×
  • Lajme
  • Lajme

    13 vjet me Kushtetutë, këto janë shkeljet më të mëdha të saj

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 22:57

    Autor: Lira Klaiqi


    Nesër bëhen 13 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po këtij viti.


    Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit, shkruan Reporteri.net.

    Gjatë 13 vjetëve të ekzistencës së saj Akti më i lartë juridik i vendit u shkel e u nëpërkëmb seriozisht disa herë.

    Kuvendi, Presidenti, Qeveria, organe gjyqësore e prokuroriale kanë dështuar t’i binden përcaktimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u nxënë kështu në pozicione jashtë loje kundrejt Kushtetutës së vendit.

    Shkelja më e fundit e Kushtetutës ishte nga se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese që që e coi vendin në zgjedhje.
    Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj, e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

    Po ashtu Gjykata në vendimin e saj tha, se zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

    Këtë vendim Gjykata Kushtetuese e mori pas ankesës që lëvizja Vetëvendosje e bëri, duke kërkuar interpretim për votën e një deputeti nga radhët e pakicave, i cili ishte i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës. Vota e deputetit Ethem Arifi ishte vota e 61 që ia mundësoi Avdullah Hotit të zgjidhet kryeministër i Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    “Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet se,”marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mban datën 21 dhjetor 2020.

    Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke interpretuar pikërisht votën e deputetit Arifi, që ishte i dënuar për korrupsion, thuhej se “asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

    Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u votua më 3 qershor, pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, që në zgjedhjet e fundit doli partia e parë.

    Qeveria Kurti u rrëzua me një mocion mosbesimi që u ngrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte partner i koalicionit me Vetëvendosjen.

    Shkelje të Kushtetutës bëri edhe Qeveria 50 ditëshe e kryeministrit Albin Kurti.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati vendosur në lidhje me kërkesën e ish-Presidentit, Hashim Thaçi për vlerësimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë me Kushtetutën e Kosovës.

    Gjykata Kushtetuese pati vendosur se vendimi i Qeverisë i marrë me 23 mars 2020 nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    “Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhet në vendimin e gjykatës.Gjykata konstatoj se këto kufizime që janë bëre nga qeveria nuk janë të përcaktuara me ligj andaj biejnë në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të kushtetutës.

    Kushtetuesja thekson se këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj.
    Qeveria e Kosovës me datë 23 mars 2020 kishte vendosur që të kufizojë lirinë e levizjës së qytetarëve gjatë orëve 10:00 – 16:00 dhe 20:00 – 06:00.

    Kundër këtij vendimi kishte dalë ish-Presidenti i Kosovës i cili e kishte cilësuar këtë vendim në kundërshtim me Kushtetutën dhe ndaj tij kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

    Vendimi i qeverisë ishte i bazuar në dy ligje, ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe ligjin për shëndetësi.

    Sipas Gjykatës Kushtetuese këto dy ligje nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizoje lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me kushtetutë mirëpo e autorizojnë ministrinë e shëndetësisë që të marrë masa në ato ligje.

    “Gjykata theksoi faktin që Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, Gjykata konstatoi se ligjet e lartcekura, nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese të përcaktuara me nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim.”, thuhej në vendimin e Gjykatës.
    Kundër këtij vendimi kishte dalë ish- Presidenti i Kosovës i cili e kishte cilësuar këtë vendim në kundërshtim me Kushtetutën dhe ndaj tij kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

    Vendimi i Kushtetueses sqaroi se Qeveria nuk mund të kufizojë asnjë të drejtë dhe liri themelore përmes vendimeve, nëse një kufizim i të drejtës përkatëse nuk është paraparë me ligj të Kuvendit.

    Rasti tjetër tjetër është ai i ish-presidentit, Fatmir Sejdiu. Ishte 25 qershori i vitit 2010 kur një nismë e deputetit Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të Kuvendit të Kosovës parashtruan një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese ku pretendonin se Presidenti Fatmir Sejdiu kishte shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke mbajtur postin (e ngrirë) të Kryetari të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht duke qenë President i vendit.
    Ky pretendim u gjet i saktë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që gjeti se Presidenti Fatmir Sejdiu kishte bërë shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës së Kosovës si dhe postin e kryetarit të partisë politike – Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK.Ky vendim i Kushtetuese shkaktoi një shok politik në Kosovë dhe u pasua me dorëheqjen e Sejdiut nga pozita e Presidentit të vendit i cili në njoftimin e dorëheqjes tha se kishte qenë i bindur që duke e mbajtur të ngrirë funksionin e tij në LDK kishte vepruar siç përcaktonte Kushtetua e vendit, mirëpo Gjykata Kushtetuese gjeti ndryshe.

    Ky nuk ishte rasti i vetëm ku një president i Kosovës pati punë me Kushtetutën e vendit.
    Edhe Presidenti Behgjet Pacolli dha dorëheqje si rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte gjetur se kishte shkelje të Kushtetutës së vendit.

    Edhe pse këtë herë, Pacolli nuk kishte bërë asnjë veprim për shkeljen e Kushtetutës së Republikës, shkeljen këtë herë e kishte bërë Kuvendi i Kosovës në procedurat e përzgjedhjes.

    Duke shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga deputeti Sabri Hamiti dhe deputetët e tjerë, Gjykata Kushtetuese njëzëri gjeti se” vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jokushtetues, pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, përshkruhej në vendim.Pacolli ndonëse nuk kishte konsumuar asnjë veprim, megjithatë vendosi të vuaj pasojat e kësaj shkelje duke dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit.

    Ndryshe, pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

    9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë. Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!