×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Raporto
  • Hulumtime / Dokument

    I dyshuari për dallaveret me vota avancohet në Universitetin e Pejës, vendoset në krye të prokurimit

    Autor:Egzona Krasniqi
    18 Prill 2026 | 18:00

    Vetëm një muaj pasi Muhamet Jupës, si kryesues i një tavoline numërimi votash në Qendrën Komunale të Numërimit në Pejë, vetë të nëntit, iu ngrit kallëzim penal për manipulim të rezultatit zgjedhor të votimeve të 28 dhjetorit 2025, ai u avancua në pozitë të lartë pune në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë. Jupa është anëtar i PDK-së, ndonëse në 8 kutitë e votimit, në të cilat numërimi kaloi nëpër duart e tij, u evidentuan dukshëm vjedhje të votave në favor të kandidatit të LVV-së, Taulant Kelmendi, tashmë deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, krahas votave shtesë të deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti e kandidatit të së njëjtës parti, Hajdar Beqa.

    Kallëzimi penal ndaj Muhamet Jupës, dhe tetë të tjerëve u dorëzua në Prokurori të Shtetit në fillim të shkurtit 2026, pasi gjatë rinumërimit të votave të zgjedhjeve të fundvitit 2025 u evidentuan manipulime të rezultatit zgjedhor edhe në 9 vendvotimet ku zyrtari i Universitetit “Haxhi Zeka” ishte kryesues nga radhët e PDK-së, i “ekipës” së numërimit në QKN të Pejës.

    Një muaj pas, më 13 mars 2026, ai nga pozita “zyrtari i prokurimit” në Universitetin “Haxhi Zeka” u avancua si “Zyrtar përgjegjës i Prokurimit”, në cilësi të autoritetit kontraktues, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Vendimi u nënshkrua nga sekretari i përgjithshëm i Universitetit, Besfort Krasniqi. Ky i fundit, sikurse rektori Armand Krasniqi, nuk janë përgjigjur në interesimin e gazetës online Reporteri.net në lidhje me ketë avancim.

    Derisa Muhamet Jupa thotë se pozita e re e tij në prokurimin e Universitetit publik të Pejës nuk është avancim, por thjesht një “zëvendësim” i përkohshëm në pozitën në fjalë “deri në marrjen e një vendimi të caktum” ndaj ish-drejtorit të Zyrës së Prokurimit, ndaj të cilit po më 13 mars u iniciua një kërkesë për procedurë disiplinore nga Sekretari i përgjithshëm i UHZ-së.

    “Nuk e di qysh e keni lexu ju, por nuk është avancim. Është marrë veç një vendim. Unë veç kam marrë përgjegjësi, nuk kam marr kurrfarë avancimi, as nuk jam emëru, as nuk jam përzgjedhë, as nuk ka pas konkurs as kurrgjë”.

    Zyrtari i ri përgjegjës i Prokurimit në Universitetin “Haxhi Zeka”, mohon kategorikisht se avancimi lidhet pas rastit të dyshimeve për përfshirjen e tij në dallaveret me vota, sikurse e hedh poshtë edhe mundësinë e ndikimit politik në caktimin e tij në detyrë të re.

    Thotë se nuk është në dijeni as për kallëzimin penal të Policisë së Kosovës ndaj tij në lidhje me manipulimet e dyshuara në rezultatin zgjedhor të votimeve të 28 dhjetorit 2025.

    Vallai unë nuk e di që kam kallëzim penal, se unë jam kanë aty [në hetuesi]. Veç më kanë marrë në intervistë edhe kurrgjë. I ka dy muaj që nuk më kanë ftu, as kurgjo. As s’jom ndijeni që është ngritë kallëzim penal”, i tha Jupa të premten, gazetës online Reporteri.net, përmes telefonit.

    Në kallëzimin penal të cilin e posedon gazeta online Reporteri.net, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore e Pejës, hetuesit policorë pretendojnë se Jupa dhe 8 anëtarë tjerë të Qendrës Komunale të Numërimit në Pejë, gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ndryshuan rezultatin zgjedhor në 8 vendvotime. Dallaveret u evidentuan gjatë rinumërimit.

    Jupa ishte kryesues i grupit të numërimit të votave të atyre vendvotimeve, në të cilat gjatë numërimit në QKN iu shtuan votat kryesisht në favor të deputetit tashmë të zgjedhur të LVV-së, Taulant Kelmendi, dhe dy kandidatëve tjerë nga PDK-ja, deputetit Xhavit Haliti e Hajdar Beqës që nuk arriti të sigurojë ulëse në Kuvend. Në të njëjtat kuti, ndryshime, u gjetën edhe në favor të kandidatit të AAK-së për deputet, Durim Halilaj.

    Përkundër gjetjeve të policisë dhe prokurorisë, ai përbehet se nuk është në dijeni se janë bërë dallavere gjatë numërimit të kutive të votave që kaluan përmes duarve të tij.

    Pasha zoten se di. Kështu në përgjithësi ka pas, sikur në krejt Kosovë. Aty ka mujtë me pas edhe probleme teknike. Prej 96 vetave që kanë punu aty [në QKN-Pejë] krejt i kanë thirr për evidentime për ksi, unë jam kanë në intervistë edhe nuk ma kanë ceke cilat klasa janë evidentu [manipulimet me rezultatin zgjedhor], apo qysh janë evidentu. Mu veç çka m’vete me merr në qafë. Në rast se i kisha pas qato dëshmi, ose nëse i kisha jep unë në polici, edhe e di saktw në cilat kutia o prek ndonjë votë unë të kisha kallxu pa problem”, tha ai.

    Muhamet Jupa është anëtar i PDK-së dhe pjesë e kryesisë së kësaj partie në Pejë.

    Katrahura me tenderin “rreth 100 mijë Euro më të shtrenjtë” që e çoi në komision disiplinor ish-shefin e prokurimit

    Zyrtari i ri përgjegjës i Prokurimit në Universitetin “Haxhi Zeka”, gjatë bisedës me gazetën online Reporteri.net, përmes telefonit, shpjegoi se si arriti në pozitën e re në Universitet.

    “Kam qenë zyrtar i prokurimit. Kolega që u kanë drejtor është dal në komision disiplinor, deri në marrjen e një vendimi tjetër unë kam me kanë zyrtar përgjegjës edhe me i kry qato procedura edhe kurrgja ma shumë. Jo jo [vendimi] nuk është i përhershëm. Deri në marrjen e një vendimi të caktum. Tash kur e marrin këtë vendim, a e marrin këtë jave a javën tjetër unë nuk e di”, tha Muhamet Jupa.

    Driton Fetaj, drejtor i zyrës së Prokurimit u çua në komision disiplinor për shkak të “mos zbatimit të vendimit të Zyrtarit Kryesor Administrativ, mosrespektim i hierarkisë administrative dhe veprim në kundërshtim me parimet e ekonomicitetit, efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe integritetit”. Krejt këto shkelje, ai, sipas kërkesës së sekretarit Krasniqi, i kreu gjatë një aktiviteti të prokurimit publik me titull: “Shërbime për Sistemin e Menaxhimit Universitar (SMU)”.

    Në kërkesën për inicim të procedurës disiplinore, të cilën e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, pretendohet se Fetaj si shef i zyrës së prokurimit në Universitetin e Pejës, ka proceduar nënshkrimin e tenderit në fjalë, përmes procedurës së negocimit, me vlerë rreth 100 mijë Euro më të shtrenjtë sesa planifikimet buxhetore. Kohëzgjatja e tenderit kishte qenë për 36 muaj.

    Sipas konstatimeve në këtë dokument, oferta financiare përfundimtare e operatorit ekonomik pas negocimit është 296,300.00 euro, më saktësisht 96,300.00 euro apo 48.15% më e lartë se vlera e parashikuar fillestare. Në këtë rast ekziston ndryshim i konsiderueshëm material financiar, për të cilën arsye është i domosdoshëm shqyrtimi i Deklaratës së Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve (DNDF) dhe konstatimi i ndryshimit material financiar, para nënshkrimit të saj nga personat e autorizuar: Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, Zyrtari Kryesor Financiar dhe Zyrtari Kryesor Administrativ”, thuhet në dokument.

    Përkundër pretendimeve serioze, Komisioni Disiplinor, as pas një muaji pasi ka pranuar rastin për trajtim, nuk ka nxjerrë vendim për Fetajn. Kështu pohuan edhe Jupa dhe pretendoi edhe vetë Fetaj.

    Jo [nuk kanë marrë vendim], sepse e ka shty punën e vet i njëjti komision. Unë nuk e di që komisioni ka të drejtë me vendim me shty punën e vet. E di kush e emëron, ai ja zgjatë afatin”, tha Fetaj për gazetën online Reporteri.net, i cili paraprakisht konfirmoi se procedura disiplinore ndaj tij u nis pasi “gjoja nuk po i zbatoj vendimet e universitetit” që tha se bie ndesh me ligjin.

    E ka nxjerrë një vendim sekretari i universitetit. E unë si zyre e prokurimit nuk guxoj me i zbatu vendimet që janë të kundërligjshme”, tha ai, duke konfirmuar se atij ju kërkua nga Sekretari i Universitetit të anulojë procedurën për tenderin e negociuar.

    Ky i fundit, për të njëjtin tender, më 26 mars 2026 paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, ndaj Fetajt dhe dy zyrtarëve tjerë të universitet “Haxhi Zeka”, nën pretendimet se kanë kryer veprat penale “legalizimi përmbajtjes së rreme”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!