13 serbë nga Beogradi bërtasin: Nuk do ta lejojmë “Shqipërinë e Madhe”

Nga Beogradi: Shkumbin B. Kajtazi


Në një prej rrugëve të Beogradit ku ka nisur festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, ishin vendosur mbi 100 policë për të siguruar dhjetëra kosovarë që kishin ardhur për të prezantuar kulturën e vendit të tyre.


Mirëpo, diku 13 serbë të një grupi të njohur për qasje ekstremiste, i quajtur “Zavetnici”, nisën të marshojnë drejt vendit ku po mbahej festivali, duke kënduar këngë patriotike serbe dhe duke thirrur “Kosova është Serbi”, shkruan Reporteri.net.

Ndër të tjera, ky grup i vogël është prezantuar me qëllime të mëdha. Ata kanë thënë se nuk do të lejojnë që Kosova të prezantohet si shtet në Serbi, duke potencuar se nuk do të lejojnë krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Milica Djurdevic, që ishte kryesuese e këtij grupi, tha para mediave se shqiptarët mund të prezantojnë kulturën e tyre por, sipas saj, nuk mund ta pranojnë që ajo të prezantohet si kulturë e shtetit të Kosovës.

“Shqiptarët po duan ta krijojnë Shqipërinë e Madhe, por ne nuk do ta lejojmë”, ka thënë Djurdevic, ndonëse pas vetes i kishte vetëm 13 protestues.

Ndërkohë, policia serbe ka marrë masa ndaj protestuesve duke vendosur disa kordone me shumë policë, duke u përplasur madje disa herë me protestuesit.

Festivali, ndërkaq, ka nisur në orën 19:00 dhe do të vazhdojë deri më 1 qershor, ku do të ketë filma, ekspozita dhe të tjera aktivitete që do të prezantojnë artin e Kosovës./Reporteri.net