×
  • Lajme
  • Fokus

    Zëvendësministrja çeke: Gratë janë të afta vetë, por kuotat ndihmuan që zëri ynë të dëgjohet

    Reporteri
    02 Qershor 2025 | 15:22

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme në Republikën e Çekisë, pjesëmarrëse në një nga panelet në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ndau një mbi rëndësinë e përfaqësimit të grave në pozita drejtuese dhe rolin e kuotave në këtë proces.

    “Jam plotësisht dakord me idenë se promovimi i grave në pozita udhëheqëse është mënyra për t’i përfshirë ato në këtë mënyrë të të menduarit. Dhe kjo duhet të ndodhë në nivel kombëtar apo në organizatat ndërkombëtare,” theksoi ajo.

    Duke folur nga përvoja e saj personale, ajo tregoi se kuotat për përfaqësimin e grave kishin një ndikim pozitiv konkret në institucionet ku kishte shërbyer, përfshirë Komisionin Evropian.

    “Personalisht, nuk jam shumë pro kuotave sepse besoj se ne gratë jemi të afta dhe të forta mjaftueshëm për të arritur në këto pozita mbi bazën e meritës sonë. Por duhet të them se në Komisionin Evropian, kjo ka ndihmuar. Për 10 vite, këto kuota u zbatuan. Dhe tani mund të shihni se gratë në pozita drejtuese, të cilat janë ulur në tryezat e paqes, si Ursula von der Leyen apo Kaja Pallas, janë gra. Kështu që ka ndihmuar. Kuotat ndihmuan në krijimin e një mase kritike brenda institucionit. Dhe më pas, pas përfundimit të kuotave, situata u korrigjua vetvetiu”

    Komentet e saj vijnë në një kohë kur shtetet dhe organizatat ndërkombëtare po shqyrtojnë politika më gjithëpërfshirëse për të nxitur barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave në proceset vendimmarrëse, sidomos në fushat e paqes dhe sigurisë.

    Forumi, i mbajtur në Prishtinë, mblodhi zyrtarë të lartë, diplomatë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë bota, për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt barazisë gjinore dhe ndërtimit të paqes së qëndrueshme.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!