duke filluar nga raportet e auditimit për tri vitet e fundit, kërkesën mbi kapacitet teknike, përkatësisht pajisjet e kërkuara për saldim, kishte ngritur dyshime për falsifikim të autorizimit nga prodhuesi dhe mangësi në kërkesën për prezantimin e katalogëve të produkteve.

    Për dy prej pretendimeve, ankuesve u ka dhënë të drejtë edhe eksperti shqyrtues.

    Në mendimin e ekspertit, kompania fituese nuk i përmbush kriteret minimale të kapaciteteve teknike, ashtu që nuk i posedon dy pajisjet me kapacitetet specifike të kërkuara në dosjen e tenderit.

    “…nga dokumentacioni rezulton se OE i rekomanduar për kontratë ka ofruar katër (4) pajisje për saldim, mirëpo shumica e këtyre pajisjeve nuk mbulojnë kapacitetet e kërkuara, pasi kapacitetet e deklaruara tejkalojnë ose nuk përfshijnë plotësisht rangun e detyrueshëm të DN 63–250. Rrjedhimisht OE i rekomanduar për kontratë nuk i posedon dy pajisjet me kapacitetet specifike të kërkuara në DT dhe rrjedhimisht nuk i përmbush kriteret minimale të kapaciteteve teknike të parashikuara nga autoriteti kontraktues“, thuhet në raportin e ekspertit.

    Ekperti i kishte dhënë të drejtë ankuesve edhe për pretendimin lidhur me mungesën e katalogëve për të gjitha pozicionet, ku kishte gjetur se për 37 pozicione mungojnë katalogët që dëshmojnë përputhshmërinë teknike të artikujve të ofertuar.

    “Në bazë të shqyrtimit te ketij pretendimi ankimor, ekspertit shqyrtues vlerëson se mosprezantimi i katalogëve dhe autorizimeve për të gjitha pozicionet e kërkuara, përfshirë 37 pozicionet e evidentuara nga OE ankues, përbën mospërmbushje të kërkesave të DT-së. Si i tillë ky pretendimi ankimor vlerësohet si i bazuar“, theksohet në raport.

    “Nga kjo analizë rezulton qartë se OE i rekomanduar për kontratë nuk ka ofruar dokumentacion të plotë, të mjaftueshëm dhe në përputhje me kërkesat e DT-së”, thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues.

    Bazuar në këto gjetje, eksperti shqyrtues i kishte propozuar OSHP’së, që ta aprovojë si të bazuar ankesën e grupit të operatorëve ekonomik që ishin ankuar dhe ta anulojë vendimin për kualifikimin e kompanive, ashtu që ta kthejë lëndën në rishqyrtim.

    Rekomandimi për ta kthyer lëndën në rishqyrtim s’është marrë parasysh nga OSHP, ndonëse ankesa është aprovuar si pjesërisht e bazuar.

    “Mbetet në fuqi, B58 Njoftimi mbi Vendimin e AK të “Kompania Rajonale e Ujësjellësit GJAKOVA” SH.A., ndërkaq aktiviteti i prokurimi: “Rehabilitimi i ujësjellësit për Dol Lipovec Gerqinë” me numër të prokurimit KRURGJA-25-7848-5-1-1”, ka vendosur OSHP.

    Duke e arsyetuar vendimin, OSHP është fokusuar edhe që oferta fituese ka qenë më e lira, teksa ka bërë krahasim me ofertën e operatorëve që janë ankuar.

    “Në përgjigjen e ofruar nga AK -ja në raportin e ekspertizës duke ofruar sqarime te detajuar se pse duhet të mbetet në fuqi dhe nga analizat konkrete dhe dokumentacionit të lëndës, për Panelin Shqyrtues është krijuar bindja se vendimi i AK-se duhet të mbete në fuqi , ndërsa ankesa e Operatorit Ekonomik të aprovohet si pjesërisht e bazuar, po ashtu Paneli Shqyrtues vuri në zbatim edhe nenin 6 të LPP-se (ekonomiciteti dhe efikasiteti) , ku në këtë procedurë OE rekomanduar për kontratë ka çmimin dukshëm më të ulët se OE ankues në një diferencë prej -57,260.91 Euro”, thuhet në arsyetim të vendimit.

    Aty theksohet se raporti i ekspertizës nuk është detyrues për Paneli Shqyrtues.

    Sa i përket kriterit për pajisjet, Paneli Shqyrtues ka thënë se OE i rekomanduar ka prezantuar katër aparate të saldimit edhe pse në dosje kërkoheshin veç dy, dhe se këto aparate tejkalojnë kërkesat.

    “Ndërsa sa i përket autorizimeve nga prodhuesi, sikurse ne raportin e ekspertizeë, eksperti shqyrtues fare nuk hynë në detajet e këtyre 37 pozicioneve se a janë të ndërlidhura apo janë pajisje përcjellëse me pozicionet të cilat kanë autorizime apo jo”, thuhet në vendim.

    Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur “Gjykatën e Tenderëve” se pse është lënë në fuqi ky vendim pavarësisht rekomandimit të ekspertit.

    Në përgjigje, OSHP ka thënë se ky vendim shpreh bindjen e lirë dhe pavarësinë profesionale të Panelit Shqyrtues.

    “OSHP, ju njofton se vendimi i cituar si më sipër, gjendet i publikuar në faqen zyrtare të  institucioni oshp.rks-gov.net dhe në të njëjtin janë pasqyruar të gjitha faktet, rrethanat dhe provat relevante në dispozicion të shkresave të kësaj lënde, pa nevojë për ti përsëritur sërish të gjitha ato. Sidoqoftë, vendimi në rastin konkret përmban dhe këshillën juridike, sikurse parashihet mes tjerash me paragrafin 3, të nenit 99 të Ligjit të cituar, sipas të cilit, cituar: “Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative”, thuhet në përgjigje.

    Sa i përket dyshimeve të ngritura se operatori ekonomik fitues ka falsifikuar autorizimin e prodhuesit, ky organ ka thënë se vepron vetëm kur pranon kërkesë me shkrim nga autoriteti kontraktues, ashtu që operatori ekonomik mund të përjashtohet nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në 1 vit.

    Reporteri.net ka dërguar pyetje edhe në adresë të KRU “Gjakova” dhe operatorit ekonomik fitues mbi pretendimet e ngritura dhe gjetjet e ekspertit shqyrtues, por nga asnjëra palë s’ka pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të tekstit.

    Lidhur me dyshimet e ngritura për falsifikim të dokumenteve, Reporteri.net ka kontaktuar “KontiHidroplast”, kompaninë që e ka lëshuar autorizimin e dorëzuar nga operatori ekonomik fitues.

    Rami Jashari që figuron si menaxher shitje në këtë kompani, e që emri i tij është edhe te autorizimi i prezantuar, ka thënë se dokumenti është autentik.

    “Konfirmojmë origjinalitetin e këtij Autorizimi, unë jam personalisht personi kryesor i autorizuar, që të gjitha të dhënat e mija janë edhe publike”, thuhet në përgjigje.

    Kontratën në fjalë, KRU “Gjakova” e ka nënshkruar më 20 janar, teksa njoftimi në e-Prokurim është publikuar më 22 janar.

    Kohëzgjatja e saj është për 14 muaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!