×
  • Lajme
  • Art/Kulturë

    Ekspozita “Urat” hapet në Prishtinë, prezantohet trashëgimia kulturore e Arabisë Saudite

    Reporteri
    02 Maj 2025 | 12:38

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Islame të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ka hapur zyrtarisht ekspozitën “Urat” në Prishtinë.

    Kjo ekspozitë synon të shpalosë dhe promovojë trashëgiminë e pasur kulturore, fetare dhe historike të Mbretërisë Saudite për publikun kosovar dhe më gjerë.

    Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe kulturore të Kosovës, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

    Kurti, ndër të tjera gjatë një fjalimi të shkurt, ka theksuar se emri i ekspozitës “Urat” është mjaft i qëlluar, pasi përfaqëson më së miri traditën kulturore arabe dhe veçanërisht atë të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

    “Arabia Saudite ka qenë pranë popullit të Kosovës ne moment kyçe të historisë sonë më të re. Mbështetja ofruar nga ky shtet mik, sidomos gjatë periudhave të vështira ka qenë thelbësore për Kosovë dhe është dëshmie e një miqësie të fortë e të sinqertë… Kjo ekspozitë nuk do mund të kishte emër më ekspozues për traditën arabe në përgjithësi dhe mbretërinë e Arabisë Saudite, në veçanti, sesa emri i tanishëm ‘Urat’”, ka thënë Kurti.

    Në fjalën e tij, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi kulturor

    “Ky angazhim pasqyron bashkëpunim e dyja palëve për përforcimin e dy kulturave, për njohjen e vlerave sublime të islamit, inkurajimin e dialogut konstruktiv dhe ndërtimin e urave mes komuniteteve përmes artit…”, ka thënë Tërnava.

    Ekspozita “Urat” paraqet një pasqyrë të gjerë të traditave të Arabisë Saudite përmes artefakteve kulturore, fotografive historike dhe elementeve të tjera vizuale që ilustrojnë kontributin e këtij shteti në historinë dhe zhvillimin e qytetërimit islam. Nëpërmjet kësaj ekspozite, vizitorët kanë mundësinë të njihen më nga afër me aspektet shpirtërore dhe kulturore që kanë ndërtuar ura komunikimi ndërmjet popujve myslimanë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!