Në maj të këtij viti, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte hapur një thirrje për projekt-propozime për mbështetjen e autorit. Përmes saj, MKRS ndër të tjera po synonte që t’i promovojë autorët e rinj në Kosovë duke i mbështetur financiarisht me botim të librave të tyre të parë. Mirëpo, siç ndodh shpesh në thirrje publike, edhe në këtë rast po del se ky dikaster i Qeverisë ka bërë dallavere me ndarje të fondeve. Kështu të paktën thotë Lyra Goga, njëra prej aplikanteve e cila nuk u pranua për t’iu ndarë subvencionet, ndonëse tregon se i plotësonte të gjitha kushtet e konkursit.
“Përmes kësaj thirrjeje synojmë kultivimin e vlerave artistike e kulturore përmes krijimit të programeve të veçanta për nxitjen e krijimtarisë letrare dhe promovimit të leximit, identifikimit dhe mbështetjes së autorëve të rinj, aktivizimit të të rinjve në aktivitete të fushës së librit e leximit, rritjes së mbështetjes për autorët e pavarur”, thuhet në hyrje të thirrjes së MKRS-së, por që pikërisht autorët e rinj, që nuk kanë botuar libra asnjëherë më parë, nuk i ka mbështetur, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Një listë përfundimtare e përfituesve, me shuma që variojnë nga 5 mijë deri në 7 mijë euro, shpërfaq autorë të cilët, jo që nuk janë të rinj në fushën e letërsisë, por shumë prej tyre edhe të njohur në profesionin që ushtrojnë.
“Nga kureshtja, hapa dokumentin te shoh kush ishin ata fatlumet qe kane perfituar. Pavaresisht nervozes, shpresova qe te pakten autore te rinje e te talentuar te perfitojne”, shkruan Goga, studente e Doktoraturës për Letërsi në Universitetin e Prishtinës, njëherit edhe autore. “Emri i pare qe me kapi syrin ishte Nexhat Halimi… prit…a nuk eshte ky autori i disa nga tregimeve te mia te preferuara qe kisha lexuar jo shume kohe me pare? Dmth une paskam qene ne gare me te? Lexoj emrat e tjere dhe te gjithe jane emra te vjeter, disa te njohur. Burra ne moshe dhe profesore. Tipike!”.
Arsyetimi i MKRS-së për t’ia refuzuar aplikimin Lyra Gogës ka qenë me pretekstin se i ka munguar një dokument në aplikim, gjë që ajo vetë e ka demantuar. Për më tepër, ky dokument ka thënë se nuk përkon me të.
“Nuk ishte çudi kur pranova emailin qe nuk isha pranuar. Per nje dokument qe nuk perkonte fare me mua. Une veçse kisha derguar nje tjeter vertetim qe tregonte qe nuk kam pranuar financim me heret, dmth kjo qe ata thonin qe mungonte ishte absurde”.
Ndonëse e konsideron të padrejtë, Goga thekson se nuk është për t’u çuditur që gati gjithmonë bëhen shkelje në thirrje të tilla të hapura. E njëjta ka kërkuar sqarim nga Ministria por nuk ka marrë përgjigje.
Ajo ka ndarë edhe detaje nga lista e përfituesve, ku figuron që shumica prej tyre janë në moshë të shtyrë, e me disa libra të botuar.
“Nuk kishte kuptim thirrja me perfituesit, te pakten shumicen prej tyre”, deklaroi autorja në fjalë, teksa shtoi se “ne asnje moment nuk pretendoj qe keta emrat qe do i shihni ne vijim nuk jane shkrimtare te mire. Nuk mund te gjykoj sepse nuk i kam lexuar, mirepo problemi im eshte qe nuk jane zbulime talentesh te reja!”. /Reporteri.net/.
Reagimi i plotë: