×
Art/Kulturë

Vdiq akademiku Rexhep Ferri

Reporteri
06 Qershor 2024 | 9:32

Akademiku Rexhep Ferri ka vdekur në moshën 87-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij të enjten.

Ferri u lind në Kukës të Shqipërisë në vitin 1937. Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë dhe paralajmëroi se “poezia dhe letërsia në përgjithësi do të jetë preokupimi i tij pothuaj po aq sa edhe artet pamore”, sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd ndërsa në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.

Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.

Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000. Më 1999 u vendos në pozitën e sekretarit të Seksionit të Arteve në ASHAK.

Ka organizuar shumë ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale, takime, në Kosovë, në Ish Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.

Në vitin 2010, ASHAK-u botoi monografinë ku pasqyrohet i tërë opusi artistik i Ferrit.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!