×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Pakënaqësi

    1 maji, sot protestohet në Prishtinë – kërkohen paga më të mira

    Reporteri
    01 Maj 2025 | 7:24

    Kosova sot do të protestojë në Ditën Ndërkombëtare të Punës. Protestën me rastin e 1 Majit, këtë të enjte prej orës 12.00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizojnë bashkërisht disa organizata dhe sindikata.

    Në konferencën e përbashkët për media, organizatorët i bënë thirrje të gjithë punëtorëve dhe qytetarëve që në protestën e sotme të shfaqin pakënaqësinë e tyre kundër nëpërkëmbjes të të drejtave të punëtorëve.

    “Punëtorët vdesin nga sëmundjet profesionale, por nuk u paguhet rrezikshmëria në punë dhe pagat e tyre janë të ulëta krahasuar me punën që e bëjnë. Punëtorët e kanë paditur KEK-un. Kërkojmë që të bëhet Gjykata e Punës. Do të kërkojmë respektimin e të drejtave të punëtorëve, ngritjen e pagave si dhe do të shtrojmë çështje të tjera jetike për punëtorët. Do të protestojmë edhe kundër shtrenjtimeve. Nesër në orën 12.00 të mos festojmë, por të protestojmë”, tha kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

    Për kushte pune shprehu pakënaqësiedhe Ibrahim Jonuzi, nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve.

    “Ta shënojmë 1 Majin duke shprehur pakënaqësitë tona dhe të bëjmë thirrje për të drejtat tona”, tha ai.

    Më parë, Sindikata e Re e Korporatës së Energjisë së Kosovës në njoftimin për organizimin e protestës më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bëri të ditur se do të kërkohen paga më dinjitoze dhe kushte më të mira pune për punëtorët e sektorit energjetik.

    Kjo Sindikatë po ashtu theksoi se puna e tyre përmban lodhje ekstreme, rrezik të përhershëm dhe sakrificë të përditshme, duke theksuar se “kjo punë nuk ka para që mund ta paguajë”.

    Për të ilustruar realitetin e vështirë, sindikata ka shpërndarë edhe një fotografi të një punëtori me fytyrë të mbuluar nga pluhuri i zi, simbol i kushteve të rënda, në të cilat punojnë minatorët dhe teknikët e KEK-ut.

    “Protestojmë për një pagë dinjitoze dhe respekt për punën tonë”, thuhet në thirrjen publike, ku organizatorët ftojnë qytetarët dhe përfaqësuesit sindikalë të solidarizohen me kërkesat e tyre.

    Në protestën e nesërme, siç thuhet në një njoftim për media, do të merr pjesë edhe Kolektivi Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja”, organizata të tjera, iniciativa Një cent më shumë , aktiviste dhe aktivistë të pavarur në koordinim me sindikatat e punëtorëve.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!