×
Art/Kulturë

Fushata “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër” shpall garën e fotografisë “Vepro Gjelbër”

Reporteri
27 Qershor 2024 | 10:09

Ndryshimet klimatike tashmë përbëjnë një kërcënim për mjedisin, shëndetin e njerëzve dhe ekonominë, madje edhe në Kosovë. Vendi është veçanërisht i prekshëm ndaj ngjarjeve ekstreme të motit, si thatësira dhe përmbytjet në pellgjet e lumenjve, si dhe nga burimet e kufizuara ujore. Ndryshimet klimatike po shkaktojnë gjithnjë e më shumë probleme për komunitetet, duke dëmtuar shtëpitë, bizneset dhe bujqësinë.

Fushata e ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike në Kosovë “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër” synon të rrisë dialogun për shkaqet e këtyre ndryshimeve, duke theksuar urgjencën e veprimit dhe duke shfaqur përfitimet sociale dhe ekonomike për një të ardhme të qëndrueshme. Kjo fushatë është një iniciativë e përbashkët e projekteve të GIZ-it të zbatuara në zhvillimin e qëndrueshëm/Sektori i Gjelbër.

Ndryshimet klimatike janë një sfidë kolektive, por janë historitë individuale të qëndrueshmërisë dhe inovacionit që na frymëzojnë. Andaj, në kuadër të edicionit të dytë të kësaj fushate u lansua gara e fotografisë “Vepro Gjelbër”. Kjo iniciativë fton qytetarët e Kosovës që përmes fotografisë të dokumentojnë momentet frymëzuese të heronjëve të vendit teksa ndërmarrin hapa të ndryshëm për të mbrojtur ambientin.

Me temën “Vepro Gjelbër” ftohen fotografë amatorë dhe profesionistë, që përmes një shkrepjeje të tregojnë mirënjohje për të gjithë ata që veprojnë gjelbër dhe kujdesen për mjedisin tonë si për shembull – fermerët teksa kultivojnë pemë/perime në mënyrë organike, fqinjtë teksa izolojnë shtëpitë për ta bërë më efiqiente në energji, kolegët që udhëtojnë me biçikletë në vend të makinës, të rinjtë teksa protestojnë për ambient ose pastrojnë lumin, apo rrugën e një lagjeje.

Jolanda Conrad nga GIZ ka thënë se qëllimi i kësaj gare është mirënjohja për të gjithë ata qytetarë që angazhohen çdo ditë në mbrojtjen e ambientit qoftë edhe përmes veprimeve e aksioneve simbolike duke u kujdesur për rrugën apo lagjen ku jeton, duke përdorur bicikletën në vend të makinës dhe aktiviteteve të ngjashme.

“Kjo garë ka për qëllim të nxjerrë në pah kontributin e hernjonjëve të komunitetit tonë, të cilët po bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Shpresojmë që kjo iniciativë të frymëzojë të tjerët të marrin masa dhe të kontribuojnë pët të arritur përfitime të mëdha mjedisore. Dëshirojmë të shohim përmes syve tuaj—syve të komunitetit—përpjekjet dhe iniciativat e jashtëzakonshme që po ndodhin rreth nesh.” ka thënë Condrad.

Për tu bërë pjesë e garës që zgjatë deri më 31 gusht, pjesmarrësit duhet ta postojnë fotografinë në rrjetet e tyre sociale Facebook ose Instagram, duke përdorur hashtag-un #VeproGjelbër si dhe të ndjekin faqen @mendoveprogjelber.

Pas përzgjedhjes, 10 fotografitë më të mira do të postohen në faqet zyrtare të fushatës “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër” në Facebook dhe Instagram. Në fund, 3 nga fotografitë më të votuara nga publiku në rrjetet sociale të fushates do të shpërblehen me çmime të veçanta. Fotografia e fituesit të parë do të shndërrohet në një mural, dhe do të ketë shpërblime për fituesit e kategorive tjera.

Afati i fundit për postimin e fotografive është 31 Gusht, 2024.

Për më shumë informacione, ndiqni faqen e “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër” në Instagram ose Facebook në @mendogjelberveprogjelber.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!