×
Intervista

Ambasadori Hovenier: Kosova nën sanksionet e SHBA-së, na vije keq që kemi ardhur deri këtu

Reporteri
30 Maj 2023 | 19:12
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Intervista e plotë e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhënë sot para gazetarëve Jeta Xharra, Adriatik Kelmendi, Leart Hoxha, Amra Zejneli, Berat Buzhala dhe Isak Vorgucic.

Hovenier: Kjo ishte një krizë e cila nga këndvështrimi ynë ishte e panevojshme. Operacioni që u zhvillua të premten për ta marrë qasjen në ndërtesat komunale në mënyrë të dhunshme, nuk ishte i bërë në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Kur ishim në dijeni, udhëzuam fuqishëm që kjo të mos ndodhte, sepse kemi pritur pasojat të cilat tani po i shohim. Ne besojmë se kjo ka pasur ndikim negativ në reputacion për Kosovën, është hap prapa në përpjekjet tona për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe siç tha Sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe siç ne kemi thënë në deklaratën tonë nga Departamenti i Shtetit, ka ndikim në marrëdhëniet bilaterale. Indikacioni i parë i kësaj ishte vendimi i marrë mbrëmë nga komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, Gjeneral Cavoli, për ta anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në “Defender Europe 23”, dhe siç keni mundur ta vëreni, nuk ka pasur aktivitete të lidhura me “Defender Europe 23” sot dhe nuk do të ketë më për Kosovën. Kjo stërvitje ka mbaruar. Ne jemi duke menduar edhe lidhur me përfundime të tjera, më duhet ta them se kemi kërkuar nga kryeministri Kurti, në mënyrë shumë direkte, të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të arritur deri te një depërshkallëzim në veri, ai nuk i është përgjigjur këtyre kërkesave. Andaj, ne jemi duke shqyrtuar se cilat do të jenë veprimet tona të tjera. Më duhet të them, se tani për tani, nuk ka entuziazëm shumë të madh te Shtetet e Bashkuara për t’iu përgjigjur disa prej interesave të tjera të Kosovës, siç janë angazhimi me shtetet jo njohëse, apo puna aktive për ta avancuar trajektoren evropiane apo euro-atlantike të Kosovës. Ne ndjejmë keqardhje se situata ka arritur në këtë pikë, por duhet të jem i sinqertë, se situata është kjo. Andaj, shpresa jonë është që kryeministri Kurti ta dëgjojë këshillën tonë dhe që menjëherë të ndërmarrë një veprim që të arrihet shpërshkallëzimi në veri, në mënyrë që ne të vazhdojmë me çështjen prioritet, të implementimit të plotë të marrëveshjes drejt normalizimit, dhe jo të ketë shpërqendrim të një konflikti të panevojshëm në veri”.

Ju përmendët ndikimin negativ të anulimit të “Defender Europe”. Ju filluat që pas deklaratave të fuqishme, tani të ndërmerrni edhe veprime. Sa kohë do të pritet nga kryeministri Kurti që t’i përgjigjet kërkesave tuaja?

Ne mendojmë se kjo është një situatë me të vërtetë urgjente. Është si ta keni një shtëpi të kapluar nga zjarri. Ju duhet ta shuani zjarrin. Andaj nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga Shtetet e Bashkuara, lidhur me pritjet tona nga Qeveria, duhet të ketë veprim tani që të shpërshkallëzohet situata në veri. Dhe më leni të jem i qartë, janë dy gjëra që po kërkojmë nga qeveria që t’i bëjë, për ta shpërshkallëzuar situatën. Ne besojmë se qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, qeveria ishte në gjendje të gjente lokacione alternative ku ata të betoheshin. Ne nuk mund të kuptojnë pse nuk mund të përdoren këto lokacione të njëjta alternative apo ndërtesa të tjera publike në mënyrë që ata të kryejnë detyrat e tyre, që janë detyra administrative. Ne kemi thënë se këta kryetarë kanë një rol të rëndësishëm lidhur me administrimin, por ky nuk është një proces normal dhe ata nuk kanë mandat të fortë nga elektorati i tyre për iniciativa të mëdha, andaj nuk e kuptojmë pse ka insistim që ata të punojnë nga këto ndërtesa komunale, dhe ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës, është shumë sfiduese, andaj kemi kërkuar nga Qeveria që të tërheqë policinë nga tri ndërtesat komunale. Ne mendojmë se kjo do të çonte në shpërshkallëzim.

Nëse KFOR-i merr përsipër situatën, dhe nëse dërgohen trupat e KFOR-it dhe automjetet e blinduara, a ka skenar për një ligj ushtarak apo një skenar të para vitit 2008 për të marrë kontrollin në terren?

Zakonisht nuk më pëlqen t’u përgjigjem pyetjeve hipotetike. Ajo çfarë ju po përshkruani, nuk po ndodh për momentin. KFOR-i ka një rol të rëndësishëm, por misioni i tij është të ketë lëvizje të lirshme dhe një ambient të sigurt, dhe më lejoni ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta shpreh për ju atë që e shpreha në një “tweet” ditën e djeshme, janë ngushëllimet tona për personelin e lënduar të KFOR-it por gjithashtu frustrimin tonë të thellë me atë që ndodhi atje, ky sulm ndaj paqeruajtësve që janë aty për ta ruajtur paqen. Ne nga KFOR-i presim që ta përmbushë misionin për të garantuar një ambient të sigurt dhe të lehtësojë lirinë e lëvizjes. Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës presim që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm që ta shpërshkallëzojë situatën në veri.

A përbën kërcënim për Kosovën vendimi i Serbisë për të dërguar forcat e saj drejt kufirit, të cilat janë në gjendje të plotë gatishmërie?

Nuk është kurrë shenjë e mirë kur shtetet fqinje që kanë marrëdhënie të tensionuar, mobilizojnë forcat e tyre. Por do të them se tani për tani, ato çfarë na shqetësojnë, janë veprimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, dhe kjo është ajo që po kërkojmë që të adresohet.

Kryeministri Kurti tha dje, hiç më larg se dje, se ka bashkëpunim të mirë me ju, lidhur me veriun. A është kjo deklaratë fer nga ai?

Unë do ta lë deklaratën time hapëse që të flasë vetë. Mendoj se e adresova këtë mjaft qartë.

Ju u takuat edhe me presidenten Osmani gjithashtu. A është ajo pjesë e politikave të Qeverisë, a po punojnë ata si ekip. A jeni takuar me të?

Nuk e di nëse është në rregull që unë të flas për dinamikat brenda institucioneve qeverisëse të Kosovës. Çfarë do të thosha është se presidentja Osmani ka theksuar vazhdimisht rëndësinë që ajo ka, për bashkëpunim të ngushtë dhe të plotë me komunitetin ndërkombëtar, me fokus të veçantë në Shtetet e Bashkuara. Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton shumë seriozisht.

Ju thatë se keni kërkuar nga qeveria që t’i tërheqë njësitë e forcave speciale të policisë nga komunat?

A mund ta korrigjoj këtë? Unë nuk e thash këtë. Ajo çfarë thash është të ketë tërheqje të Policisë së Kosovës nga tri ndërtesat komunale. Kjo është ajo çfarë thashë.

Meqë ka edhe KFOR amerikan, që po negocion me policinë në këto komuna, a ka ndonjë sinjal që policia do të tërhiqet?

Nuk jam në dijeni tani për tani lidhur me vendimet në nivel politik, për tërheqje të policisë nga tri ndërtesat komunale.

Dje u lënduan 25 ushtarë. Në të kaluarën ka pasur ushtarë të KFOR-it që kanë vdekur. Për asnjërën prej këtyre vdekjeve apo lëndimeve në të kaluarën nuk ka pasur llogaridhënie. Askush kurrë nuk ishte gjetur apo arrestuar. A do të lejoni që lëndimet e ushtarëve mbrëmë, përfshirë të ushtarëve amerikanë, të kalojnë pa sqarim. A po hetoni lëndimet e ushtarëve amerikanë?

Pikë së pari, faktet e juaja janë të pasakta. Nuk ka pasur lëndime të ushtarëve amerikanë dje, me aq sa unë jam në dijeni. Ne marrim shumë seriozisht rastet kur paqeruajtësit, dhe me të vërtetë nuk duhet të ketë ndasi ndërmjet ushtarëve amerikanë dhe ushtarëve të tjerë. Ushtarët e NATO-s janë ushtarë të NATO-s. Ne si aleancë vlerësojmë të gjithë, pa marrë parasysh kombësinë e tyre. Ne jemi thellë të shqetësuar nga veprimet që shkaktuan lëndimet serioze të disa prej këtyre ushtarëve. Unë dënova këto veprime edhe dje, ashtu si të gjithë kolegët e mi, por kjo nuk mohon faktin se arsyeja pse ushtarët ishin aty, për ta ruajtur paqen, ishte për shkak të një vendimi që u mor nga kryeministri Kurti, që të fitohet qasja në tri ndërtesat komunale në mënyrë të dhunshme. Dhe kjo është gjëja që të adresohet sa i përket përshkallëzimit, që është ajo që ne po kërkojmë të ndodhë.

A kemi një udhërrëfyes konkret se si të normalizohet situata në veri, marrë parasysh jo vetëm ngjarjet e fundit, por edhe njerëzit që lanë vendet e tyre të punës në vjeshtë, si policia, gjyqësori, dhe pse po shohim vetëm fajësim të palës kosovare?

Prapë, siç thash duke përdorur një analogji, nëse shtëpia është kapluar nga flakët, ju duhet ta shuani zjarrin para se të punoni për ta rinovuar kuzhinën apo gjërat e tjera që duhet të bëni. Andaj tani, çështja urgjente është që të shpërshkallëzohet situata në veri. Në aspektin afatgjatë, ne kemi udhërrëfyes. Quhet marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria amerikane ka qenë e qartë në pritjet që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha zotimet e bëra në këtë marrëveshje. Kjo po ashtu e zgjidh situatën në veri, dhe është një prej arsyeve pse presim nga qeveria e Kosovës që të vazhdojë në mënyrë urgjente përpara me procesin e negocimit të asociacionit, që do të ishte mënyra për të adresuar shumë prej çështjeve që janë shfaqur në veri.

Ju veç përmendët “Defender Europe” dhe mungesën e entuziazmit për të punuar me mos njohësit, por do të ju pyesja nëse mund të jeni më specifikë në çështjet lidhur me ato çfarë u cilësuan si pasojë e mundshme për marrëdhënien bilaterale ndërmjet Kosovës e Shteteve të Bashkuara. Çfarë pasoja të tjera afatshkurta mund të ketë, nëse nuk ndryshon situata?

Nuk e di nëse ka shumë rëndësi që unë të jem më specifik tani për tani. Ne ende po reflektojmë dhe shpresa jonë është që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kërkesave tona, dhe të ndërmarrë hapat që ta shpërshkallëzojë situatën. Ajo çfarë veç ka ndodhur është e jashtëzakonshme. Ju keni parë atë që Sekretari Blinken ka shkruar në ‘Twitter’. Është e rrallë që të ketë nivel të tillë gjuhe. Gjenerali Cavoli, mori vendimin që ta anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në “Defender Europe 23”, ky veç është një veprim i rëndësishëm. Kjo dëshmon se sa seriozisht po trajtojmë këtë çështje, dhe shpresoj se të njëjtën dot a bëjë edhe Qeveria e Kosovës.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!