Partitë në pushtet po vazhdojnë rehatimin e aktivistëve të tyre në pozita të rëndësishme shtetërore. Anëtari i Guxo, Lendrit Iljazi, është sistemuar në një tjetër pozitë të rëndësishme në institucione.
Kësisoj, bashkëthemeluesi i partisë “Guxo”, anëtar i Kryesisë dhe kryetar i Forumit Rinor, si dhe ish-këshilltar politik i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, në kohën kur ajo ishte në MPJD, së fundmi është emëruar ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, e cila drejtohet nga Blerim Gashani i partisë Guxo, duke vazhduar ngritjen e shpejtë në institucione në pozita të ndryshme për një kohë të shkurtër, pas pozitës së Drejtorit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme
Konfirmimi për emërimin është dhënë edhe nga vetë Ministria e Sportit dhe Rinisë për Gazetën Online Reporteri.net.
“Me Vendimin nr. 46/2026, të datës 23.04.2026, z. Lendrit Iljazi është caktuar Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, me fillim të ushtrimit të detyrës nga data 24.04.2026”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Të pyetur nga Gazeta Online Reporteri.net nga ministria kanë thënë se Iljazi i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për këtë pozitë.
“Z. Iljazi i plotëson të gjitha kushtet ligjore dhe profesionale për këtë pozitë, përfshirë përgatitjen arsimore dhe përvojën në administratën publike. Ai ka ushtruar funksione drejtuese në kuadër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), përmes procedurave të rregullta ligjore”, thuhet më tej.
Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se pozita e Sekretarit të Përgjithshëm është funksion administrativ dhe menaxherial, i cili nuk kërkon domosdoshmërisht përvojë specifike në sektorin e sportit apo rinisë.
Sipas tyre, transferimi i Iljazit nga pozita e Drejtorit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në këtë institucion është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me respektim të parimeve për shmangien e konfliktit të interesit.
Iljazi kishte synuar të siguronte një ulëse në Kuvend në zgjedhjet e 9 shkurtit 2026 si kandidat i Guxo në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk arriti të zgjidhej, pavarësisht se mori 13 mijë e 304 vota.
Më herët, gjatë vitit të kaluar, ai ishte emëruar përmes konkursit në pozitën e Drejtorit të Departamentit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ndonëse nuk garoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, Iljazi vazdhimisht në rrjetet e tij sociale e përkrahur publikisht për partinë Guxo.
“Gjatë ditëve të fundit kam pranuar shumë mesazhe nga ju, me pyetjen nëse do të jem kandidat për deputet në këto zgjedhje. Dua t’ju njoftoj publikisht se këtë herë NUK do të jem pjesë e garës zgjedhore. Faleminderit kryetarëve Donika Gërvalla dhe Faton Peci, kryesisë së Partisë Guxo dhe gjithë ekipit për besimin dhe mbështetjen që më ofruan për të qenë pjesë e listës. Megjithatë, nuk kam mundësi të angazhohem në këtë proces si kandidat. Pavarësisht kësaj, angazhimi im për fitoren e madhe të 28 dhjetorit do të jetë edhe më i madh, madje më i fuqishëm sesa po të isha vetë në garë. Besimi, mbështetja dhe energjia juaj janë motivimi im kryesor. Shihemi në fitore!”, kishte shkruar ai.

Ai e ksihte mbështetur edhe bashkëkryetarin e partisë Guxo, Faton Peci në garën për kryetar të Mitrovicës së Jugut.




Në të kaluarën, Iljazi ka qenë subjekt i kritikave publike edhe për qëndrimet e tij ndaj mediave dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, pasi kishte akuzuar AGK-në se është shndërruar në “strehë të atyre që përdorin median për shantazh dhe interesa personale”, ndërsa kishte mbrojtur edhe deklarata të tjera fyese ndaj gazetarëve.