×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Keqmenaxhimi masiv i Byrosë

    Autor:Besnik Boletini, Preportr
    19 Mars 2025 | 18:30

    Një rast i pazakontë juridik ka ndodhur mes Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe një pale paditëse. Sipas policisë, për një rast që kishte vendim të gjykatës themelore, të Apelit dhe Supremes dhe ishin paguar mbi 65 mijë euro për paditësit, avokati i palës kishte bërë edhe njëherë padi në të njëjtën gjykatë për të njëjtin rast. Pas disa seancave, Byroja dhe paditësit kishin arritur ujdi jashtëgjyqësore me vlerë mbi 230 mijë euro. Edhe një raport i BQK-së ka gjetur keqmenaxhim në BKS…

    Në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS) dyshohet se kanë ndodhur disa shkelje ligjore dhe keqpërdorime përmes disa veprimeve të organizuara dhe vendimeve që dyshohet se janë të kundërligjshme. Preportr ka publikuar një raport të policisë, i cili me datën 22.05.2024 është dërguar si raport informues për Prokurorinë Speciale të Kosovës.

    Pika e parë e raportit thekson dyshimet se në mënyrë të kundërligjshme Byroja, me përfshirjen e personave Sami Mazreku dhe Venhar Hana, kanë kompensuar palët M.L dhe N.M.

    Palët e përfshira në aksident, përmes avokatit Bajram Mujaj, kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Istog ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimit, pas një aksidenti që kishte ndodhur në vitin 2011. Sipas raportit, gjykata ua kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial. Byroja kishte bërë ankesë. Rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila e kishte refuzuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Byrosë dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë– dega në Istog për kompensim dëmi.

    Me datën 05.03.2019 pala paditëse e përfaqësuar nga avokati Bajram Mujaj ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme, duke atakuar vendimin e Gjykatës së Apelit. Me datën e njëjtë kur është dërguar lënda në Gjykatën Supreme, Byroja ka bërë pagesën e kompensimit në vlerë prej 65 mijë e 240 eurove, e cila ishte vendosur në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës më 14.01.2019. Pagesa ishte bërë në llogarinë e avokatit Bajram Mujaj.

    Byroja më 15.03.2019 përgatit përgjigje në revizionin e ushtruar nga paditësit kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me datën 08.04.2019 Gjykata Supreme e Kosovës, nxjerrë aktgjykim ku refuzohet si i pabazuar revizioni i paditësve i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Aktgjykimi i Supremes e kishte bërë të plotfuqishëm vendimin Gjykatës së Apelit.

    Me këtë gjë përfundon zyrtarisht saga shumëvjeçare e këtij rasti. Sipas raportit të policisë, për të njëjtin rast nisë një proces tjetër. Sipas policisë, avokati i palëve Bajram Mujaj bënë sërish padi për të njëjtin rast në gjykatën e njëjtë dhe rastin e shqyrton gjyqtari i njëjtë, derisa pensionohet.

    Sipas raportit të policisë, pasi që aktgjykimi nga Gjykata Supreme e Kosovës  refuzon si të pabazuar revizionin paditësve, të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, dyshohet se kundërligjshëm, në vitin 2019 paditësit përmes të autorizuarit të tyre avokatit Bajram Mujaj, pas pranimit të mjeteve financiare në vlerë prej 65 mijë e 240 euro, vlerë financiare e caktuar përmes aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përsëri vazhdojnë me padi kundër Byrosë Kosovare të Sigurimeve në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Istog dhe për këtë padi ishte njoftuar edhe Byroja.

    Byroja ishte në dijeni së të njëjtit paditës kishin parashtruar padi në vitin 2011, por të njëjtit nuk e kanë pranuar faktin se për këtë lëndë ka një aktgjykim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit, thekson raporti.

    Marrëveshja jashtëgjyqësore

    Edhe pse aktgjykimi i Gjykatës së Apelit kishte vendosur për lëndën dhe ishte bërë i plotfuqishëm, palët paditëse përmes të autorizuarit të tyre avokatit Bajram Mujaj, e paditura Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe D.D (tashmë i ndjerë) gjyqtar në gjykatën Themelore në Pejë – dega në Istog (i cili ishte gjyqtar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor e deri në pensionimin e tij), dyshohet se kundërligjshëm këtë lëndë e kanë kthyer në rishqyrtim, duke mbajtur disa seanca.

    Gjatë këtij procesi gjyqësor, paditësit dhe e paditura bëjnë ujdi dhe me datë 06.08.2021 lidhin marrëveshje jashtëgjyqësore. Me datën 30.09.2021 nxirret aktvendimi nga gjykata, ku konstatohet se është tërhequr padia e datës 05.10.2011.

    Sipas policisë, me datën 06.08.2021 në mbledhjen e departamentit juridik të Byrosë, të kryesuar nga Sami Mazreku, ku të pranishëm përpos zyrtarëve të byrosë ishte edhe avokati i paditësve Bajram Mujaj, në bazë të propozimeve të Mazrekut, është arritur marrëveshje jashtëgjyqësore në mes të Byrosë të përfaqësuar nga Faik Sylejmani dhe palës paditëse.

    “Në këtë mbledhje Sami Mazreku – drejtor ekzekutiv i Byrosë, kishte diskutuar për lëndën e M.L dhe N.M edhe pse ishte në dijeni se aktgjykimi i datës 14.01.2019 i Gjykatës së Apelit ishte i plotfuqishëm dhe palët ishin kompensuar në bazë të aktgjykimit 1352/14”, thuhet në raportin e policisë.

    Sipas raportit, Byroja i propozon palës paditëse, duke i ofruar kompensim plus shpenzimet e procedurës për dy paditësit (200 mijë euro për njërin dhe 20 mijë për tjetrin person). Ndërsa në emër të shpenzimeve të procedurës 11 mijë e 599 euro i janë paguar avokatit Bajram Mujaj. Pra sipas raportit të policisë dyshohet që në total Byroja ka paguar 231 mijë e 599 euro.

    Mbledhja ku u vendos për marrëveshjen dukët të ketë zgjatur pak. Preportr ka gjetur procesverbalin e kësaj mbledhje. Në këtë mbledhje Sami Mazreku ka njoftuar të pranishmit edhe për praninë e avokatit Bajram Mujaj dhe ka prezantuar ofertën për palën paditëse.

    “Drejtori (Mazreku) i drejtohet avokatit ku i tregon se për M.L kemi dy rrugë, e para të vazhdojmë me procedurat e gjykatës ku do të ketë kërkesa të ndryshme dokumenta shtes dhe zgjatje të lëndës që do të shkojnë edhe shumë vite të tjera apo rruga e dytë është oferta e jonë prej 200,000 euro plus shpenzimet e procedurës, vetëm të shoh Faik shko te financat edhe shif se si është gjendja e llogaris tonë se a i kemi këto mjete që para orës 15:00 mjetet të kalojnë tek avokati”, thuhet ndër të tjera në procesverbal. Ndërkohë që konfirmohet se mjetet janë në llogari të Byrosë dhe aty edhe nënshkruhet transferimi i mjeteve. Sipas procesverbalit, të pranishmit e tjerë nga Byroja e konsideruan këtë marrëveshje si sukses tejet të madh, të jashtëzakonshëm dhe të leverdishëm për Byronë.

    Raporti i policisë thekson se për rastin në fjalë deri në vitin 2014 përfaqësues në gjykatë për palën e paditur ishte Venhar Hana me autorizim deri në përfundim të lëndës në gjykatën e shkallës së parë. Aty thuhet se i njëjti ka qenë këshilltar ligjor-ekspert i jashtëm ligjor i Sami Mazrekut në kohën kur është arritur marrëveshja jashtëgjyqësore në mes të Byrosë dhe palës paditëse dhe dyshohet se ka kontribuuar në arritjen e marrëveshjes jashtëgjyqësore, pasi që ishte i njohur mirë me lëndën dhe se gjatë vitit 2021 dhe 2022 kishte pranuar mjete financiare nga Byroja në emër të “Hana Law L.L.C” për kryerjen e disa shërbimeve juridike për Byronë.

    Raporti konkludon se nga veprimet e përshkruara më lartë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit Sami Mazreku, Venhar Hana, Faik Sylejmani, Bajram Mujaj dhe gjyqtari D.D (tashmë i ndjerë) kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 i KPRK-së, lidhur me nenin 31, bashkëkryerja në KPRK-së dhe veprën penale mospërfillja e gjykatës nga neni 393 i KPRK-së.

    Byroja Kosovare e Sigurimit përmes një e-maili nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet dhe pretendimet e policisë.

    Por Faik Sylejmani, Drejtor i Departamentit Ligjor, Administratë dhe Trajnime në Byro, ka kthyer si përgjigje një lloj ligjërate për aspektet ligjore dhe etike se si duhet raportuar në gazetari. Ai ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë marrëveshje të jashtëligjshme. Ndërkaq, në këtë komunikim ka përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës duke shprehur pakënaqësi për raportin e policisë se pse e posedon Preportr.

    “Sigurisht lidhur me dilemat dhe shqetësimet tua lidhur me përmbajtjen e aktgjykimeve referuese, do të njoftojmë edhe Drejtorin Ekzekutiv, Bordin e Drejtoreve të institucionit që përfaqësoni, përfshirë dhe donatorët e institucionit që përfaqësoni për domosdoshmërinë e ndjekjes së trajnimeve bazike të gazetarisë, trajnimeve përkitazi me trajtimit të dokumentacioneve në fazat hetimore, përdorimin e tyre si dhe domosdoshmërinë e të kuptuarit të dispozitivëve të aktgjykimeve referuese”, ka shkruar ndër të tjera Sylejmani.

    Lidhur me këtë rast dhe pretendimet e policisë, Preportr ka pyetur me shkrim përmes emal-it dhe telefonit te Venhar Hana, ndërkohë ai është përgjigjur shkurt përmes telefonit se është shkruar mjaftueshëm për këtë çështje dhe se nuk ka se çka të thotë për këtë temë.

    Mujaj: Çështja është zgjidhur në harmoni me ligjin

    Avokati Bajram Mujaj përmes një përgjigje me shkrim nga aplikacioni Viber ka thënë për Preportr, se rasti është kthyer në rigjykim dhe se nuk kanë bërë padi të dytë siç theksohet në raportin e policisë. Ai thotë se çështja është zgjidhur në harmoni me ligjin.

    “Gjykata e Apelit në Prishtinë, pjesërisht e ndryshon Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Istog, e pjesërisht e kthen në rigjykim këtë çështje, në ndërkohë e pranojmë një ofertë nga e paditura që këtë çështje ta mbyllim me marrëveshje jashtëgjyqësore me qëllim të ekonomizimit të procedurës dhe mos krijimit të shpenzimeve të reja, për çka palët e pranojnë ofertën e ofruar nga BKS-ja, dhe kemi lidhur marrëveshje jashtëgjyqësore”, thotë Mujaj.

    Por, raporti i policisë thekson se rasti nuk është kthyer në rigjykim dhe se këtë e dëshmon edhe revizioni që avokati Mujaj e ka bërë në Gjykatën Supreme.

    Ndërkaq, i pyetur se a ka bërë revizion në Gjykatën Supreme, pasi që ajo gjë përmendet në raportin e policisë si fakt i vërtetimit të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Mujaj e ka mohuar një gjë të tillë.

    “Jo, nuk kam bërë revizion, ngase lënda është kthyer në rigjykim”, ka thënë Mujaj.

    Preportr përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, në të cilin thuhet se refuzohet si i pabazuar revizioni i palëve M.L dhe N.M, të përfaqësuar nga avokati Bajram Mujaj, kundër Byrosë Kosovare të Sigurimit, përkatësisht kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit për këtë rast.

    “E paditura në përgjigje të revizionit kundërshton thëniet e pretendimet e revizionit dhe propozon që revizioni i paditësve të refuzohet si i pabazuar, duke shtuar edhe se e paditura ka përmbushur në tërësi të gjitha detyrimet, duke ua bërë paditësve pagesën e kompensimit të dëmit sipas aktgjykimit të goditur me revizion në shumën e përgjithshme prej 65.240,00 euro më datë 1.3.2019”, thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

    Pra, ky aktgjykim tregon se është bërë revizion nga Mujaj dhe se i ai është refuzuar nga Gjykata Supreme.

    Në këtë aktgjykim thuhet se pretendimet e revizionit Gjykata Supreme i vlerësoi si të pabazuara për të njëjtat shkaqe dhe arsye të dhëna nga ana e gjykatës së shkallës së dytë.

    “Kompensimi i gjykuar paditësve është në përputhje të plotë edhe me praktikat e mira gjyqësore në rastet e ngjashme të caktimit të kompensimit”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

    Në vazhdimësi të komunikimit me avokatin Mujaj, Preportr ia ka dërguar aktgjykimin e supremes, i cili dëshmon të kundërtën e asaj që ai është prononcuar.

    Gjatë një prononcimi tjetër, Mujaj tha se nuk i kujtohet nëse ka bërë revizion në Gjykatën Supreme. “Ka kaluar kohë e gjatë dhe po harroj, nuk e di”, ka thënë Mujaj.

    “Gjykata e Apelit pjesërisht e ka ndryshuar për lëndime trupore të paditësve, e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Istogut, ndërsa për rentë e ka kthyer në rigjykim. Atëherë kemi bërë marrëveshje jashtëgjyqësore, paditësit me të paditurën janë pajtuar dhe unë veç e kam nënshkruar atë marrëveshje. Kështu që për mua gjithçka është në rregull”, ka thënë avokati Mujaj.

    Preportr përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, e ka marrë aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për këtë rast. Për ta analizuar këtë aktgjykim Preportr ka marrë një mendim të avokatit Arbër Jashari.

    Ai ka thënë se “vendimi përkatës në pikat I, II, III, dhe V është aktgjykim i formës se prerë dhe e vetmja mundësi për ta goditur është përmes mjeteve të jashtëzakonshme juridike në Gjykatën Supreme, sikur që është revizioni apo ndonjë mjet tjetër. Ndërsa pika IV, thekson se aktgjykimi i shkalles së parë prishet vetëm në çështjen që ka të bëjë me shpenzimet e mjekimit dhe lënda për ketë pjese është kthyer në rigjykim,” thotë avokati Jashari.

    Preportr përmes një kërkese për qasje në dokumente publike ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Pejës aktgjykimi i shkallës së parë për këtë rast, të gjitha shkresat e këtij rasti, të gjitha shkresat (procesverbalet) e lëndës dhe marrëveshjen jashtëgjyqësore. Por nga kjo gjykatë na është refuzuar qasja në të gjitha pikat e kërkesës, edhe në aktgjykim, dokument i cili duhet të jetë publik. Lidhur me këtë refuzim Preportr më 3 dhjetor 2024 ka bërë ankesë në Agjencinë për Privatësi dhe Informim. Më datën 18.03 2025 kemi pranuar një vendim nga kjo agjenci, në të cilin thuhet se është aprovuar pjesërisht kërkesa e organizatës Çohu në aktgjykim dhe në procesverbalet e lëndës dhe se Gjykata Themelore e Pejës duhet të na lejojë qasje brenda shtatë ditëve, ndërkaq nuk është aprovuar kërkesa për marrëveshjen gjyqësore dhe shkresat e lëndës.

    U ndryshua aktgjykimi për përmbarim të paligjshëm

    Në një pikë tjetër të raportit të policisë thuhet se Sami Mazreku bashkë me zyrën e përmbarimit privat “Vais Law” kishin bërë përmbarim të kundërligjshëm ndaj J.M një qytetar nga Peja në vlerë prej 10 mijë e 632 euro. Kjo kishte ndodhur sipas propozimit të Byrosë, edhe pse në rastin konkret aktgjykimi i datës 22.10.2019 nga gjykata kishte konfirmuar të kundërtën.

    Sipas raportit të policisë, Byroja e kishte paditur qytetarin në Gjykatën Themelore të Pejës, por lënda ishte parashkruar. Pavarësisht nga kjo, Byroja ka bërë propozim për përmbarim, të cilin e ka zbatuar përmbaruesi Valdrin Beka që sipas raportit të policisë dyshohet se kundërligjshëm e ka lejuar këtë përmbarim me datën 26.05.2021. Por qytetari përmes procedurës së prapësimit e ka fituar rastin në gjykatë.

    Sipas policisë, nga dëshmitë e mbledhura për këtë lëndë, ekziston dyshimi i bazuar se Sami Mazreku drejtor ekzekutiv i Byrosë, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, “duke përgatitur dokumentin zyrtar, propozim për përmbarim në të cilin shënon të dhëna të rreme dhe me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar e cila përmban të dhëna të rreme (ndryshuar përmbajtjen e aktgjykimit të plotfuqishëm C.nr.885/16 të datës 25.09.2019 të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Pejë) dhe e dërgon në zyrën e përmbaruesit privat ‘Vais Law’”.

    Raporti konkludon se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit (Sami Mazreku dhe Valdrin Beka), kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprën penale mospërfillja e gjykatës, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Kosovës (neni 414 dhe 393).

    Preportr ka dërguar pyetje në adresë të “Vais Law” dhe përmbaruesit Valdrin Beka (përmes e-mailit dhe telefonit). Ndërkohë, pas disa javësh ka kontaktuar edhe me zyrën e tij, të cilët na kanë thënë se do t’ia përcjellin porosinë. Por edhe pas pritjes për më shumë se katër muaj dhe insistimit nuk ka marrë përgjigje.

    “Përfituan nga 25 mijë euro kundërligjshëm”

    Sipas raportit të policisë, në bazë të dëshmive të siguruara, ekziston dyshimi i bazuar se Venhar Hana së bashku me Sami Mazrekun, kundërligjshëm kanë përfituar shumën prej 25 mijë euro neto secili në emër të shpërblimit për punën e kryer.

    Lidhur me këtë vendim policia thekson se ka kërkuar procesverbalin e mbledhjes, përmes të cilit është marrë ai vendim, por në bazë të arkivit të Byrosë ai procesverbal nuk ekziston.

    “Nga dëshmitë e mbledhura për këtë lëndë dyshohet se Sami Mazreku dhe Venhar Hana – udhëheqës i zyrës ligjore të Byrosë, si persona përgjegjës gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike në BKS, përmes përpilimit të dokumenteve me përmbajtje të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për ndonjë person tjetër, kanë kryer veprën penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike nga neni 284 paragrafi 1.2 të KPRK-së”, thuhet në raportin e policisë.

    Lidhur me të gjitha këto dyshime të përmendura më lartë, në raport thuhet se Policia e Kosovës më 23.04.2024 ka intervistuar Sami Mazrekun në cilësinë e dëshmitarit. Gjithashtu, përmes raportit informues, policia ka kërkuar autorizim nga prokuroria që të gjithë të dyshuarit e përmendur në raport t’i intervistojë në cilësinë e të dyshuarve.

    Raporti gjithashtu i ka edhe dy pika ku njëra hedh dyshime mbi miratimin në mënyrë joligjore të Statutit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe tjetra për dyshimet për keqpërdorim nga ana e byrosë të mjeteve të ndara nga Ministria e Financave për byronë në vitin 2020 në emër të marrëveshjes për policat kufitare.

    Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim nuk ka dhënë informacione lidhur me rastin, përkatësisht se a i ka intervistuar personat e lartcekur, dhe në çfarë cilësie. Në përgjigje theksohet se të dhënat e kërkuara janë të mbrojtura me ligj.

    Në anën tjetër edhe pas dërgimit të pyetjeve me shkrim përmes telefonit, pritjes për më shumë se katër muaj dhe tentimit për ta kontaktuar përmes telefonit, Sami Mazreku nuk është përgjigjur në pyetjet e Preportr lidhur me pretendimet e policisë.

    Preportr që prej datës 25 shtator ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, por edhe përkundër insistimit dhe ridërgimit të pyetjeve për disa herë dhe kontaktimit të Zyrës për Informim të kësaj prokurorie, nuk ka marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje.

    BQK evidenton keqmenaxhim të theksuar në Byro

    Preportr ka bërë një hulumtim lidhur me menaxhimin në tërësi të Byrosë në vitet e fundit dhe ka siguruar një raport të brendshëm të ekzaminimit që Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e ka bërë në Byro. Ekzaminimi ka filluar me datën 6 korrik 2023 dhe ka përfunduar më 15 gusht 2023 duke përdorur të dhënat financiare të datës 31 dhjetor 2022 dhe të datës 31 mars 2023. Qëllimi i ekzaminimit ishte vlerësimi i gjendjes së përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit, duke vlerësuar efektshmërinë e funksionimit të kontrolleve të brendshme, pajtueshmërinë me ligjet dhe rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës.

    Gjetjet e këtij ekzaminimi tregojnë për një keqmenaxhim të theksuar në Byronë Kosovare të Sigurimit në disa segmente.

    Ekzaminimi i BQK-së ka gjetur se në Byro ka pasur mungesë të kontrollit të brendshëm, mosrealizim të auditimeve të brendshme përkundër planit të aprovuar, moszbatim të rekomandimeve të dhëna nga BQK-ja etj. Sipas raportit ekzaminues, me veprimet që janë bërë në atë periudhë kohore, është shkelur Ligji për Sigurimet dhe rregulloret e brendshme të Byrosë.

    Në raport theksohet se rreziku qeverisës i Byrosë vlerësohet i lartë. Ekzaminimi evidenton mungesë të kontrollit dhe mbikëqyrje të dobët nga Asambleja e Përgjithshme në raport me operacionet e Byrosë. Çështjet e evidentuara në ekzaminim lidhen me mbivlerësimin e mundshëm të pagës së dëmeve, mostransparencën e duhur të shpenzimeve administrative, keqmenaxhim të resurseve humane dhe çështjeve të ndjeshme të rrezikut operacional të teknologjisë informative, të cilat cilësohen si dobësi menaxhimi operacional dhe dështimit të mbikëqyrjes.

    Sipas raportit të BQK-së, në Byro nuk është kryer auditim i brendshëm në fushat e rëndësishme të pagesës së dëmeve, financave dhe teknologjisë informative, përkundër rëndësisë kritike dhe planit të auditimit të aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme.

    “Auditori i brendshëm paraprak, i cili ka paraqitur të gjetura për trajtimin dhe pagesën e dëmeve në raportet e auditimit të brendshëm të prezantuara në vitin 2018, është larguar nga pozita e auditorit të brendshëm, meqenëse nuk i është vazhduar kontrata e punës”, thuhet ndër të tjera në raport.

    Udhëheqësit të zyrës së auditimit të brendshëm, Kujtim Graiçevci i ka shkuar një njoftim se nuk do t’i vazhdohet kontrata e punës. Ky njoftim nuk ka këshillë juridike se ku mund të adresohet pala.

    Graiçevci thotë se ka filluar punën në vitin 2012 dhe se nuk i është treguar arsyeja e largimit nga puna më 31 dhjetor 2020. Ai më 22 tetor të vitit 2024 e ka mbajtur seancën e tretë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Po atë ditë atë e takoi ekipi i Preportr.

    Ai thotë se mosvazhdimi i kontratës së punës mund të lidhet edhe me gjetjet që i ka bërë si auditor i brendshëm e të cilat mund të mos i kenë pëlqyer dikujt.

    “Padia për rastin kërkon anulim të njoftimit për mosvazhdim të kontratë së punës për arsyen e shkeljes se Statutit të BKS-së, ku janë të përcaktuara kompetencat e Asamblesë për zgjedhjen dhe shkarkimin e auditorit të brendshëm”, thotë Graiçevci. Pra, vendimin për punësimin e tij e ka marrë Asambleja e Përgjithshme, ndërkaq njoftimin për mos vazhdim të kontratës e ka bërë u.d drejtori në atë kohë SamiMazreku.

    Në anën tjetër ekzaminimi ka gjetur se për vitin 2022 ka tejkalim të shpenzimeve për paga, reprezentacion, mirëmbajtje të zyrave dhe automjeteve.

    Byroja kishte të punësuar një zyrtar për komunikim me publikun me pagë në lartësi të pagës së drejtorit të departamenteve. Po ashtu kishte punësuar edhe këshilltar për marrëdhënie me institucione.

    “Për zyrtarët në fjalë janë kërkuar raporte pune, ku do të dokumentohej angazhimi i tyre, mirëpo raportet respektive nuk janë ofruar nga Byroja”, thuhet në raport.

    Aty theksohet se angazhimi i punonjësve në fjalë për të njëjtin fushëveprim mund të jetë jo i arsyeshëm dhe i panevojshëm për profilin e Byrosë, duke rezultuar me shpenzime shtesë.

    Ekzaminimi i BQK-së ka evidentuar edhe shpenzime të tjera për të cilat nuk janë të arsyetuara. Për vitin 2022, sipas të dhënave të ofruara, shpenzimet e punëtorive janë në shumën prej 38 mijë euro, ku 25 mijë prej tyre janë paguar për agjensionin turistik “Sharr Travel” lidhur me shërbimet e akomodimit dhe transportit. Raporti thekson se për këto pagesa në emër të udhëtimeve për punëtoritë e autorizuara nga kryeshefi ekzekutiv, përveç faturave dhe konfirmimeve bankare mbi pagesën e bërë, nuk është dokumentuar arsyeshmëria e tyre, sikurse punëtoritë e organizuara/qëllimi i ngjarjeve respektive, numri i pjesëmarrësve dhe elementet tjera. Po ashtu, byroja nuk ka argumentuar mënyrën e përzgjedhjes së subjektit në fjalë duke rezultuar me jotransparencë, thekson raporti.

    Nga kompania “Sharr Travel” kanë thënë për Preportr se i kanë kryer këto shërbime për Byronë gjatë vitit 2022 sipas kërkesave të tyre, por edhe përkundër insistimit, nuk kanë ofruar të dhëna se për sa punëtori dhe pjesëmarrës kanë organizuar transportin dhe akomodimin.

    Parregullsi janë evidentuar edhe në trajtimin dhe pagesën e dëmeve. Tabela më të dhënat e përmbledhura nga raporti i BQK-së tregon për mospërputhje të mëdha mes dëmeve të vlerësuara nga ekspertiza dhe pagesave që ka bërë Byroja.

    Largime të paligjshme nga puna

    Sipas raportit të BQK-së, Byroja ekspozohet në rrezik të lartë ligjor që lidhet me largimin e punëtorëve nga puna, duke mos uavazhduar kontratat e punës, ku vendimi për largim nuk përmban arsyetimin e largimit.

    Aty theksohet se praktikat e ndjekura të largimit të punonjësve përkundër përvojës së punës dhe mënyrës se si janë larguar, mund të jenë në kundërshtim me kërkesat ligjore që rregullojnë marrëdhënien e punës. Raporti thotë se sipas të dhënave të ofruara nga Byroja dhe sipas padive të ngritura, gjatë viteve 2020-2022 janë larguar 18 punonjës, përderisa në periudhën e 2021-2023 janë pranuar në punë 26 punonjës të rinj, pa iu nënshtruar fare procesit të rekrutimit.

    “Sipas të dhënave të ofruara gjatë ekzaminimit, kërkesat nga paditë e ngritura nga punonjësit dhe ish-punonjësit janë në vlerë rreth 746 mijë euro. Ndërsa, paditë e ngritura nga siguruesit janë në vlerë prej 1 milion e 739 mijë euro”, thuhet në raport.

    Punëtorët të cilëve nuk u është vazhduar kontrata i kanë dërguar rastet në gjykatën kompetente e disa edhe në Inspektoratin e Punës. Preportr ka marrë disa nga vendimet e inspektoratit për këto raste dhe aty rezulton se ka pasur shkelje të ndryshme në mosvazhdimin e kontratave të punës për punëtorët.

    Shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me faktin se disa punëtorë kishin punuar mbi 10 vite në Byro dhe forma e ndërprerjes së marrëdhënies së punës ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Punës.

    Inspektorati i Punës ka konstatuar se në disa prej vendimeve nuk ka pasur fare udhëzim juridik, në mënyrë që punëtorët të udhëzohen se si duhet ta kërkojnë të drejtën e tyre. Për këto veprime, Byroja ishte dënuar nga 1 mijë deri në 3 mijë euro, varësisht nga shkeljet në secilin rast.

    Por ka pasur edhe një rast kur një grua ka qenë në pushim të lehonisë dhe nuk i është vazhduar kontrata e punës. Për këtë rast inspektorati në të dy shkallet i ka dhënë të drejtë punëtores, pasi që mosvazhdimi i kontratës gjatë pushimit të lehonisë, bie në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe e ka gjobitur byronë me dy mijë euro.

    “Njoftimi i punëdhënësit për mosvazhdimin e kontratës së punës, është në kundërshtim me dispozitën e Ligjit të Punës 03/L-212 Neni 53 Ndalimi i shkëputjes së kontratës Gjatë kohës së shtatzënisë, pushimit të lehonisë dhe mungesës në punë për shkak të përkujdesjes së veçantë ndaj fëmijës, punëdhënësi nuk mund t’ia shkëpusë kontratën të punësuarit dhe t’ia ndërrojë vendin e punës, përveç në rastet e shkëputjes së kontratës sipas nenit 76 të këtij ligji”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Inspektoratit të Punës për rastin e lehonës.

    Sipas të dhënave të ofruara gjatë ekzaminimit, kërkesat nga paditë e ngritura nga punonjësit dhe ish-punonjësit janë në vlerë rreth 746 mijë euro. Ndërsa, paditë e ngritura nga siguruesit janë në vlerë prej 1 milion e 739 mijë euro. Raporti i ezkaminmit i BQK-së.

    Nga Byroja Kosovare e Sigurimit, përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se nuk i komentojnë gjetjet e raportit, duke theksuar se raportet e ekzaminimit të BQK-së janë konfidenciale.

    Preportr raporton se ka pyetur BQK-në lidhur me këtë raport dhe marrjen e masave bazuar mbi këtë raport, por nga ky insitucion e kanë konsideruar këtë gjë si konfidenciale dhe nuk na kanë ofruar dokumentacion për marrjen e masave.

    Në përgjigjen e BQK-së thuhet se në pajtim me nenin 67 të Ligjit për BQK-në dhe nenin 124 të Ligjit për Sigurime, BQK mund të shqiptojë, proporcionalisht me shkeljet, masa administrative ndaj një siguruesi, ndërmjetësuesve të sigurimeve, dhe subjekteve tjera, mbi të cilat ka autoritet t’i licencojë, rregullojë dhe mbikëqyrë, nëse konstaton se siguruesi, këto subjekte, cilido nga aksionarët e rëndësishëm, drejtorët, menaxhmenti i lartë apo punonjësit e tyre, kanë shkelur ndonjë dispozitë, rregullore ose urdhër të lëshuar nga BQK-ja.

    Byroja Kosovare e Sigurimit, është themeluar më 07.09.2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr.04/L-018 mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Qeveria e Republikës së Kosovës i njeh këtij institucioni statusin e Byrosë nacionale të sigurimit me të drejta të pakufizuara në cilësi të Byrosë pagesë dhe Byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit. Byroja dhe anëtarët sigurues të saj i nënshtrohen mbikëqyrjes së Bankës Qendrore të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!