100 super-vetura nga e gjithë bota, do të zbarkojnë në Kosovë, të hënën e 28 qershorit 2021. Super-veturat luksoze do të qëndrojnë për një natë të ekspozuara në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës, në kuadër të “OneLife Rally”, i organizuar në vendin tonë nga grupi i njohur ‘Marakli t’Kerreve”, i mbështetur edhe nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
100 superveturat e “OneLife Rally” do të arrijnë në Kosovë, përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut, të hënën, 28 qershor 2021, rreth orës 15:00. Nga aty, nën përcjelljen e eskortës policore, super-veturat do të parakalojnë në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ për të zbarkuar rreth orës 16:00 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, ku do të qëndrojnë të ekspozuara për një natë.
Me të zbarkuar në sheshin kryesor të kryeqytetit, kosovarët do të kenë mundësinë që deri në ora 21:00 të shijojnë auto-show’in më të madh të organizuar në vend dhe të gjithë të pranishmit do të kenë qasje tek veturat që t’i shikojnë nga afër dhe të fotografohen tek to.
Po ashtu, eventi do të përmbajë edhe muzikë, argëtim e shumë dhurata për të gjithë “maraklitë e kerreve”, sikurse edhe surpriza tjera dhe mysafirë, përfshirë edhe të ftuarin special, Youtuber-in e famshëm në të gjithë botë, Vitaly Zdorovetskiy.
Festa dhe auto-show në shesh, vazhdon edhe më një ‘after-party’, i paraparë të mbahet të hënën nga ora 21:00 deri në orën 23:00. Derisa super-veturat do të qëndrojnë të ekspozuara në sheshin ‘Skënderbeu’ të Prishtinës deri të martën, 29 qershor 2021.
Për shkak të pandemisë, gjithçka do të zhvillohet sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’ është mbështetës i organizimit “OneLife Rally” nga “Marakli t’Kerreve”.
Eventi i arritjes së 100 super-veturave në sheshin kryesor të Prishtinës do të transmetohet LIVE në facebook të Gazetës Online ‘Reporteri’.