Në një botë ku shpërqendrimi është bërë normë, leximi mbetet një nga aktet më të fuqishme e njëkohësisht më të vështirë. Jo vetëm që zgjeron horizontet, por forcon edhe një virtyt gjithnjë e më të rrallë: disiplinën. Leximi kërkon kohë, përqendrim dhe durim. Në një epokë ku informacioni na bombardon nëpër ekranet tona në formë sipërfaqësore, të zgjedhësh të ulesh me një libër është një akt i vetëkontrollit. Si të vendosësh që për një orë do të jesh me një mendim, një ide, një botë, pa zhurma dhe shpërqendrime.
Por disiplina e të lexuarit nuk vjen menjëherë. Ajo ndërtohet pak nga pak , faqje pas faqeje. Dhe pikërisht aty qëndron vlera e saj: ajo të mëson të ndalosh, të reflektosh, të kuptosh thellë , gjë që postimet në rrjetet sociale nuk mund ta bëjnë.
Leximi stërvit përqendrimin, analizën, empatinë dhe imagjinatën. Dhe si çdo stërvitje, kërkon përkushtim. Sa më shumë lexon, aq më shumë ushtron vetveten për të qenë i qetë në një botë të zhurmshme, i thellë në një botë të shpejtë, dhe mbi të gjitha, i lirë në mendim.
Prandaj, të lexosh nuk është thjesht një kënaqësi por një disiplinë që formon karakterin.
Në një ditë që zgjat 24 orë, njeriu i shekullit të 21-të i kushton orë të tëra telefonit, rrjeteve sociale, videove të shkurtra në Tik-Tok , kafeneve, lajmeve që harrohen po aq shpejt sa lexohen , ama vetëm për librin nuk ka kurrë kohë.
E vërteta është se leximi kërkon një energji të veçantë: një prani mendore që shumëkush nuk e praktikon më. Shikimi pasiv i ekranit është i lehtë nuk të sfidon, nuk të kërkon, nuk të vë në siklet. Leximi, përkundrazi, është dialog. Ai të ndalon, të pyet, të tundon, madje ndonjëherë të lodh. Por pikërisht aty qëndron forca e tij.
Sipas një studimi nga “Statista” Në vitin 2024, rreth 15.75 milionë persona në Gjermani, të moshës 14 vjeç e lart, shprehën interes të veçantë për librat dhe 7% e adoleshentëve gjermanë lexojnë libra çdo ditë ose disa herë në javë, ndërsa 22% e bëjnë këtë çdo një deri në dy javë. Gjermania është një nga shtetet me tëknologjinë më të zhvilluar sot në Europë, por kjo teknologji ka ndikuar shumë pak në rënien e traditës së leximit, çka hedh poshtë teorinë se teknologjia e zbeh librin. Duke marr shembull Shqipërinë, ku leximi mbetet ende në nivele të ulëta, kjo vërteton se leximi mbetet çeshtje dispiline dhe mentaliteti, e jo mungesë kohe.
Në realitet, koha për të lexuar ekziston. Ajo fshihet në minutat e humbura duke kaluar nga një aplikacion në tjetrin, në orët e vona që shpërdorohen në gjumë të vonuar pa vlerë, në mëngjeset kur zgjohemi e menjëherë zhytemi në kaos informativ. Nuk është mungesa e kohës që na ndalon por është mungesa e prioritetit.
Panairet dhe Festivalet e Librit , festa që zgjojnë kuriozitet. Gjoka: Librat janë terapi mendore e vlefshme
Panairet e librit nuk janë më thjesht tregje ku shiten libra. Ato janë kthyer në përvoja kulturore: me takime me autorë, diskutime publike, lexime të drejtpërdrejta, punëtori, aktivitete për fëmijë dhe adoleshentë. Kjo e bën librin të afërt, të gjallë, të prekshëm – jo thjesht një objekt në raft.
Në një kohë kur leximi duket se humbet terren përballë botës digjitale, panairet dhe festivalet e librit janë kthyer në oazë të rralla të ngjalljes së kureshtjes kulturore. Por a ndihmojnë vërtet këto ngjarje në promovimin e leximit? Dhe sa ndikojnë tek individi për ta kthyer librin në shok të përditshëm? Vetëm gjatë muajit Prill në Tiranë mbahen dy panaire libri njëkohësisht të stacionuara në hollet e dy qendrave më të mëdha tregtare në qytet. Panairi i parë organizuar nga “Bukinist” dhe i dyti nga “Leximtari”, synojnë që ta kthejnë vëmendjen e individit drejt librit.
Albert Gjoka
Themeluesi i “Leximtari.al” Dr.Albert Gjoka thotë për GazetaSi.al se libri është objekt magjik prej të clit jo marrim jo vetëm njohuri por përftojmë edhe një lloj terapie mendore.
“Libri ka gjithnjë e më pak prani fizike në jetën përreth nesh, por kur syri bie në kontakt me këtë objekt magjik, i jepet pa kusht dhe zhytet brenda fletëve të tij. Përditshmëria dhe bota virtuale na hutojnë me një shumëllojshmëri gjërash dhe mundësish për tu argëtuar dhe për të konsumuar kohën tonë. Por, tashmë është e provuar se përmes leximit ne marrim jo thjeshtë njohuri, por përjetojmë edhe një terapi mendore me vlera të jashtëzakonshme, dhe përmes tij ne përftojmë një anti-dot ndaj harresës individuale dhe kolektive.
Libri duhet të jetë më i pranishëm në hapësirat ku jetojmë dhe punojmë, ndaj për këtë arsye ai ka organizuar një panair në ambientet e një qendre tregtare, ku njerëzit janë të shumtë.
“Pikërisht, për këtë arsye, nëse duam ta kemi librin pranë nesh dhe duam të përfitojmë të mirat e tij, – ne duhet t’i japin vendin në të gjitha hapësirat ku jetojmë dhe punojmë, – ku blejmë dhe argetohemi. Për këtë qëllim, libraria më e re në Shqipëri, “Leximtari”, organizon këtë panair , të quajtur “Festat e Librit”, i cili do të zhvillohet gjatë muajit prill”.
Edhe pse në Shqipëri statistikat e leximit janë të rralla dhe thuajse gjithmonë pesimiste, ende mbetet i panjohur efekti i panaireve dhe festave të librit në rritjen e lexueshmërisë.
Atëhere pyetja që shtrohet është : Pse është kaq e mundimshme të lexosh?
Në teori, leximi duket si një nga veprimet më të thjeshta: një njeri, një libër, pak qetësi. Por në praktikë, shpesh është një nga gjërat më të vështira për të nisur dhe për ta çuar deri në fund. Pse? Sepse leximi është një akt që kërkon vëmendje të thellë. Dhe vëmendja sot është një luks. Jetojmë në një kohë ku çdo gjë merr vemendjen tonë: lajmet, politika, fushata, njoftimet, telefonatat, ekranet, zërat.
Të lexosh do të thotë të mbyllësh të gjitha këto, të përqendrohesh në një zë të vetëm , atë të autorit. Dhe kjo është e lodhshme për një mendje të mësuar me zhurmë. Por ka edhe një aspekt kohor që lidhet me padurimin tonë: leximi nuk jep shpërblim të menjëhershëm. Nuk ka dritë të ndezur, as zëra, as efekte. Ai kërkon durim. Dhe ne, njerëzit e sotëm, shpesh kemi humbur durimin për gjërat që rriten ngadalë