Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimi gjyqësor në mungesë ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati.
Seanca po zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, i cili ndodhet në arrati që nga dita e kryerjes së krimit dhe ende nuk është lokalizuar nga organet e drejtësisë. Ndërkohë, Policia e Kosovës vazhdon ta ketë aktive kërkesën publike për gjetjen e tij.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Jasharit për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Diana Kastrati u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare, teksa po shkonte në fakultet. Ajo u qëllua me armë zjarri.
Vrasja e saj kishte nxitur reagime të shumta publike, pasi Kastrati paraprakisht kishte kërkuar nga institucionet urdhër mbrojtës emergjent, por nuk kishte arritur të merrte mbrojtjen e nevojshme me kohë.
Rasti i saj ishte bërë një nga shembujt më të rëndë të dështimit institucional në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.