Nën pretendimet për favorizim të operatorëve e shkelje tjera të Ligjit të Prokurimit Publik, tenderi 300 mijë eurosh i Komunës së Mitrovicës për trajtimin e qenve endacakë që bredhin lirshëm ka përfunduar sërish në OSHP. Tani për afatin e caktuar për dorëzim të ofertave. Kompania ankuese pretendon se që nga viti 2025 kur ishte hapur tenderi fillimisht, ka pasur favorizime e kurdisje. Sipas kësaj kompanie, lënia e vetëm një dite afat për dorëzim të ofertave pas vendimit të OSHP’së, ngre dyshime se operatori i vetëm që ka ofertuar është njoftuar paraprakisht. Komuna që drejtohet nga Faton Peci ka mohuar këto pretendime, raporton gazeta online Reporteri.net.
Kompania që është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit është “Mitro Vet SH.P.K”. Deri më 4 maj, tenderi ka qenë i pezulluar, shkaku i një ankese tjetër në “Gjykatën e Tenderëve”, nga po ky operator.
Po atë ditë, OSHP ka nxjerrë vendim, përmes të cilit ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e këtij operatori, por që ka lënë në fuqi njoftimin për kontratë dhe i ka lejuar Autoritetit Kontraktues që të vazhdojë tutje me këtë aktivitet prokurimi.
Të nesërmen, Komuna e Mitrovicës ka publikuar në platformën e-Prokurimi, “formularin standard për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara”, ku si afat të fundit për caktim të ofertave ka caktuar 6 majin. Pra, kompanitë kanë pasur vetëm një ditë kohë që të dorëzojnë ofertat.

Sipas kësaj kompanie, ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të prokurimit publik dhe dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik.
Caktimi i afatit njëditor, sipas “Mitro Vet”, pamundëson përgatitjen serioze dhe profesionale të ofertave.
“Vetëm pas nxjerrjes së vendimit të OSHP-së është krijuar qartësi lidhur me vazhdimin e procedurës, dhe rrjedhimisht vetëm nga ky moment mund të konsiderohet se operatorët ekonomik kanë pasur bazë reale për përgatitjen e ofertave. Në këtë kontekst, caktimi i një afati prej vetëm një dite është joproporcional, joreal dhe në kundërshtim me çdo standard të arsyeshëm të prokurimit publik, pasi pamundëson përgatitjen serioze dhe profesionale të ofertave”.
Ky afat, sipas kompanisë që është ankuar, krijon indikacione se vetëm operatori që ka pasur informim paraprak ka mundur të marrë pjesë në procedurë dhe se kështu është cënuar parimi i trajtimit të barabartë dhe konkurrencës.
Oferta e vetme e dorëzuar del të ketë qenë nga grupi i operatorëve ekonomikë “Ambullanca Veterinare Veterinaria; BLENDOR KADRIU”. Reporteri.net ka dërguar pyetje edhe në adresë të kësaj kompanie mbi pretendimet e ngritura, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit, s’ka marrë përgjigje pavarëisisht se pyetjet i janë ridërguar.
“Kjo vërtetohet edhe nga fakti se në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm ai(një) operator ekonomik, gjë që tregon mungesë të konkurrencës reale dhe efektive në këtë tender publik”, kanë deklaruar nga kjo kompani për Reporteri.net.

Komuna e Mitrovicës, në një përgjigje për Reporteri.net, ka mohuar pretendimet e ngritura.
Komuna deklaron se ka vepruar në përputhje të plotë me dispozitat e ligjit dhe kërkesat e përcaktuara nga organet kompetente.
Sipas Komunës, afati për dorëzim të ofertave nuk është caktuar në mënyrë arbitrare, meqë procedura e prokurimit ka qenë e publikuar nga shkurti dhe operatorët ekonomikë kanë qenë në dijeni të kërkesave teknike, kritereve dhe dokumentacionit të tenderit.
“Vendimi i OSHP-së nuk ka prodhuar një procedurë të re prokurimi, por ka mundësuar vazhdimin e procedurës ekzistuese pa ndonjë ndryshim”, thuhet në përgjigje.
Sa i përket pretendimeve për favorizime, Komuna thotë se të gjithë operatorët janë trajtuar njejtë.
“Autoriteti Kontraktues vlerëson se në këtë rast janë respektuar parimet themelore të Ligjit për Prokurimin Publik, përfshirë trajtimin e barabartë, mosdiskriminimin dhe konkurrencën e drejtë. Të gjithë operatorët ekonomikë kanë pasur qasje të njëjtë në dokumentacion dhe informacion gjatë gjithë kohës sa procedura ka qenë aktive”.
Theksohet se nuk ka pasur asnjë veprim apo vendim që do të favorizonte ndonjë kompani të caktuar.
“Pretendimet e ngritura nga operatori ankues janë pjesë e të drejtës së tij ligjore për mjete juridike, mirëpo Autoriteti Kontraktues konsideron se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet procedurale të prokurimit publik”.
Të pyetur nëse ka pasur aktivitete tjera prokurimi, që është vepruar njëjtë me caktimin e afatit pas vendimit të OSHP’së, Komuna thotë se afatet procedurale përcaktohen mbi bazën e rrethanave konkrete të secilit tender.
“Sa i përket pyetjes nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme, procedurat e prokurimit trajtohen rast pas rasti, në varësi të natyrës së aktivitetit, fazës procedurale dhe vendimeve të organeve kompetente. Për këtë arsye, çdo afat procedural përcaktohet mbi bazën e rrethanave konkrete të secilit aktivitet të prokurimit”.
“Mitro Vet” thotë se favorizimet për operator të caktuar kanë filluar që nga viti 2025, kur ishte shpallur tenderi fillimisht. Atëherë vlera e parashikuar e kontratës ishte 400 mijë euro.
Në vitin 2025, Komuna kishte publikuar njoftimin për kontratë lidhur me këtë tender, më vlerë 350 mijë euro, dhe e kishte zhvilluar procedurën me afate të përshpejtuara nën arsyetimin e “situatës emergjente”.
Kjo kompani thotë se qysh në atë fazë kishin eidentuar kritere diskriminuese dhe favorizuese, për të përjashtuar operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e njëjtë dhe se nga kjo u kishin lindur dyshimet se procedura ishte konceptuar për ta favorizuar një operator të caktuar.
Edhe atëherë, kishin dorëzuar ankesë në OSHP, duke pretenduar shkelje të dispozitave të Ligjit për Prokurim Publik gjatë publikimit të njoftimit për kontratë dhe hartimit të dosjes së tenderit, si dhe shkurtim kundërligjor të afatit për dorëzimin e tenderëve.
Ankesa ishte lidhur me kriterin për 300 mijë euro qarkullim në tri vitet e fundit, ajo për katër punëtorë të trajnuar, kërkesa për largimin e qenve endacakë të ngordhur, si dhe ajo për shkurtim të afatave kohore në raste të emergjencave.
“Duke u bazuar në ankesat e qytetarëve lidhur me rrezikshmërinë nga qentë endacakë dhe duke u bazuar në raportet e stacionit jugor të policisë lidhur me ankesat e qytetarëve të cilët po sulmohen vazhdimisht nga qenët endacakë andaj kemi shkurtuar afatin kohore për arsye të cekurave si më lartë”, ishte arsyetimi i komunës për shkurtimin e afatit.
OSHP e kishte aprovuar ankesën e kompanisë si të bazuar dhe e kishte urdhëruar Komunën që të bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit dhe ta zgjasë afatin për ofertim.
“Pas këtij vendimi kemi ofertuar rregullisht, duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar, dhe sipas procesverbalit të hapjes së tenderëve, kemi rezultuar operatori ekonomik i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”, deklarojnë nga kjo kompani.

Megjithatë, thonë se pasi operatori që sipas tyre po favorizohej nuk ishte renditur i pari, por i treti në radhë bazuar sipas çmimit, Komuna e Mitrovicës kishte nxjerr vendim per anulimin e tenderit me arsyetimin “mungesë e mjeteve buxhetore”.
“Kjo ka ngritur dyshime serioze se anulimi është bërë vetëm për të shmangur dhënien e kontratës tek OE Mitro Vet si operatori i pergjegjshem me cmimin më të lirë”.
Ky aktivitet është ritenderuar sërish sivjet, e që sipas kompanisë, me kritere edhe më të ashpra kufizuese, “të hartuara në mënyrë ekstreme për të përjashtuar operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbime veterinare në Mitrovicë dhe rajon,madje edhe në kundërshtim me vendimin paraprak te OSHP—se nr.2025/0349”.

Këtu, ky operator ngre dyshime edhe për rolin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
“…përmes mënyrës së trajtimit administrativ të dokumentacionit të operatorëve ekonomikë ka ndikuar drejtpërdrejt në cenimin e konkurrencës së barabartë dhe krijimin e kushteve favorizuese për operatorë të caktuar ekonomikë”, kanë deklaruar nga kompania.
Theksohet sidomos një prej kritereve të përcaktuara në dosjen e tenderit, përkatëisht lidhur me vendimin dhe kapacitetin e strehimore së qenve.
Komuna e Mitrovicës në dosje kishte kërkuar që operatorët ekonomikë të posedojnë kapacitet minimal prej 100 qenve për strehimin e qenve, ndërsa ishte specifikuar se kapaciteti duhet të figurojë në vendimin/licencën e lëshuar nga AUV, dhe se procesverbalet e inspektimit nuk pranohen si dëshmi zëvendësuese.
“Pikërisht ky kriter ka krijuar bazën për trajtim të pabarabartë dhe eliminim selektiv të operatorëve ekonomikë nga procedura e prokurimit. Konkretisht, operatori ekonomik që sipas vlerësimit tonë është favorizuar nga Komuna e Mitrovicës e ka pasur të përcaktuar kapacitetin e strehimores në vendimin/licencën e lëshuar nga AUV”, ka pretenduar kompania.
Tutje, thuhet se pikërisht ky element është përdorur nga Autoriteti Kontraktues si kriter kualifikues dhe bazë për eliminimin/përjashtimin e operatorëve të tjerë
“Ndërkohë, në rastin tonë, ndonëse posedojmë vendim/licencë të lëshuar nga AUV për strehimore të qenve, kapaciteti nuk është përfshirë në vendim nga vetë AUV, pa asnjë faj apo lëshim nga ana jonë, marrë parasysh faktin se përmes procesverbaleve zyrtare nga inspektorët e AUV është konstatuar se strehimorja jonë ka kapacitet 3 fish më shumë se kërkesa e dosjes tenderuese, pra kapacitet për strehim të mbi 350 qenve”.
Kompania thotë se kishte kërkuar nga AUV plotësimin/korrigjimin e vendimit, për t’ua përfshirë edhe kapacitetin e strehimores, por se ky institiucion ka zvarritur çështjen për muaj të tërë, “deri sa edhe përfundojë afati për ofertim”.
“Për pasojë direkte të këtij trajtimi selektiv dhe bashkërendimit institucional ndërmjet AUV-së dhe Komunës së Mitrovicës, ne na është krijuar një barrierë krejtësishtë e pa nevojshme për të pamundësuar pjesëmarrjen reale dhe konkurruese në një procedurë prokurimi me vlerë rreth 300,000 euro për trajtimin e qenve endacak”. /Reporteri.net/.