×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Policia e Kosovës ndërpret festimin e Vitit të Ri në sheshet e Prishtinës

    Reporteri
    01 Janar 2022 | 2:52

    Qindra qytetarë për ndërrimin e viteve kanë zgjedhur sheshin e kryeqytetit për të festuar, mirëpo ata nuk u lejuan nga zyrtarët e Policisë së Kosovës, për shkak të ruajtës së qytetarëve nga Covid-19.

    Ndërkohë qytetarët gjatë 2022-ës, presin një vit më të mirë, duke shpresuar në largimin e pandemisë COVID-19.

    Gani Ibishi tregoi për KosovaPress, se nga ky vit tashmë presin edhe punësime më shumë, por flet edhe për veprimin e policisë.

    “Prej vitit 2022 presim më i mirë me ardhë, kjo Corona të na largohet, të jemi më të lumtur, më të lirë, punësime më të mëdha. Viti 2021 çka me kujtu, pandemi, të izoluar, presim më i mirë me qenë… Mirë nuk është por urdhrin e kanë nga kryesia, po shohim me na ruajt për të mirën tonë”. thotë ai.

    Edhe qytetari tjetër nga Mitrovica i cili jeton në Gjermani, Arsim Musliu ka ardhur në Kosovë për festat e fundvitit, tregon se qytetin ku jeton dhe vepron është i izoluar për shkak të pandemisë.

    “Gjithçka më mirë, ishallah vetëm virusi na heqet më shpejt. Vijë nga Mitrovica, kam ardhur nga Gjermania qe 4 ditë me familje…Ne në Gjermani kemi qenë bllokadë totale, edhe tash jemi bllokadë e këtu shumë më mirë në gjirin familjar. Nuk kanë faj as policia, këta po e kryejnë punën e vet, e kanë për të mirën e popullit”, shton ai.
    Ejup Salihu shpreh lumturi për popullin shqiptarë, mirëpo ky i fundit ka një kërkesë për qytetarët që ta përkrahin më shumë qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, sepse sipas tij, është qeverisja e parë që u ka dhënë shpresë.

    “Para së gjithash shëndet, mirëqenie për të gjithë njerëzimin dhe popullin shqiptarë në të gjitha trojet u dëshirojë vetëm të mira, arritje e suksese dhe skenës politike u kisha dëshiruar të përmbahen nga çështjet e përfitimit edhe politike dhe i dëshirojë popullit shqiptarë në Kosovë që ta përkrahë qeverinë Kurti sepse është qeveri e parë që deri më tani na ka dhënë shpresë dhe duhet t’i japim kohë në mënyrë që problemet dhe mossukseset që na kanë përcjellë që 20 vite t’i japim kohë, të kemi durim dhe besim se një njeri si Albin Kurti, presidentja shumë e nderuar Vjosa Osmani, dhe pastaj edhe kryetari i kuvendit, është një treshe që Kosova mund të them që nuk e ka pas me siguri në vite. Unë mendoj se ky është një hap i mirë dhe i qëlluar sepse edhe turmat e shumta mund të jenë rrezik për popullin por mendoj se veprojnë që ta ruajnë popullin sepse duhet ta dini kemi pasur raste edhe të lëndimeve por ka edhe njerëz që nuk na duan të mirën dhe mund të infiltrohen dhe mendoj që i vetmi qëllim është dhe nuk mendoj që është veprim i keq”, potencon Salihu për KP.

    Përndryshe, Komuna e Prishtinës në natën e ndërrimit të viteve ka anuluar të gjitha aktivitetet e organizuara në “Prite në Shesh” për shkak të ruajtës së qytetarëve nga varianti i ri i Covid-19.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!