Kompania përgjegjëse për paraqitjen e rezultateve të zgjedhjeve në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor, CACTTUS sh.a, ka thënë se faqja e KQZ gjatë ditës së djeshme por edhe gjatë ditës së sotme është përballur me sulme kibernetike.
“Faqja e internetit të KQZ-së, së bashku me infrastrukturën tjetër qeveritare, ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike të vazhdueshme, si gjatë ditës së zgjedhjeve, poashtu duke vazhduar edhe sot. Sipas analizës së ekspertëve tonë (në foto), këto sulme përfshijnë sulme DdoS (Distributed Denial Of Service Attack). Ky lloj sulmesh (DDoS) është një lloj sulmi kibernetik që synon të ndërpresë trafikun normal të internet serverit, shërbimit ose rrjetit të synuar (në këtë rast të KQZ-së dhe ASHI) duke e mbingarkuar atë me një vërshim të trafikut të internetit. Në thelb, është si një bllokim i madh trafiku në një autostradë digjitale, duke penguar përdoruesit legjitimë të arrijnë në destinacionin e tyre. Ndërsa vetë aplikacioni i votimit mbeti i sigurt dhe funksional, këto sulme kanë paraqitur një sfidë shtesë për ruajtjen e disponueshmërisë së vazhdueshme të faqes së internetit. Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Komisionin Zgjedhor të Kosovës, organet e drejtësisë dhe agjencitë qeveritare përkatëse për të zbutur këto sulme dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit.”, është thënë në deklaratën e tyre.
Në deklaratën e tyre kjo kompani fajet i ka hedhur mbi KQZ-në. Nga kjo kompani thanë që problemi ishte i lidhur me infrastrukturën që mbështeste faqen e internetit të qasshme dhe jo me logjikën themelore të aplikacionit të votimit të zhvilluar nga ta.
“Sfida e mëvonshme lindi nga vëllimi i paprecedent i trafikut në faqen e internetit të zgjedhjeve, i cili mbingarkoi konfigurimin ekzistues të aplikacionit Cloudflare
(Cloudflare – www.cloudflare.com, vepron si një ndërmjetës midis faqes së internetit/aplikacionit dhe vizitorëve të saj, duke përmirësuar performancën dhe sigurinë). Ky moskonfigurim adekuat i
aplikacionit CloudFlare (aplikimi dhe menaxhimi i të cilit është në përgjegjësi të ASHI/KQZ-së, dhe nuk është dhe nuk ka qenë në përgjegjësi e as në kompetencë të CACTTUS. Aplikacionit Softuerik për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, i dizajnuar dhe zhvilluar nga CACTTUS sh.a. si dhe sistemi rezervë (backup) i instaluar në KQZ, kanë performuar / funksionuar
sipas pritshmërive njëlloj sikur kur janë simuluar dhe testuar. E theksojmë edhe njëherë se problemi ishte i lidhur me infrastrukturën që mbështeste faqen e internetit të qasshme (aksesueshme nga publiku), konkretisht konfigurimin e Cloudflare, dhe jo me logjikën themelore të aplikacionit të votimit të zhvilluar nga CACTTUS sh.a.”, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.
Nga kompania thonë se janë të vetëdijshëm për problemet e mbrëmshme dhe se e kuptojnë këtë.
“Jemi të vetëdijshëm se webfaqja e KQZ-së pati probleme me performancën në orët e mbrëmjes të ditës së zgjedhjeve (09 Shkurt 2025) gjatë kulmit të trafikut, duke rezultuar në vonesa në paraqitjen e të dhënave në faqen e internetit të zgjedhjeve. E kuptojmë rëndësinë e këtij sistemi dhe besimin e publikut në të për rezultate zgjedhore të shpejta dhe të sakta.” – thuhet ndër të tjera në komunikatë.