×
  • Lajme
  • Fokus / Vazhdimi i seancës
    INSTANT

    Kadrijaj: S’presim ndonjë ndryshim as sot, ai duhet të vijë nga VV-ja nëse e ndryshojnë kandidatin

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 10:35

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se nuk pret asnjë ndryshim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Ajo theksoi se ndryshimi duhet të vijë nga Vetëvendosje.

    “S’po presim asnjë ndryshim, ndryshimi mundet me ardh prej VV-së, nëse e ndryshojnë kandidatin, nëse e ndryshojnë qasjen. Ndryshimi i kandidatit do të ishte një zgjidhje”, tha ajo.

    Ajo përmendi edhe opsionin që si parti kanë dhënë lidhur me votimin e kandidatëve të VV-së nga AAK-ja.

    “Ne kemi dhënë emrat e kandidatëve që i kishim votuar nga VV, edhe pse s’është obligim i partive tjera me votu kandidatin parlamentar”, tha ajo.

    /Reporteri.net/

    Çitaku i bën thirrje Kurtit për reflektim: Kosova po vazhdon të mbetet peng i kryeneçësisë së tij

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 11:39

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova po vazhdon të mbahet peng për shkak të kryeneçësisë së deputetit Albin Kurti, shkruan Reporteri.net.

    Pas dështimit të seancës, Çitaku i bëri thirrje Kurtit që të reflektojë.

    Ajo tha se qytetarët kanë votuar për institucione të reja të cilat do duhej të ballafaqoheshin me sfidat e tyre.

    “Kosova dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbesin peng i kryeneçësisë së Kryeministrit në detyrë, deputetit Albin Kurti. Nga kjo konferencë këtu i bëjmë thirrje që të reflektojë. qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. I bëjmë apel në mënyrë që të ecim tutje”, tha ajo.

    /Reporteri.net/

    Seancë ‘hajgare’ sërish, veç 2 minuta e 44 sekonda zgjati tentativa e 21-të për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 11:29

    Edhe kësaj radhe pa rezultat seanca as tre minutëshe për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë nuk kaloi as kësaj radhe.

    Partitë tjera përveç VV-së nuk propozuan deputetë për anëtarë të Komisionit për votimin e fshehtë.

    Në sallë ishin të pranishëm 90 deputetë.

    53 deputetë për, kundër 1, abstenim nuk ka.

    Seanca u bë e ditur se do të vazhdojë javën e ardhme, të martën më 27 maj në ora 11:00

    VV-ja po insiston në emrin e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare.

    Partitë tjera, PDK-ja dhe AAK-ja kanë propozuar që nëse ndryshohet emri i kandidatit nga VV-ja, do ta votojnë Kryeparlamentarin.

    /Reporteri.net./

    Abdixhiku arrin në Kuvend, s’deklarohet për media

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 11:08

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka arritur në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive, shkruan Reporteri.net.

    Abdixhiku s’pranoi të deklarohej para gazetarëve kur u pyet nëse presin ndonjë ndryshim në këtë tentativë të 21-të.

    Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje insiston në emrin e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, kandidaturë kjo e kundërshtuar vazhdimisht nga partitë tjera politike.

    /Reporteri.net/

    Gruda: S’ka ndryshuar asgjë, s’ka asnjë ndryshim të pozicionit

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 11:06

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka thënë se s’ka ndonjë ndryshim lidhur me seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Ai theksoi se asgjë s’ka ndryshuar deri tani.

    “Nuk ka ndryshuar asgjë. S’kam diçka të re, ndonjë deklaratë. S’ka asnjë ndryshim të pozicionit”, tha Gruda para gazetarëve.

    /Reporteri.net/

    Bahtiri: 21 orë janë shumë pa rezultat, e lëre 21 mbledhje, ne s’jemi bllokues

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 10:59

    Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri ka thënë se VV-ja është e gatshme të jap kontributin për të çbllokuar situatën, shkruan Reporteri.net.

    “Ne çdo herë jemi të gatshëm të jepim kontribut të çbllokojmë këtë situatë”, tha ai, ndërsa i pyetur nëse VV-ja po intervenon tek shtetet tjera për të siguruar vota, ai tha se ska informacione për këtë.

    “Ne po bëjmë përpjekje të çbllokojmë situatën edhe të ecim përpara”.

    I pyetur nëse janë shumë 21 mbledhje deri tani, e pa rezultat, Bahtiri i VV-së tha se edhe 21 orë janë shumë.

    “21 orë janë shumë se e lëre 21 ditë. Ne jemi çdo herë pro, nuk jemi bllokues”, tha Bahtiri para seancës.

    /Reporteri.net/

    Emilja Rexhepi: Duhet votuar për Kryeparlamentar, pavarësisht kush është

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 10:50

    Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilja Rexhepi tha se kandidatja e VV-së për Kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, duhet të votohet, shkruan Reporteri.net.

    Ajo para gazetarëve tha se pavarësisht kush është për Kryetar të Kuvendit, duhet votuar, pasi siç tha ajo është obligim i deputetëve të votojnë.

    “Duhet si deputet me votu për kryetar të Kuvendit pavarësisht kush është. E kemi obligim me votu”, tha Rexhepi.

    /Reporteri.net/

    20 përpjekje të dështuara, sot sërish vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 8:17

    Një tjetër përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të bëhet të dielën e 25 majit, që do të jetë edhe seanca e 21-të çdo 48 orë që nga 15 prilli, shkruan Reporteri.net.

    VV në të gjitha seancat e fundit ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në votim të fshehtë, për çka nuk ka marrë përkrahje.

    Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po vazhdon, partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën e krijuar.

    Nga PDK, LDK dhe AAK thonë se Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk i ka votat dhe e akuzojnë se e ka futur shtetin në izolim.

    Para seancës së fundit, a të së premtes madje pati deklarata se janë ofruar poste në këmbim të votës për Albulena Haxhiun. Ishte deputetja boshnjake, Duda Balje ajo që ka konfirmuar se i kanë ofruar punë si profesoreshë në Maqedoni të Veriut, në këmbim të votës për zgjedhjen e Albulena Haxhiu Kryetare Kuvendi.

    Balje tha se ka pasur 2-3 thirrje për këtë çështje, por se ka refuzuar duke e cilësuar këtë si të papranueshme.

    “Po është e vërtetë. Pata disa thirrje, që s’janë persona direkt, të politikës. Janë shoqëri. Para disa vite kam apliku për vendin e profesoreshës në Maqedoni sepse kam shtetësinë e Maqedonisë dhe e flas mirë gjuhën. Kam plotësu krejt kushtet. Më s’kam apliku. Tash kanë thanë se ka mundësi me bisedu për vendin e punës”, ka thënë Balje të premten.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

    Presidentja Osmani pas një takimi që kishte javën e kaluar me krerët e partive politike, ka paralajmëruar se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, nëse nuk gjindet një zgjidhje. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim nga palët.

    Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!