Deputeti shqiptar nga Bujanovci Shaip Kamberi ka reaguar pas vendimit të autoriteteve serbe që në çdo shkollë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, të intonohet himni i Serbisë, duke thënë se me këtë Beogradi zyrtar po e vazhdon haptas diskriminimin e tij ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq ka marrë vendim që në çdo klasë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor të intonohet himni i shtetit serb.
Në reagimin e tij, Kamberi thotë se një vendim i tillë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se politizim i panevojshëm i shkollave dhe arsimit për nevojat e patriotizmit të rrejshëm serb.
Postimi i plotë:
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Serbisë, Branko Ruzhiq, paska marrë vendim që në çdo shkollë e në çdo klasë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, më 1 shtator, të intonohet himni i Serbisë.
Qëllimi i një vendimi të këtillë qenka “respektimi i flamurit, stemës dhe himnit” për ta “ruajtur identitetin tonë”, ka sqaruar ai.
Ministri paska harruar se obligimi i tij primar ndaj fëmijëve, para imponimit të dëgjimit të himnit, është sigurimi i teksteve për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, trajtimi i barabartë në krijimin e kushteve normale nëpër shkolla shqipe dhe njohja e diplomave.
Secili prej nesh duhet të ruajë identitetin e vet dhe kjo është pika në të cilën pajtohemi.
Por, shtrohet pyetja a është himni, intonimin e të cilit Ju po urdhëroni, gjithëpërfshirës apo përjashtues?
A përfaqëson vetëm identitetin serb, apo edhe të pakicave? Si do të ndikojë te pakicat një atmosferë e këtillë imponuese.
Pakicat në Serbi përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë dhe ato kanë identitet të ndryshëm nga ajo që Ju po doni t’i impononi. Kjo është një realitet sado që Ju po mundoheni ta injoroni.