Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit është tejkaluar problemi për publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike nga procesi i votimit më 9 shkurt.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, të dhënat po shfaqen pa ndonjë pengesë në platformën e rezultateve dhe deri më tani janë procesuar rreth 90% e vendvotimeve.
“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit është tejkaluar problemi për publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike nga procesi i votimit më 9 shkurt. Të dhënat po shfaqen pa ndonjë pengesë në platformën e rezultateve dhe deri më tani janë procesuar rreth 90% e vendvotimeve. Mediat dhe qytetarët mund t’i referohen këtyre të dhënave që po shfaqen në platformën elektronike. Gjatë gjithë natës, KQZ ka verifikuar rezultatet që kanë arritur në platformën elektronike duke i krahahsuar me të dhënat nga formularët e rezultateve të subjekteve politike që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.”, ka thënë Elezi për gazetën online Reporteri.net.
Ndryshe, mbrëmjen e 9 shkurtit, kur ishin numëruar 23.5% e votave, faqja zyrtare e KQZ-së doli jashtë funksionit.