×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Nga e hëna në Qendrën e Studentëve fillojnë testimet serologjike

    Reporteri
    19 Korrik 2020 | 16:10

    Nga nesër pritet që në kryeqytet të fillojnë testimet serologjike për Covid-19. Këto testime do të bëhen në Qendrën e Studentëve, derisa prioritet do të jenë grupet më të rrezikuara me simptoma.


    KosovaPress mëson se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për testimin e aparateve dhe metodologjisë dhe që nga nesër të fillohet me këto testime.

    Personat me sëmundje kronike, të tjerë që janë të konfirmuar me Covid-19 dhe me simptoma më të rrezikuara do të jenë prioritet për testim serologjik.

    Për këtë ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili ka thënë se janë pranuar makinat e para, si edhe testet serologjike për Covid-19 në këtë komunë, ndërsa janë testuar 60 personat e parë.

    “Nga e hëna do të fillojmë edhe me testim të qytetarëve, duke prioritizuar grupet e rrezikuara me simptoma. Momentalisht, jemi me kapacitet rreth 100 teste në ditë, e brenda dy javësh do të jemi me kapacitet rreth 400 në ditë. Synimi primar në fillim është që përmes hulumtimit me 1000 persona në Prishtinë ta dimë saktë përqindjen e atyre që e kanë pasur virusin. Me një mostër të personave që kanë rezultuar pozitiv në Prishtinë që nga marsi (1600 total – mostra rreth 600 të kuptojmë imunitetin, sa krijohet, te kush, dhe sa gjatë zgjat). Na priftë e mbara në këtë kapitull të ri”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ndërkohë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë për KosovaPress se nga nesër do të diagnostikohen personat me Covid-19 pa u testuar, dhe në bazë të simptomave.

    Ibrahimi: Mjekët familjarë do të fillojnë diagnostikimin e personave pa i testuar

    “Komunat e kanë pranuar nga niveli qendror një rekomandim nga IKShP ku thuhet që mjekët familjarë nga qendrat familjare të Kosovës do të fillojnë diagnostikimin e personave me Covid-19 pa i testuar, do të thotë në bazë të simptomave. Dhe këtë do të fillojnë ta zbatojnë që nga e hëna, apo dita e nesërme”, ka thënë ai.

    Ibrahimi derisa ka folur për testimet serologjike, ka njoftuar se së shpejti do të fillojnë edhe në komunat e tjera me testime të njëjta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!