Pas 12 seancash të dështuara, deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhit, edhe atë më votim të fshehtë. Partitë tjera po e kundërshtojnë këtë. Disa herë ia kanë bërë të qartë VV’së se emri i Haxhiut s’do të kalojë asnjëherë. Më së shumti vota që ka marrë në votime kanë qenë 57. Për t’u zgjedhur i duhen 61, shkruan Reporteri.net.
Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë seancën konstitutive, të nisur nga 15 prilli, sot me fillim nga ora 10:00.
Edhe sot, skenari pritet të jetë i njëjtë. Lëvizja Vetëvendosje sërish do të provojë të ndryshojë mënyrën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, propozim i kundërshtuar tash e katër herë nga partitë tjera.
Partitë që deri vonë ishin në opozitë, kanë refuzuar të propozojnë anëtarë të Komisionit, duke e lënë këtë përpjekje në gjysmë, meqënse VV’së i mungojnë votat. Në seancën e fundit nuk morën pjesë fare në votim për këtë Komision.
Pas dështimit të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë seancën.
E propozuara e kësaj partie për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu. PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Pas dështimit të seancës të së mërkurës, Haxhiu tha se nuk e kupton pozicionin e partive që s’morën pjesë në votimin për Komision që të ndryshohet forma e votimit në të fshehtë, duke thënë se kjo formë e votimit shfrytëzohet edhe për zgjedhjen e Presidentit.
“I paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votim për Komisionin në mënyrë që të vazhdojmë edhe votimin e fshehtë. Është votim shumë demokratik për shumë institucione në Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe presidentin si me thanë shfrytëzohet ose parashihet votimi i fshehtë, prandaj nuk e kuptoj këtë pozicion”, ka thënë Haxhiu.
Për të dalë nga ngërçi i krijuar, Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka dalë me propozim për krijimin e një qeverie të tranzicionit, deri në zgjedhjen e Presidentit.
Pro një takimi janë shprehur PDK dhe AAK, por që të dy këto parti kanë thënë se preferojnë më shumë një “qeveri të opozitës”.
Pas mbledhjes së Kryesisë të mërkurën, PDK ka lëshuar komunikatë ku ka thënë se nuk do të shmangen nga asnjë takim që mund të çojë në zhbllokim të situatës, por preferenca e tyre është një qeveri e formuar nga partitë që derivonë ishin në opozitë.
Por, takimi thotë se duhet të thirret nga Presidentja,, duke shtuar se një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, thuhet në komunikatë.
Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën e Abdixhikut për takim ditën kur ai e bëri publik propozimin. Edhe ai, tha se angazhohet për “qeveri të opozitës”.
Mirëpo, ka deklaruar se ai nuk do të pranonte të marrte pjesë në një takim konsultativ për qeveri tranzicionale nëse në tavolinë është edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe. Nuk ndryshon qëndrimi sa i përket qeverisë së opozitës, por po ashtu nuk na pengon ftesa e LDK-së për konsulta”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se do të pranonte takime bilaterale me LDK-në apo trilaterale me LDK-në dhe PDK-në.
Nga VV propozimi është cilësuar “jo serioz”.
Deputeti i VV’së, Hekuran Murati, tha se LDK-ja me propozimin e saj për qeveri të tranzicionit po sillet si në kohën e UNMIK-ut.
Sipas tij, opozita ka mbetur pa një zgjidhje tjetër dhe propozimin për një qeveri transicionale e ka nxjerr si kartën e fundit.
“Refuzojnë ftesat për bashkëpunim, refuzojnë zgjidhjen me votim të fshehtë, e akuzojnë Vetëvendosjen për bllokim. Kjo nuk mund të quhet asgjë tjetër, pos hipokrizi. Deri tani as nuk është vënë në testim votimi i fshehtë. Tani kur ka filluar që pagat të rrjedhin nuk po u bëhet dert. Përgjigjja u dha një ditë me herët nga një zëdhënës, një ditë me pas u zyrtarizua nga kryesia, vendimmarrja në këtë rast është zhvendosur nga kryesia e organet në një vend tjetër. Përgjigjja e tillë neve na befasoi. Tani e kanë nxjerr edhe kartën e fundit si në kohën e UNMIK-ut. Kjo nuk është serioze”, tha Murati.
Edhe përfaqësues të komuniteve jo-shumicë, që janë pjesë e kabinetit qeveritar në detyrë, kanë dalë kundër këtij propozimi, duke pretenduar se janë lënë jashtë, pavarësisht se përmenden në letër si pjesë e kësaj qeverie.
Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), e kritikoi ftesën e kryetarit te Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, që partitë politike shqiptare të bëhen bashkë për një qeveri tranzicionale.
“Kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës, në frymën multietnike të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi, përkrah Emilija Rexhepit, nga Partia e Re Demokratike, dhe Nenad Rashiqit, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë./Reporteri.net