Më shumë se një orë ka zgjatur takimi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur sot.
Pas përfundimit të këtij takimi askush nuk ka dhënë sqarime se për çka është biseduar, përveç se është thënë se do të lëshojnë një komunikatë për media.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, tha se për mbledhjen do të njoftojnë nëpërmes një komunikate për media lidhur me atë se çka është biseduar.
E pyetur se a do të ketë një takim mes Vetëvendosjes dhe LDK-së gjatë ditës së sotme, ajo tha se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, shkurtimisht ka thënë se në këtë mbledhje është diskutuar për zhvillimet e fundit.
Detaje se çka është biseduar në këtë takim nuk ka dhënë as deputeti Haki Abazi, por i cili ka potencuar se nuk është biseduar lidhur me koalicionin e mundshëm me LDK-në.
Edhe deputetja Arbëri Nagavci nuk ka dhënë detaje nga takimi, duke thënë se kanë diskutuar temat e zakonshme.
Kujtojmë se nesër në ora 15:00 është caktuar mbajtja e seancës konstituive ku pikë e rendit të ditës përveç betimit të deputetëve do të jetë edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa ende nuk kanë arritur një marrëveshje me LDK-në për formimin e koalicionit qeveritar. LDK insiston pozitën e presidentit gjë që po refuzohet nga Vetëvendosje.